Analiza

Brenda mendjes së Vladimir Putinit

Rebelët e Ukrainës supozohet të ulin armët. Çfarë mund të mësojmë mbi lëvizjen e tyre të ardhshme, nga psikologjia e njeriut që sundon Rusinë?

Nga Ian H Robertson

Screen Shot 2015-03-03 at 11.27.52 AM

Në qershor të vitit 2005, Vladimir Putini pa një unazë të madhe me diamantë në gishtin e Robert Kraftit, pronarit të “New England Patriots”. Kraft, ndodhej në Shën Petërburg, për një mbledhje të liderve të biznesit, dhe unaza kishte një vlerë prej 25 mijë dollarësh. Putini kërkoi ta shohë atë nga afër, dhe pasi e kqyri tha: “Unë mund të vras dikë me këtë”. Pastaj ai bëri gjoja sikur e futi unazën në xhepin e tij, tërhoqi rojet përreth tij, dhe u largua nga dhoma.
Çfarë na tregon ky incident, mbi psikologjinë e njeriut, që sundon Rusinë? Kjo pyetje, merr një rëndësi të veçantë, për ditën që supozohet se të dyja trupat qeveritare ruse dhe speratistët rebelë në Ukrainën Lindore, duhet të fillojnë tërheqjen e armëve të rënda nga fronti i betejës, si pjesë e marrëveshjes së Minskut.
Në demokracitë, që kanë nën kontroll pushtetin e udhëheqësve, psikologjia nuk mund të luajë një rol vendimtar, mbi artin e qeverisjes. Por kontrolli i Putinit mbi mediat ruse, sistemin gjyqësor dhe botën e biznesit, dëshmon se psikologjia e tij personale, luan një rol shumë më të rëndësishëm tek politikat shtetërore, sesa në vendet e tjera. Ne nuk e dimë saktësisht, sesa kontroll ka Putini mbi rebelët, por ka të ngjarë, që ai të jetë i konsiderueshëm, pavarësisht mohimeve nga këta të fundit.
Trupat e Putinit, operojnë në Ukrainë, dhe ne e dimë se ai vetë beson se është udhëheqës i vërtetë i rusisht-folësve, në të gjitha shtetet satalite ish-sovjetike, nga Ukraina deri në Lituani. Për këtë, mjafton të përmendim një pjesë të fjalimit të tij në parlamentin rus, në 25 prill të vitit 2005:Mbi të gjitha, ne duhet të pranojmë se rënia e Bashkimit Sovjetik, ishte një fatkeqësia më e madhe gjeopolitike e shekullit XX… Dhjetëra milionë nga bashkatdhetarët tanë, e panë veten jashtë territorit rus.
Tre muaj pas incidentit me unazën e Robert Kraftit, ndërsa vizitonte Muzeun “Guggenheim” në Nju Jork, Putinit iu tregua kopja në formën e një gote kristali e një armës automatike Kallashnikov, e mbushur me vodka. Sipas biografit, Masha Gesen, Putini i bëri shenjë me kokë, njërit prej rojave të sigurisë, i cili, për habinë e të gjithë të pranishmëve, thjesht e rrëmbeu veprën artistike.
Incidente të tilla, japin indicie fillestare të rëndësishme, mbi personalitetin e tij:Putin nuk ndihet i detyruar, të zbatojë rregullat e zakonshme të civilizimit.
Nga ana tjetër, kjo tregon se ai s’mund të jetë i prirur të respektojë rregulla më të mëdha, si për shembull, zbatimin e pikave të marrëveshjes së Minskut. Për të qenë të drejtë, Putini thuajse me siguri, beson se Perëndimi ka shkaktuar keqkuptime shumë më të mëdha me Rusinë, mbi integritetin e perandorisë, së cilës ai i shërben zyrtarisht. Pamja e avionëve gjuajtës të NATO-s, që patrullojnë kufijtë rusë, në atë që zyrtarisht njihet si territori sovjetik, është diçka tejet irrituese për të. Në mënyrë të ngjashme, flirtimi i ish-kolonive të tilla si Gjeorgjia apo Ukraina, me anëtarësimin në NATO, me gjasë e ka tërbuar atë.
Nga kjo perspektivë e shtrembëruar, ai ndihet i justifikuar në shkeljen e rregullave më të rëndësishme demokratike, të asaj që ai e konsideron si një Perëndim të dobët dhe dekadent. Një aspekt i dytë i rëndësishëm i personalitetit të tij, është përbuzja. Gjatë një takimi të përbashkët, të kabineteve qeveritare gjermano-ruse në Siberi në vitin 2006, kancelarja gjermane Angela Merkel, e qortoi Putinin, duke i thënë se ai duhet t’i trajtonte ministrat e kabinetit të tij, me respekt dhe jo përbuzje.
Përbuzja, është një emocion që u rezervohet atyre, që ne i konsiderojmë inferiorë, dhe ka të ngjarë që Putin e konsideron Perëndimin, dhe veçanërisht Evropën Perëndimore, si inferior në shumë plane, jo më pak në rrafshin ushtarak. Megjithatë, përbuzja është një emocion shumë problematik, sepse zhduk ndjeshmërinë. Empatia, është elementi vendimtar gjatë negociatave. Kompromisi dhe besimi, krijohen kur njerëzit fillojnë t’i shohin gjërat, edhe nga këndvështrimi i tjetrit.
Por përbuzja e mohon perspektivën tjetër, dhe objekt i saj është vetëm kundërshtari. Ka një faktor të tretë themelor mbi psikologjinë e Putinit:frika. Një njeri i pakët, lëkurë- hollë, që u rrit në varfëri në Leningrad, dhe që përndiqet ende nga kujtimet e tmerrshme të urisë dhe vdekjeve, ai ishte personalisht dëshmitar i asaj, që për të ishte një tjetër katastrofë-rënia e Bashkimit Sovjetik. Pa dyshim, ai vuan makthin e të gjithë autokratëve:frikën e humbjes së pushtetit, dhe pasojat që vijnë më pas. Dhe kjo nuk është një frikë abstrakte.
Ai vuan nga makthi i ish-agjentit të KGB-së, kur një luzmë rebelësh gjermanolindorë, e rrethuan zyrën e tij në Dresden në vitin 1989. Për pasojë, Putini mundi shumë lehtë të parashikonte një kolaps të tillë në vendin e tij. Thuajse me siguri në të shkuarën, Putini do të ketë dëshiruar respekt nga Perëndimi. Por shumë nga aktet e këtij të fundit, u perceptuan si poshtërime. Për shembull, politikanët kryesorë në SHBA, e përshkruanin Rusinë si “Volta e Epërme me raketa”, etiketime këto që mund ta kenë shtyrë presidentin rus, drejt këtij pozicioni ekzistencial, i ngjashëm me atë të Luftës së Ftohtë, dhe kjo gjithnjë duke supozuar se ai mund të ketë patur ndonjëherë një pikëpamje tjetër.
Ky është një problem i madh, pasi kjo do të thotë që ne s’mund të jemi të sigurtë se presidenti Putin, do të sillet tërësisht në një mënyrë të parashikueshme, sipas disa nocioneve logjike të kostos dhe përfitimit. Shumë pushtet për një kohë të gjatë, e ka ndryshuar trurin e tij, deri në atë pikë sa egoja e tij dhe Rusia, janë bërë njësh. Njerëzit shkojnë shumë larg, nganjëherë deri në vetë-shkatërrim, vetëm e vetëm për të mbrojtur egot e tyre.
Eshtë kjo arsyeja, se përse poshtërimi i Putinit dhe Rusisë, duhet të përjashtohet nga diskursi diplomatik. Njerëzit kanë tendencën të mbrohen më pak, dhe janë për rrjedhojë më pak vetë-shkatërrues, kur egot e tyre nuk janë të kërcënuara dhe kur nxirren në pah, pikat e tyre më të mira. Por asnjë sasi sado e madhe e lavdërimeve për Rusinë, nuk do të zbehte përbuzjen e presidentit të saj për Perëndimin.
Eliminimi i poshtërimit, mund të zvogëlojë vetëm mundësinë e ndonjë akti katastrofik ego-mbrojtës dhe vetë-shkatërrues nga ana e Putinit. Në fund, e vetmja gjë që do të largojë atë, nga përpjekja për të shpëtuar diasporën e tij rusisht-folëse nga kthetrat e Perëndimit, është qëndrueshmëria dhe parandalimi nga ana e Evropës dhe SHBA-së. Nëse Putini, do të vërë në zbatim fjalët e zymta dhe të fryra të Luftës së Ftohtë, kostoja do të ishte tepër e madhe. /”Daily Telegraph”/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button