Psikologji

Bullizmi vret. Mësoji fëmijët e tu të duan!

Ngjarja e fundit në SHBA me një djalë nëntë vjeçar, i cili vrau veten si pasojë e bullizmit, ka prekur gjithë opinionin publik. Nëna e tij, Leia Pierce, ka lënë një mesazh të thjeshtë, por me shumë vlerë për ditët e sotme:

Mësoji fëmijët e tu të duan dhe të kuptojnë se vërtet jemi të ndryshëm, por kjo gjë na bën ne unikë. Asnjë nuk është i njëjtë me dikë tjetër, sepse nëse do të ishim të tillë, bota do të ishte tepër e mërzitshme. Diferencat tona na bëjnë që të ndërveprojmë më mirë me njëri-tjetrin. Mësoju mëshirën fëmijëve të tu. Mësoju respektin. Mësoji ta pranojnë më mirë personin tjetër”.

Bullizmi është një term i ri, i përdorur për të përkufizuar dhunën psikologjike ose fizike nga një person, kundrejt një personi tjetër. Termi u propozua nga Dan Oljus pas masakrës në një shkollë në Kolumbi, ku dy studentë vranë 12 shokë të tyre dhe një mësues, si dhe lënduan 20 persona të tjerë. Por edhe pse termi është i ri, ai është përdorur në praktikë prej kohësh, madje që në fillesat e njerëzimit.

Së pari, duhet të kuptojmë se sot personave që ofendojnë apo dhunojnë të tjerët, nuk u pëlqen t’i quajnë bullistë. Ata vazhdojnë t’i fyejnë të tjerët, sidomos ata që nuk kanë një bukuri sipas “standardeve” që ka vendosur shoqëria jonë, apo ata që janë mbipeshë. Zhvillimi i internetit e ka bërë këtë gjë akoma më serioze dhe agresive, sepse rrjetet sociale përdoren tashmë si një kanal fyerjesh, talljesh, për këdo që e ekspozon veten me botën. Pra, gjërat nuk po mbeten më brenda mureve të shkollës, por po rriten në mënyrë të frikshme dhe të pakontrollueshme.

Janë të shumtë materialet që u dedikohen mësueve dhe prindërve, në mënyrë që ata të merren me fëmijët dhe t’i edukojnë ata në mënyrën e duhur. Jo të gjithë e bëjnë siç duhet, sepse duhet të themi, personaliteti apo karakteri që ndërton një fëmijë në vite, është produkt i edukatës që i japin prindërit, si dhe i mësimeve që i japin mësuesit. Nëse ndonjë nga të dyja këto hallka dështon, dështon rrënjësisht edhe edukimi i fëmijës.

Ndaj, edukojini fëmijët në mënyrën e duhur, me vlerat e duhura. Nëse sigurohesh që ata kanë marrë vërtet mësimet që ti ke dashur t’u japësh, duhet të ndihesh i/e sigurtë se ata do të rriten në mënyrën e duhur, duke treguar empati për të tjerët, jo dhunë.

Leave a Reply

Back to top button