Analiza

Brexit ishte kaos. Ajo po e kthen në program politik, duke “zbrazur” ekstremistët

Kryeministrja britanike Theresa May po mëson shpejt, që të tregojë karakterin e hekurt nën kostumin e leshtë dhe mbi këpucët e saj të dashura me lëkurë leopardi, ato me të cilat, siç e ka thënë vetë, ajo mendon më mirë. Asnjëherë kjo frazë nuk ka qenë më e vërtetë. Thirrja e zgjedhje të parakohshme 8 qershorin e ardhshëm – vetëm gjashtë javë pas shpalljes – ishte një veprim që lë rrugëdalje. Pasi mohoi për muaj të tërë se kjo mund të ndodhte, May befasoi kundërshtarët e vet duke bërë prapakthehu, në një moment të dobësisë së tyre të pafund.

Sipas sondazheve të Pashkëve, laburistët e Jeremy Corbyn sot nuk do të merrnin më shumë se 25% të votave përkundrejt 56% të konservatorëve, siç ishte kuptuar edhe nga rezultati i disa zgjedhjeve lokale, ku konservatorët fituan për herë të parë që nga viti 1931. “Do të jetë zgjedhje mes një udhëheqje të qëndrueshme dhe të fortë si ai i Kryeministres, ose një koalicioni të dobët qeverisës”, mes laburistëve, liberal demokratëve të Tim Farron dhe indipendentistit Nicola Sturgeon, ka thënë para gazetarëve May. Vetëm pak muaj më parë, gjatë një seance parlamentare, me egërsinë e një tigreje, duke treguar me gisht Corbynin, i cili e kishte kritikuar për ftesën shtetërore që i kish bërë presidentit Trump, kishte thënë: “Ai mund të udhëheqë një protestë”. Pas një pauze të mbushur me krenari, kishte shtuar: “Unë udhëheq një vend”.

Si “grua tmerrësisht e vështirë”, siç e quante konservatori Kenneth Clarke, pra e vendosur, ajo e di mirë që ndodhet në vendin e duhur në kohën e duhur, për të marrë një pushtet të pakontestuar, me të cilin të ribëjë kufijtë dhe skeletin e Britanisë së Madhe të të nesërmes. Një vend sërish i lirë për të firmosur marëveshje tregtare dypalëshe, sipas kushteve të veta. Që të vendosë se kë duhet të lejojë të hyjë dhe me çfarë kushtesh. Të ndërtojë klasën e vet drejtuese (dhe këtu Europa nuk ka punë), duke rikthyer primatin tek vlerat konservatore, si merita intelektuale. Edhe me koston e sakrifikimit të një mbështetjeje të madhe nga ata që nuk kanë as merita dhe as para, siç e ka thënë vetë ajo, me një cinizëm të kthjellët: “Në fund të fundit, dallime do të ketë gjithmonë. Më mirë të jenë ndryshime për nga meritat se sa për nga paratë”.

May nuk ka ndërmend ta humbasë këtë shans që i jep historia. Por që ta bëjë, i duhet mandat i plotë. Ai mandat që vjen nga kutitë e votimit dhe që ekonsakron një udhëheqëse përballë fraksionit të grindur të shokëve të partisë, dhe mbi të gjitha, para kombit dhe botës. Një pozicion i tillë është shumë më i rëndësishëm sot, kur është e vendosur të udhëheqë ishullin e saj mes rrymave të forta të Brexit, daljes nga Bashkimi Europian. “Nuk duhet të ketë asnjë përpjekje për të qëndruar në BE, apo për t’u rifutur nga dera e pasme”. Ky është pozicioni i saj, që kur ka marrë timonin e anijes. Por e ka të vështirë ta mbajë, duke patur kundër gjysmën e vendit…

Por nuk është vetëm kjo. Nëse fiton, siç thonë sondazhet sot, kryevepra e vërtetë politike e tigres May do të jetë ajo që ka transformuar situatën e kaosit të lindur prej zemërimit dhe pakënaqësisë së popullit, në strategji të qartë politike. Fitorja e konservatorëve do të jetë mbi të gjitha ajo e linjës së ashpër mbi Brexit. Dhe më pas, fitorja e një kryeministrjeje që e ka shndërruar pakënaqësinë sociale në drejtim politik, duke u nisur nga receta që u hodh aty në mes, pa një projekt real, prej atyre që ishin në kërkim të famës, duke shfrytëzuar pakënaqësinë e klasave më të ulëta, për t’i dhënë drejtim dhe qëllim një kombi të tërë.

Sigurisht që mbetet një bast. Kampi i atyre që donin qëndrimin në BE po shndërrohet pashmangshmërisht në palë të fortë dhe do të tentojë gjithçka. Por nuk ekziston në histori, një statist apo statiste, që nuk ka treguar se di të fitojë ndeshjen e vet në poker. / Marrë me shkurtime nga “Espresso” – Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button