Magazine

Çfarë kanë ndryshe “mëngjarashët?”

Llogaritet se rreth 8-15% e popullatës në botë shkruan me dorën e majtë. Kur themi shkruan, nënkuptojmë dhe kryerjen e shumë veprimeve që personat e tjerë i bëjnë më lehtësisht me dorën e tyre të djathtë : që nga ngritjet e peshave, gatimin, larjen, të veshurin etj. Nga ana shkencore, kjo diferencë në përdorimin më të shprehur të njërës dorë krahasuar me tjetrën lidhet vetëm me zhvillimin e njërës hemisferë, apo hemisferës tjetër të trurit të madh.

Rrugët nervore që përcjellin komandat motore nga truri deri në periferi të trupit tonë, kryqëzohen përpara se të dalin nga truri apo palca kurrizore. Kjo do të thotë që funksionin motor të anës së djathtë e kontrollon hemisfera e majtë dhe anasjelltas. Rrjedhimisht, për personat që shkruajnë me dorën e djathtë, mund të themi me siguri që kontrollin motor të lëvizjeve e kryen hemisfera e tyre e majtë e trurit. E kundërta ndodh për “mëngjarashët”. Ata kanë të specializuar hemisferën e tyre të djathtë për të kryer funksionet motore të anës së majtë të trupit, duke përfshirë këtu edhe të shkruarin me dorën e majtë.

Ky ndryshim në rrugët nervore përcillet me shumë probleme për individin, sidomos në shoqërinë tonë. Kam qenë vetë prezent në një klasë të parë, ku mësuesja e urdhëronte një fëmijë të shkruante me dorën e djathtë, ndërkohë që ai qante se nuk mundej dot të shkruante ashtu. Ne si shoqëri nuk i pranojmë ndryshime të tilla. Së pari, ai individ që në fëmijëri has tepër vështirësi. Nëse ai ulet në anën e djathtë të bangës në shkollë me një shok apo shoqe që shkruan me dorën e djathtë, do të përplasë kushedi sa herë bërrylin me shokun apo shoqen duke krijuar bezdi tek personi tjetër. Së dyti, që i vogël pyetet nga personat përreth “Pse shkruan me dorën e majtë?”, pasi fëmijët nuk arrijnë dot t’i kuptojnë që ndryshime të tilla janë totalisht natyrale. Mirëpo kjo krijon njëfarë diferencimi dhe ndjenje indiference për një fëmijë, i cili kërkon shumë mbështetje për ta kaluar lehtësisht këtë fakt. Po qe se kësaj i shtojmë edhe presionin për të ndryshuar nga prindërit apo mësuesit, imagjinoni pak se çfarë dëmi krijojmë tek një fëmijë që nuk mundet dot të ndryshojë diçka nervore.

Por nuk është bardhezi e gjithë situata. Ka edhe të mirat e veta të qenurit sallaks apo “mëngjarash”, siç i quajnë rëndom personat që shkruajnë me dorën e majtë. Studimet e fundit kanë treguar se personat e tillë janë shumë të talentuar, si dhe kanë mundësi më të shprehura për të shkëlqyer në çdo fushë të artit. Kjo lidhet me faktin se hemisfera e djathtë përmban edhe qendra specifike të aftësive artistike. Duke qenë se ata e kanë më të zhvilluar hemisferën e djathtë, rrjedhimisht i kanë edhe më të zhvilluara këto qendra. Madje thuhet se do të ishte e çuditshme të shihje një person që shkruan me dorën e majtë, të mos kishte talent në pikturë apo muzikë. Pra, aq të shprehur e kanë apektin artistik brenda vetes.

Në ndryshim nga ta, sipas studimeve, personat që shkruajnë me dorën e djathtë janë më shumë të prirur drejt shkencës dhe fakteve. Pra, lehtësisht ata mund të shkëlqejnë në fusha të tjera profesionale, përveç artit.

Duhet të themi se nuk ka një ndarje ekzakte midis këtyre përfundimeve, pasi arritjet në jetë nuk kërkojnë vetëm talent, por edhe shumë punë. Ajo çfarë na mbetet neve të bëjmë, është ta pranojmë këdo ashtu siç është, përderisa ka lindur i tillë dhe për diçka të lindur, askush nuk ka gjë në dorë për të vendosur.  / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button