Analiza

Çfarë i detyrohet Gjermania Greqisë

Nga Clive Crook

Screen Shot 2015-02-21 at 10.30.48

Sa rëndësi ka nëse kërkesa e Greqisë, për një program të ri të shpëtimit me kushte më të buta, u kërkua me ngulm nga një qeveri e re, e zgjedhur pikërisht falë këtij premtimi, një qeveri që ruan një mbështetje të fortë edhe kur propozimet e saj refuzohen nga pjesa tjetër e Bashkimit Evropian? Sa rëndësi ka demokracia në një situatë si kjo?
Në një artikull për “Project Syndicate” në fillim të këtij muaji, Jozeph Stiglitz, laureat i çmimit Nobel dhe profesor i ekonomisë në Universitetin amerikan të Kolumbias, shkruante se është demokracia ajo që ka më tepër rëndësi. Nëse Evropa i thotë jo kërkesës së votuesve grekë për një ndryshim të kursit, ajo po kumton se demokracia është diçka pa rëndësi, të paktën kur është fjala për ekonominë.
Ekonomistët e tjerë nuk u pajtuan me një konstatim të tillë. Votuesit grekë, mund të duan ristrukturimin e borxhit te tyre dhe uljen e taksave. Por çdo të bëhet me votuesit në Gjermani dhe pjesën tjetër të eurozonës? Edhe mendimet e tyre kanë shumë rëndësi. Nëse demokracia ka rëndësi, ndoshta duhet të vendosë shumica e njerëzve në gjirin e BE.
Jakob Funk Kirkegard i institutit “Peterson”, bie dakord me këtë gjë. Ai madje shkon edhe më tej, kur deklaron se grumbullimi i sovranitetit ekonomik brenda eurozonës, nuk është në përputhje me nocionin e një mandati parësor kombëtar. Është jorealiste për Greqinë të pretendojë se votuesit e saj kanë atu-në në raport me votuesit në vendet e tjera.
Në të vërtetë, brenda një bashkimi monetar, ku asnjë anëtar nuk është plotësisht sovran, është natyrshëm e pamundur për çdo qeveri të zgjedhur rishtas, të pretendojë se mandati i saj zgjedhor është mbi gjithçka tjetër. Edhe një gjë tjetër: planet faktikë (në krahasim me zgjedhjet politike), nuk e  japin hua veten e tyre që të gjykohen nga votimi popullor. Për shembull, kërkesat matematikore mbi aftësinë paguese kombëtare nuk mund të shfuqizohen, për shkak se votuesit e një vendi nuk i pëlqejnë ato.
Të votosh që hëna është e përbërë prej djathit nuk do ta bëjë atë të tillë. Të gjitha kundërshtimet mbi komentin e Stiglitz janë të sakta. Pjesa tjetër e zonës së euros është brenda të drejtës së saj, për t’i thënë jo Greqisë, dhe kjo nuk do të përbënte një hedhje poshtë të parimeve demokratike.
Por edhe në këtë rast na shpëton një detaj i rëndësishëm: kërkesa minimale për një demokraci që funksionon mire është ajo ku udhëheqësit e saj respektojnë njerëzit që ata përfaqësojnë. Supozoni për një moment se kërkesat e Greqisë janë të paarsyeshme, ose të pamundura për t’u plotësuar, kështu që ka kuptim për vendet e tjera të thonë jo. Në këtë rast, mënyra e refuzimit ka ende rëndësi.
Një refuzim i bazuar do ishte në fakt një hedhje poshtë e parimeve demokratike, nëse ajo do të shprehte përbuzje për votuesit grekë. Dhe në të vërtetë kjo është ajo që kemi parë. Qeveria gjermane ka treguar pak respekt për qytetarët grekë. Por a nuk është ana tjetër e bashkimit të sovranitetit, që udhëheqësit e Gjermanisë duhet të kenë për detyrë të kujdesen dhe respektojnë, ndaj jo-gjermanëve?
Vendet që nuk ndihen rehat me këtë kërkesë, ndoshta duhet të mendohen dy herë për ndërtimin – atëherë shumë të zgjeruar – të Bashkimit Evropian. Elektorati në të gjithë BE-në është ngopur me zhvillimin e sistemit të përbashkët të qeverisjes. Ngulitja e kësaj ideje do të jetë e vështirë dhe mund të kërkojë forcimin linjës së përgjegjësisë së qeverive kombëtare ndaj zgjedhësve të tyre.
Megjithatë, në një BE të mirë-drejtuar, qeveritë që veprojnë në harmoni me njëra-tjetrën do të përpiqen të përfaqësojnë interesat kolektive të të gjithë qytetarëve të unionit. Përndryshe, cili mbetet thelbi? Përgjigja kolektive e Evropës ndaj gjendjes së tmerrshme ekonomike të Greqisë ka qenë mospërfillëse, madje ndëshkuese.
Duke hedhur poshtë protestat e votuesve grekë, minohet ideja se bashkimi duhet të mbijetojë dhe shpëtojë. Sikurse po ndodh, propozimet e Greqisë janë kryesisht të arsyeshme. Pranimi i shumicës prej tyre, do t’i shërbente në fakt interesave më të gjera ekonomike të Evropës.
Por edhe nëse nuk do të ndodhte kështu, dhe të rezultonte se Gjermania e mbështetësit e saj kishin të drejtë mbi qëndrimin që mbajtën, refuzimi i tyre duhet të pastrohet nga përbuzja për një komb që tashmë është duke vuajtur në mënyrë të pazakontë, dhe që thjesht po i kërkohet të vuajë disi më shumë. /“Bloomberg”/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button