Analiza

Brexit: Po tani çfarë ndodh?

Pak ditë nga atentati në Westminster dhe nga festimet e 60 vjetorit të Traktatit të Romës, Bashkimi Europian siç e kemi njohur deri më tani, rrezikon që të mos ekzistojë më. Në fakt, Londra i ka dorëzuar njoftimin Brukselit për të nisur negociatat që do ta nxjerrin jashtë BE. Madje, në synimet e Kryeministres Theresa May, do ta nxjerrin edhe jashtë nga Tregu i Përbashkët, me pasojën që do të duhet t’i rishkruajë nga e para raportet me Bashkimin Europian. Kjo është pikënisja që duket se hedh dritë mbi perspektivat negociuese, por që në të vërtetë lë të hapura shumë të panjohura: mbi çfarë shtyllash do të bazohet raporti i ardhshëm midis Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar? Cili është pozicioni zyrtar i Brukselit? Çfarë rreziqesh dalin për unitetin e Mbretërisë së Bashkuar? A ekzistojnë rreziqe për “exit”-e të tjera nga Bashkimi Europian?

Për momentin, zëri që është dëgjuar më shumë është ai i Londrës, që me një White Paper ka komunikuar dëshirat e saj. Mbetet për t’u parë nëse, dhe deri në çfarë pike Bashkimi Europian do të dijë të tregohet i bashkuar në negociata apo do t’i tregojë shpinën një strategjie të mundshme britanike “divide et impera”.

Mbretëria e Bashkuar: menjëherë jashtë Bashkimit Europian?

Siç është njoftuar prej kohësh, Theresa May u ka njoftuar institucioneve europiane qëllimin e Mbretërisë së Bashkuar për ta lënë Bashkimin Europian. Por nuk është nga ky moment që nis edhe numërimi sëprapthi 2 vjeçar brenda të cilit Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian duhet të gjejnë një marrëveshje mbi strukturën e marrëdhënieve të tyre të ardhshme. Në fakt, njoftimi britanik nuk është gjë tjetër veçse hapi i parë i një rrugëtimi formal kompleks.

Me marrjen e njoftimit, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk do të duhet t’u dërgojë një propozim pozicioni negociues kancelarive të 27 shteteve anëtare. Kështu, negociatat do të mund të fillojnë vetëm kur Këshilli Europian prej 27 anëtarësh do vihet në dijeni formalisht për qëllimet e Mbretërisë së Bashkuar, në seancën tashmë të caktuar me 29 prill. Në këtë takim, të 27 do të duhet të gjejnë një marrëveshje unanime për secilën prej pikave të veçanta të pozicionit negociues të Bashkimit Europian; një hap jo domosdoshmërisht i marrë si i mirëqenë, po të kihet parasysh gjendja aktuale e marrëdhënieve midis vendeve europiane.

Nëse formalisht negociatat do të duhen të zgjasin 24 muaj, palët realisht do të kishin 18 muaj për të negociuar një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar, për t’ia paraqitur më pas propozimin Këshillit Europian, Parlamentit Europian dhe atij britanik, për diskutim dhe ratifikim. Duhet kujtuar se limiti 2 vjeçar për të negociuar raportet e reja midis Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar ndodhet në Nenin 50 të Traktateve, që përcakton se një skadencë e tillë mund të shtyhet vetëm me unanimitet. Pasoja është e natyrshme: edhe një shtet mund ta kërcënojë Londrën për t’i vendosur veton shtyrjes, nëse disa prej kërkesave të saj (për shembull, lidhur me mobilitetin e punëtorëve të vet) të mos pranoheshin. Për t’u nënvizuar, veç të tjerash, se votimi në gjirin e Këshillit Europian lidhur me marrëveshjen finale nuk ka nevojë në fakt për unanimitet. Në këtë rast do të rezultojë më e vështirë që pak vende mund ta bllokojnë marrëveshjen, në rastin ku, për shembull, do të kishin marrë premtime të favorshme nga ana e Londrës.

Midis Londrës dhe Brukselit: cilat do ishin negociatat e mundshme?

White Paper-in e 2 shkurtit Kryeministrja May ka saktësuar se Brexit nënkupton edhe dalje nga Tregu i Përbashkët. Veç të tjerash, ka sqaruar se nuk synon të optojë për modele tashmë të adoptuara në të kaluarën, si ai zviceran apo norvegjez. Do të thotë në fakt, që të negociojë një marrëveshje krejtësisht të re, e cila do t’i mundësonte Londrës të kishte akses në Tregun e Përbashkët si për mallrat, ashtu edhe për shërbimet e saj, duke filluar nga ato financiare, që e bëjnë City-n e Londrës një prej pikave financiare më të rëndësishme të botës. Kjo duke siguruar gjithësesi të drejtën për të kufizuar qarkullimin e punëtorëve. Vështirë që një opsion à la carte si ky mund të pranohet nga Bashkimi Europian. Veç të tjerash, kjo mund të bindë vende të tjera që të avacojnë kërkesa të ngjashme. Në çdo rast, për momentin ai që është dëgjuar është pothuajse ekskluzivisht zëri i Londrës. Për të dëgjuar zërin europian do të duhet të pritet botimi i pozicionit negociues zyrtar të Bashkimit Europian. Ato që influencojnë mbi rezultatin e negociataës do të jenë ngjarje kyçe, si zgjedhjet në Gjermani, Francë dhe Itali. Përshtypja është se rezultati i Brexit, më shumë se nga negociatat midis Londrës dhe Brukselit, do të varet nga ajo, se çfarë Bashkimi Europian dhe me sa shpejtësi, do të ndërtohet në dy vitet e ardhshme.

Humbja e Londrës: pse nuk është një lajm i mirë?

Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar përfaqëson sot 17% të PBB-së europiane. 44% e eksporteve britanike shkon drejt vendeve anëtare të Bashkimit Europian, një përqindje shumë më domethënëse, nëse kihet parasysh se eksporti drejt Shteteve të Bashkuara zë vetëm për 17%. Pesha e Europës lehtësohet në 62% nëqoftëse kihen parasysh marrëveshjet e tregëtisë së lirë të negociuara nga Bashkimi Europian me vendet e treta, dhe anëtarët e hapësirës ekonomike europiane, nga të cilat Londra përfiton. Veç kësaj, kryeqyteti britanik sot mirëpret rreth 5500 operatorë financiarë, që përdorin 336000 pashaporta financiare, për të operuar në vendet e tjera europiane. Për më tepër, Mbretëria e Bashkuara është eksportuesi më i madh neto i shërbimeve financiare, duke kaluar edhe Shtetet e Bashkuara. Lidhur me këtë, në rast se Brukseli nuk do t’i lejonte operatorët britanikë të ushtronin aktivitet në brendësi të Bashkimit Europian, është për t’u sqaruar se do të shkojnë të vendosen këta operatorë financiarë që kishin zgjedhur Londrën si seri të tyren në brendësi të Tregut të Përbashkët. Qytete të ndryshme europiane – midis të cilëve Milano – janë shprehur të gatshëm për ta zëvendësuar Londrën. Nëse kjo do të duhej ta hunbiste pashaportën financiare, disa shërbime më parë të caktuara Citi praktikisht do të spostoheshin në qytete të tjera europiane. Por, duke pasur parasysh natyrën globale e tregjeve financiare, është gjithsësesi e mundur se ato që do të përfitonin mund të jenë edhe pika të tjera jashtëeuropiane, nga Nju Jorku në Shanghai. Do të bëhej fjalë për një humbje sa për Londrën, aq edhe për Bashkimin Europian. Së fundi, nuk duhet harruar se shpesh Britania e Madhe është investuar në institucionet komunitare për të favorizuar pozicione liberiste dhe thjeshtëzimin e normave europiane. Stimuj të cilëve mund t’u ndjehet mungesa në Bashkimin Europian të ardhshëm.

Fundi i pjesës së parë

Në pjesën e dytë: Cila do të jetë e adhmja e europianëve në Britani? Cilat do të jenë pasojat në nivel ndërkombëtar? Dhe impakti politik në Mbretërinë e Bashkuar?

Përgatiti: Armin Tirana / bota.al

Leave a Reply

Back to top button