Shtatë Mrekullitë e Botës së Lashtë ishin një koleksion strukturash të admiruara nga shkrimtarët dhe udhëtarët grekë si arritje të bukurisë dhe inxhinierisë njerëzore. Autorë antikë si Diodori i Sicilisë dhe Antipatri i Sidonit hartuan lista të këtyre “pamjeve për t’u parë”, por lista që ne përdorim sot u përforcua gjatë Rilindjes, kur vetëm njëra nga mrekullitë ishte ende në këmbë.
1. Piramida e Madhe e Gizës (Egjipt)
Piramida e Madhe është e vetmja mrekulli e lashtë ende ekzistuese. E ndërtuar në shek. XXV p.e.s. gjatë dinastisë së IV-të, ajo ishte varri monumental i faraonit Khufu (Cheops). Më pas u ngritën edhe dy piramida nga i biri Khafre dhe nipi Menkaure. Fillimisht shkëlqenin me gurë gëlqerorë të bardhë dhe majë prej ari, por grabitjet dhe koha i zhveshën. Edhe pse të plaçkitura herët, ato mbeten simbol i fuqisë faraonike.
2. Mauzoleumi i Halikarnasit (Turqi e sotme)
Ndërtuar në shek. IV p.e.s. për mbretin Mausol dhe motrën-bashkëshorten Artemisia II, ishte 45 metra i lartë dhe i zbukuruar me mbi 400 skulptura. Përshkruhej nga autorë si Plini dhe Straboni si një kryevepër arti. Ende qëndronte në kohën romake, por u rrënua para vitit 1402, kur kalorësit kryqtarë përdorën gurët e tij për të ndërtuar kështjellën e Bodrumit.
3. Tempulli i Artemisit në Efes (Turqi e sotme)
I dedikuar perëndeshës Artemis, ishte ndërtuar tre herë. I pari u shkatërrua nga përmbytja në shek. VII p.e.s., i dyti u dogj nga Herostrati në 356 p.e.s., në natën e lindjes së Aleksandrit të Madh, dhe i treti u ngrit më vonë në shek. IV p.e.s. Ky tempull madhështor u shkatërrua nga sulmet gotike dhe më vonë u rrëzua nga të krishterët. Sot në vendin e tij qëndron vetëm një kolonë e rindërtuar nga copëzat e gjetura.
4. Statuja e Zeusit në Olimp (Greqi)
E krijuar nga Fidiasi në shek. V p.e.s., statuja ishte 14 metra e lartë, prej druri e veshur me fletë ari e fildishi. Ishte imazhi më i famshëm i Zeusit. U qëndroi shekujve, por me mbylljen e tempujve paganë në shek. IV, fati i saj u bë i paqartë. Me shumë gjasa u shkatërrua nga zjarri pas rënies së tempullit. Legjendat thonë se u transferua në Kostandinopojë, por nuk ka prova.
5. Gjiganti i Rodit (Greqi)
Një statujë prej bronzi 33 metra e lartë e perëndisë Helios, e ngritur në vitet 280 p.e.s. për të festuar fitoren ndaj Demetrit Poliorketi. Zgjati vetëm 54 vjet: një tërmet i vitit 226 p.e.s. e rrëzoi. Banorët e Rodit e panë si shenjë të zemërimit hyjnor dhe nuk e rindërtuan. Shtrirë përtokë, mbeti një spektakël për shekuj, por në fund fragmentet u shkrinë ose u plaçkitën.
6. Fari i Aleksandrisë (Egjipt)
I ndërtuar në ishullin Faros gjatë sundimit të Ptolemeut II, rreth 100 metra i lartë, ishte fari më i famshëm i lashtësisë. Shërbeu për shekuj si udhërrëfyes për portin e Aleksandrisë. U dëmtua rëndë nga tërmete në shek. X, XIV dhe XV, derisa u shkatërrua plotësisht. Në 1480, gurët e tij u përdorën për të ndërtuar Kalatën Qaitbay. Sot fragmente të tij qëndrojnë nën ujë.
7. Kopshtet e varura të Babilonisë
Mrekullia më misterioze, ndoshta as që ekzistoi. Thuhet se u ndërtuan nga Nabukodonosori II në shek. VII p.e.s., me tarraca të gjelbëruara dhe sisteme ujitjeje të sofistikuara. Por nuk ka burime të drejtpërdrejta që i përmendin, as tekste babilonase dhe as gjurmë arkeologjike në Babiloninë e sotme. Disa mendojnë se ishin në Nineveh, ndërtuar nga mbreti asirian Sennakerib. Në çdo rast, fati i tyre u tret bashkë me rënien e qytetit.
Fati i 7 Mrekullive
Koha i përul të gjitha gjërat. Është paradoksale që më e vjetra — Piramida e Gizës — është e vetmja që mbijeton. Ideja për të ruajtur monumente thjesht si trashëgimi historike është e re; për njerëzit e lashtë, ndërtesat humbnin funksionin dhe braktiseshin. Ashtu si kështjellat britanike të rrënuara, rrënojat e mbuluara me bimësi të Çiçen Icës, apo mbetjet e fundosaura të Farit të Aleksandrisë, edhe mrekullitë e lashta iu dorëzuan kohës dhe natyrës. / bota.al