Histori

Çfarë i mësuan botës rrënojat e Hiroshimës?

A ishte tragjedia e Hiroshimës dhe Nagasakit mjaftueshëm për t’i mësuar botës pasojat e tmerrshme të armëve bërthamore? Kanë kaluar 70 vjet që nga ato ngjarje dhe armët bërthamore nuk janë përdorur përsëri

Screen Shot 2016-04-05 at 22.56.43

Më 6 gusht 1945, në orën 8:15 të mëngjesit, u përdor arma e parë bërthamore në botë. Ajo bombë e vetme vrau rreth 140.000 njerëz dhe shkatërroi qytetin japonez të Hiroshimës.

Duke dëshmuar shkatërrimin, Robert Levis, shkroi më vonë në një letër, “Perëndi, çfarë kemi bërë?”

Por ai tmerr, i shprehur me pak fjalë, vazhdon të ketë ndikim kudo në botë.

Hiroshima dhe bombardimi pasues në Nagasaki më 9 gusht 1945, mbeten e vetmja herë që bombat atomike të shkatërrimit në masë u përdorën në konflikt. Ato i sollën fundin Luftës së Dytë Botërore.

Mësimet e nxjerra nga Hiroshima

Odd Arne Westad, profesor i marrëdhënieve SHBA-Azi në Universitetin e Harvardit, tha se ai besonte se shkatërrimi masiv, kontaminimi dhe vuajtja njerëzore nga sulmet mbi Hiroshimë dhe Nagasaki kishte një impakt më të gjerë sidomos në refuzimin që u bënë kombeve përdorimit të tyre për rreth treçerek shekulli.

“Bota u bë e vetëdijshme për pasojat e tmerrshme dhe kjo ishte shumë e rëndësishme. Është për t’u theksuar se pas 70 viteve të ngjarjeve në Hiroshimë, armët bërthamore nuk janë përdorur më”, tha ai.

Shumica e njerëzve nga viti 1945 do kishin pritur që armët bërthamore të përdoreshin shumë shpejt pas kësaj, por kanë kaluar rreth 60 vjet nga Lufta e Ftohtë dhe ato nuk janë përdorur.

Nëse nuk do të ishin marrë këto leksione nga Hiroshima, si Lindja dhe Perëndimi do t’i kishin përdorur.

Loja e fuqisë

Që nga viti 1945, kur Japonia iu dorëzua forcave amerikane, kombi e ka bazuar ekonominë dhe ushtrinë në një drejtim pacifist.

Lëvizjet e fundit nga kryeministri japonez, Shinzo Abe, dhe Partia e tij Liberale Demokratike për të ndryshuar Kushtetutën, veçanërisht Nenin 9, te të ashtuquajturat klauzola të paqes, kanë ngjallur probleme civile.

Jeff Kingston, drejtor i Studimeve Aziatike, nga Universiteti Tempel në Japoni dhe autor i librit “Nacionalizmi në Azi që nga viti 1945”, tha se kujtesa kolektive e Hiroshimës dhe Nagasaki është një arsye e rëndësishme përse ekziston ende kjo ndjesi e fortë antiluftë.

“Muzeu i Hiroshimës për Paqen është më i vizituari nga ekskursionet e shkollave dhe çdo vit në këtë kohë media mbushet me histori rreth tmerrit të vuajtjes së të mbijetuarve, të cilët kujtojnë fare mirë se çfarë kanë hequr”, tha ai për CNN.

Çdo lëvizje e suksesshme nga Japonia për të ndryshuar qëndrimin e gjatë paqësor ka gjasa të nervozojë fqinjët e saj në rajon, veçanërisht në një kohë kur Kina po kërkon territor në Detin e Kinës Jugore, duke përkeqësuar marrëdhëniet me Tajvanin, Vietnamin, Brunein, Malajzinë dhe Filipinet.

Një vend pacifist me fuqi bërthamore

Japonia aktualisht importon 84 për qind të nevojave të veta për energji. Përpara shkatërrimit bërthamor në Fukushima më 11 mars 2011, një e treta e elektricitetit të saj gjenerohej nga energjia atomike. por pas katastrofës, shkaktuar nga një tërmet dhe një cunam, të gjithë reaktorët në Japoni dolën nga funksioni.

Kjo gjë mund të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Muajin e shkuar, një raport i Lidhjes Bërthamore Botërore theksoi se 43 reaktorë japonezë ishin në punë dhe 24 të tjerë po prisnin miratimin qeveritar.

Brad Uilliams nga Universiteti i Hong Kongut thotë se kjo thekson ndarjen në dy pjesë të mësimeve të nxjerra nga 6 gushti i vitit 1945.

“Ne mund të argumentojmë se mësimet e nxjerra nga Hiroshima ishin disi të përziera. Japonia nuk mund të armatoset me armë bërthamore, por ka nevojë të përdorë energjinë bërthamore dhe të mbështetet mbi garancitë e sigurisë bërthamore amerikane”.

“Ne ende shohim kundërshtimin e gjerë të publikut ndaj çdo lloj opsioni të përdorimit të energjisë bërthamore në Japoni, pas ngjarjeve të marsit 2011”.

Armë të shkatërrimit në masë

Ndonëse Hiroshima dhe Nagasaki kanë meritën që po mbajnë larg botën nga lufta bërthamore, që nga viti 1945, SHBA-ja, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Pakistani, India, Koreja e Veriut dhe Kina kanë kryer rreth 2000 teste për armë bërthamore.

Federata Amerikane e Shkencëtarëve vlerëson mbi 17,000 mbushje nukleare, ku rreth një e katërta e atyre janë klasifikuar si operacionale.

Pavarësisht përpjekjeve për të parandaluar rezervat bërthamore ka një shtim të përhapjes së armëve bërthamore, veçanërisht në ato anë të botës ku ka konflikt afatgjatë, një situatë që mund të shtyjë në përdorimin rishtas të tyre.

Të tilla vende janë për shembull Koreja e Veriut, Pakistani, India dhe Izraeli./Shqip

Leave a Reply

Back to top button