Analiza

Ç’duhet të bëjë Samiti i Klimës në Paris

Screen Shot 2015-11-30 at 1.27.48 PM“New York Times”

Në vitin 1992, më shumë se 150 kombe ranë dakord në fund të një takimi në Rio de Zhaneiro, për të ndërmarrë hapa për stabilizimin e emetimit të gazrave serrë në atmosphere, në një nivel të tillë që do të “parandalonte ndërhyrjen e rrezikshme antropogjene në sistemin klimatik” – Kombet e Bashkuara flasin për ngrohjen globale.

Prej atëherë janë zhvilluar shumë aktivitete mbi këtë problem, por është dëshmuar pak progres. Emetimet e gazeve serrë, janë rritur në mënyrë të vazhdueshme, ashtu si temperaturat atmosferike, ndërsa pasojat e ngrohjes së pakontrolluar globale – thatësirat e vazhdueshme, shkrirja e akullnajave, vdekja e koraleve, një rritje e e ngadaltë por e pandalshme e nivelit të detrave – janë bërë gjithnjë e më të theksuara.

Sot në Paris, nënshkruesit e Traktatit të Rios (tashmë janë 196 vende), do të përpiqen sërish të arrijnë një marrëveshje të re ndërkombëtare mbi ndryshimet klimatike, që të mundë realisht të ngadalësojë dhe pastaj zvogëlojë emetimet e gazrave serrë, dhe për të shpëtuar kësisoj botën nga një katastrofë klimatike në shkallë të plotë brenda këtij shekulli.

Ashtu si takimet e tjera klimatike, sidomos samiti i Kiotos në vitin 1997 dhe ai i Kopenhagës në vitin 2009, edhe ky i Parisit është duke u cilësuar si “shpresa jonë e fundit”, sipas fjalëve të Fatih Birol, drejtori i ri i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Sikurse e theksoi kohët e fundit Presidenti i Francës, Fransua Holond, “Ne jemi të detyruar të kemi sukses”.

Është thuajse e sigurtë, se ky samit nuk do të prodhojë një marrëveshje të plotë për ta shpëtuar planetin tonë brenda dy javësh, nga rreziqet që i kanosen . Por ai mund të ketë sukses në një aspekt të rëndësishëm, që takimet e mëhershme nuk e kanë patur – duke nxitur përgjegjësinë kolektive, një ndjenjë të fortë midis vendeve mëdha dhe të vogla, të pasura dhe të varfra, që të gjithë duhet të luajnë një rol në gjetjen e një zgjidhje globale për një problem global.

Kioto dështoi, për shkak se imponoi objektiva për reduktimin e emetimit të gazrave, vetëm ndaj vendeve të zhvilluara, duke i lënë të lira vendet në zhvillim si Kina, India dhe Brazili. Për këtë arsye senati amerikan e rrëzoi Protokollin e nënshkruar në fundit të atij samiti. Samiti i Kopenhagës pati një pjesëmarrje më të gjerë, por u zhyt shpejt në kaos, pjesërisht për shkak të fërkimeve të vazhdueshme ndërmjet vendeve të industrializuara dhe vendeve në zhvillim.

Organizatorët e konferencës së Parisit, kanë mësuar shumë nga gabimet e së kaluarës. Në vend se të kërkojnë të miratojnë një marrëveshje të imponuar nga lart-poshtë dhe me objektivat e parapërcaktuara, ata kanë kërkuar nga çdo vend të paraqesë një plan kombëtar, që tregon se si dhe në çfarë sasie kanë në plan të reduktojnë emetimet në vitet e ardhshme.

Deri më tani, më shumë se 170 vende, që llogatitet se janë përgjegjëse për mbi 90 përqind të emetimeve të gazrave serë, kanë paraqitur zotimet e tyre, dhe më shumë të tjerë mund të dalin në Paris. Por a do jenë këto premtime të mjaftueshme për të shmangur pasojat më të këqija të ngrohjes globale? Jo.

Shkencëtarët përgjithësisht bien dakord, se ngrohja globale nuk duhet t’i kalojë 2 gradë Celsius, ose 3.6 gradë Fahrenheit, nga nivelet e epokës paraindustriale. Studime të ndryshme, thonë se edhe në rast se vendet që kanë bërë premtime do të jenë në gjendje t’i mbajnë ato, bota do të pësojë një ngrohje me deri në 6.3 gradë Fahrenheit, deri në fund të këtij shekulli.

Rritja mund të jetë edhe shumë më e lartë se kaq, dhe do të jetë e mjaftueshme për ta bërë të mjerueshme jetën e brezave të ardhshëm, sidomos në vendet gjeografikisht të ulëta dhe të varfra. Por të paktën do të vërë botën në një trajektore të sigurtë; nën shumicën e modeleve të zakonshme të biznesit, rritja e temperaturave mund të arrijë në 8.1 gradë ose më e lartë. 

Natyrisht, në fund të gjitha kombet do të duhet të mbajnë premtimet e tyre, veçanërisht emetuesit e mëdha si Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara. Nëse takimi i Parisit kërkohet të jetë një pikë kthese, negociatorët duhet të sigurohen që zotimet kombëtare të jenë dyshemeja dhe jo tavani i ambicjeve, duke krijuar një kornize që kërkon angazhime të forta mbi klimën në intervale të rregullta – le të themi çdo pesë vjet.

Kjo duhet të shoqërohet me një plan për mbikëqyrjen dhe raportimin e performancës të secilit vend. Takimet e mëhershme janë paraqitur keq në këtë pikë. Ndërkohë çështje të tjera të rëndësishme duhet të jenë në rendin e ditës. Njëra është se si vendet e pasura, mund të ndihmojë ato të varfra të arrijnë objektivat e tyre. Një tjetër është ndalimi i shkatërrimit të pyjeve tropikale, të cilat luajnë një rol të madh në ruajtjen e karbonit dhe thithjen e emetimeve.

Takimi gjithashtu kërkon të përfshijë në këtë kauzë investitorë, korporata, shtete dhe qytete. Majkëll Blumberg, që e bëri reduktimin e emetimeve një prioritet si kryetar i bashkisë së Nju Jorkut, do  t’i bashkohet me kryetarin e bashkisë së Parisit në bashkë-drejtimin e një mbledhjeje të zyrtarëve lokalë nga e gjithë bota. Testi i suksesit për këtë samit të shumë-pritur, është nëse ai do të prodhojë jo vetëm angazhime të forta, por edhe një ndjenjë të përbashkët të urgjencës në të gjitha nivelet për t’i përmbushur ato.

Në shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button