Analiza

Çfarë do të thotë për Evropën, Emmanuel Macron në krye të Francës?

Nga Patrik Uintur

Në shenjë që tregon se sa shpejt ka lëvizur politika europiane, diplomatët e lartë në ambasadën britanike në Paris, më pak se një dekadë më parë zhvilluan debate të ethshme, nëse zyrtarët britanikë mund të takoheshin ndonjëherë me anëtarët e Frontit Nacional Francez. Partia, e drejtuar në atë kohë nga Jean-Marie Le Pen, konsiderohej kaq shumë jashtë “kufijve”, sa të ishte e paprekshme.

Banorët e sotëm të ambasadës, pa dyshim do të psherëtijnë të lehtësuar, që Marine Le Pen, vajza e Jean-Marie, nuk ka gjasa të plotësojë një defiçit prej 20 pikësh, që i duhen për të fituar raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, por e dinë që alternativa e saj – zgjedhja e Emmanuel Macronit, pro-evropianit pothuaj romantik – mund të rezultojë një kokëçarje diplomatike, po aq e madhe.

Presidenca e Macronit mund të “ndezë” aftësinë e tij për të shtyrë përpara reforma brenda vendit, por gjatë fushatës, ai ka dhënë shenja të pakëndshme për Londrën, në lidhje me Brexit si dhe për formën e ardhshme të Evropës, veçanërisht ringjalljen e motorit franko-gjerman, i ndalur prej kohësh.

Macroni – kur u pyet kryesisht nga gazetarët britanikë – tha se nuk do të pranojë një marrëveshje që lejon Mbretërinë e Bashkuar të veprojë si parajsë fiskale në Evropë, me qasje në tregun e përbashkët. Ashtu si François Hollande, ai është i vendosur që asnjë vend tjetër i BE-së nuk duhet të besojë se Brexit vlen të lëvdohet. Si ish-bankier, ai gjithashtu do të tundohet që të joshë në Francë shumë prej mbështetësve të tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke e bërë Parisin një rival të City-t të Londrës.

Por aftësia e Macronit për këtë gjë, varet kryesisht nga marrëdhënia që ai do arrijë të krijojë me Berlinin. Macroni e vizitoi dy herë Gjermaninë gjatë fushatës dhe në një fjalim prej 70 minutash, të mbajtur në gjuhën angleze në Universitetin Humboldtit në Berlin në janar, ai premtoi t’i japë fund mosbesimit dhe bllokimit, që kishte shpërfytyruar boshtin franko-gjerman.

Disa ekonomistë francezë i shohin planet e mëdha të Macronit për reformën e eurozonës, një buxhet të përbashkët, një ministër finance, mbrojtje evropiane dhe një Europë me shumë shpejtësi, si lloji i Euro-gjepurave të prodhuara nga ministria e jashtme franceze, për breza të tërë. Ata thonë se ky projekt është refuzuar në mënyrë të përsëritur nga qeveritë gjermane. “Shumica thjesht gogësijnë dhe presin për temën e radhës të bisedimeve”, tha një ekonomist i Komisionit Evropian.

Por të tjerë si Sylvie Goulard, një nga këshilltaret e politikës së jashtme të Macronit, thonë se ai e ka shumë seriozisht. Një hapësirë mundësish për reformë ekziston pas zgjedhjeve franceze dhe gjermane, që mund të jenë shansi i fundit për qendrën liberale, për të reformuar Evropën.

Në fjalimin e tij në Berlin ai argumentoi se një euro jofunksionuese ka ndihmuar Gjermaninë, duke shtuar se mungesa e besimit midis Francës dhe Gjermanisë po bllokonte reforma të mëdha, që do të rritin solidaritetin midis 19 anëtarëve të bashkimit monetar.

“E vërteta është se ne duhet të pranojmë së bashku, se euroja është e paplotë dhe nuk mund të zgjasë pa reforma të mëdha. Ajo nuk i ka siguruar Evropës sovranitet të plotë ndërkombëtar kundrejt dollarit. Ajo nuk i ka dhënë Europës një konvergjencë të natyrshme, midis shteteve të ndryshme anëtare.

“Euroja është një Deutsche Mark e dobët”, tha Macron. “Status quoja është sinonim, pas 10 vjetësh, me zhbërjen e euros”.

Idetë e tij për reformën e euros, së pari të parashtruara me politikanin gjerman të SPD Sigmar Gabriel, sfidojnë mbajtjen nga Berlini të sufiçiteve tregtare, që ai e ka përshkruar si të paqëndrueshme. Shumë nga propozimet e tij mbeten të paqarta, por Macroni ka qenë mjaft i sinqertë, kur ka pranuar se Berlini do të dëgjojë Parisin, vetëm nëse Franca vendos së pari kredibilitetin e saj, nëpërmjet reformave ekonomike.

Por shumë analistë dyshojnë se Macroni do të grumbullojë autoritetin politik për të nxitur axhendën e tij pro-evropiane në Francë, lëre më me Gjermaninë. Ekonomisti francez Charles Vyplosz tha se nuk kishte mbështetje të gjerë për reformën dhe vetëm dy kandidatë në zgjedhjet presidenciale të raundit të parë, Macroni dhe François Fillon, e ngritën këtë çështje.

“Lajmi i mirë është se Macroni dhe Filloni fituan 50% të votave, por lajmi i keq është se 50% e popullsisë franceze ende nuk kanë asnjë ide se çfarë duhet bërë, dhe kjo ngre pikëpyetje rreth asaj se çfarë do të ndodhë më pas,” tha Vyplosz.

“Franca ka qenë në korsinë e ngadaltë për dekada të tëra, duke humbur ndikimin politik në Evropë, kryesisht për shkak se ka pasur këto marrëveshje, ku të gjithë kanë patur disa privilegje, që kanë qenë shumë të aftë për t’i mbajtur. Macroni duhet të përballet me forca të fuqishme, të cilat shpesh duke nxjerrë 2 milion njerëz në rrugë, kanë fituar çdo betejë në dekadën e fundit”.

Por brishtësia e Macronit brenda vendit i ngarkon Gjermanisë përgjegjësinë për ta ndihmuar. Ronja Kempin, studiuese në Institutin gjerman për Politika Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, thotë se është e nevojshme që Berlini të planifikojë për vitin 2022, kur ekziston një rrezik real për një fitore të Frontit Nacional në raundin e dytë. “Nëse Franca bie, Gjermania do të gjendet e vetme. Për të shmangur këtë, Berlini do të duhet të bëjë sakrifica të qarta ekonomike dhe ideologjike”. The Guardian – bota.al

Leave a Reply

Back to top button