Lufta hibride është një strategji ushtarake që përdor mënyra jo konvencionale të luftimit, duke përfshirë armën politike, psikologjike, ekonomike, si dhe sabotazhet, dezinformimin dhe sulmet kibernetike. Qëllimi kryesor është të rritet tensioni për të arritur objektivat pa qenë domosdoshmërisht nevoja të qëllohet as edhe një plumb.
Dronët “fantazmë” dhe shkeljet e vërteta ose të supozuara të hapësirës ajrore të Europës nga avionët luftarakë rusë janë pjesë e kësaj lufte hibride, e cila synon të ushtrojë presion mbi qeveritë “armike” dhe të ndikojë opinionin publik. Nuk është rastësi që “arkitekti” i kësaj lufte hibride është gjenerali Valerij Gerasimov, shefi i shtabit të përgjithshëm rus.
Megjithatë, ky konflikt jo konvencional mund të përfshijë edhe operacione nën flamur të rremë, që i atribuohen kundërshtarit. Në këtë kontekst, është përdorur edhe “arma” e emigrantëve, duke nxitur flukset drejt Europës Perëndimore, veçanërisht përmes Bjellorusisë.
Çdo operacion është pjesë e një plani të gjerë dezinformimi, që përhapet përmes rrjeteve sociale, agjentëve të influencës dhe lajmeve të rreme, me synimin për të ndryshuar perceptimin e opinionit publik në favor të agresorit.
Kjo luftë zhvillohet paralelisht me konfliktin e vërtetë dhe quhet luftë njohëse – një luftë që, për shembull, Izraeli e ka humbur në nivel ndërkombëtar, edhe pse ka fituar në fushën e betejës mbi një mal viktimash në Gaza.
Sabotazhet dhe sulmet kibernetike janë pjesë aktive të luftës hibride, me dy objektiva kryesorë: të godasin infrastrukturat strategjike dhe të shkaktojnë një ndikim psikologjik që dobëson kundërshtarin, ose madje nxit popullsinë kundër tij. / bota.al