MagazineMAIN

Çfarë thesari! Kush gjen një mik…

Shkenca e konfirmon: jeta me një kafshë ndihmon në uljen e presionit të gjakut, ankthit dhe vetmisë, si dhe rrit jetëgjatësinë. Një studim suedez i vitit 2017, me 3.4 milionë pjesëmarrës, tregoi se njerëzit që kishin një qen kishin rrezik më të ulët për sëmundje kardiovaskulare dhe vdekje të parakohshme, veçanërisht ata që jetonin vetëm.

Prej rreth një viti, Beacon punon për USA Gymnastics, federatën amerikane të gjimnastikës.

Detyra e tij është të ulë nivelin e stresit të sportistëve gjatë ngjarjeve ku presioni është më i madh, si në përzgjedhjet për ekipin kombëtar të SHBA për Lojërat Olimpike të Parisit. Atje, Beacon ishte gjithmonë në dispozicion të atletëve, të cilët e mbulonin me përkëdhelje. Sepse Beacon është një golden retriever shumë social, 4 vjeç.

Kafshë të tjera të ngjashme me të, të trajnuara për të ndërvepruar me njerëzit, po shfaqen gjithnjë e më shpesh në situata stresi njerëzor.

“Prania e qenve terapeutikë pranë gjimnastëve amerikanë bëri bujë dhe tregoi se si kafshët mund të ofrojnë një moment pushimi nga tensioni i stërvitjeve dhe garës. Por ata mund të vizitojnë edhe pacientë në spitale, të ndihmojnë studentët të ulin stresin gjatë provimeve apo të mbështesin personat që kanë kaluar trauma”, shpjegon Sarah Leighton, nga O’Haire Lab (Organization for Human-Animal Interaction Research and Education) e Universitetit të Arizonës.

Sipas drejtueses së grupit, Maggie O’Haire, ekzistojnë “dhjetëra histori mbi përfitimet e ndërveprimit me kafshët”, dhe studimet shkencore i kanë dhënë bazë reale disa prej tyre. “Për shembull”, thotë ajo, “është vërtetuar se studentët që ndërveprojnë me kafshë ndjejnë një ulje të stresit të perceptuar.”

Dializë në shoqërinë e një labradori

Shkenca ka zbuluar se çfarë ndodh në trup kur përkëdhelim një kafshë. “Ndërveprimi pozitiv me kafshët ka një efekt qetësues dhe krijon ndjenjë mirëqenieje që ka bazë fiziologjike”, shpjegon Sabrina Bonichini, pedagoge e psikologjisë zhvillimore në Universitetin e Padovës.

“Ulet presioni i gjakut dhe niveli i kortizolit, hormonit të stresit, ndërsa rriten serotonina, hormoni i mirëqenies, dhe oksitocina, e njohur si “hormoni i dashurisë””.

Në Universitetin Federico II të Napolit, studiuesit e vëzhguan këtë efekt te 10 pacientë në dializë, të cilët ndërvepruan disa herë gjatë trajtimit me një labrador miqësor. Në gjakun e tyre u regjistrua rritje e dukshme e serotoninës dhe oksitocinës, shenjë e qartë e qetësisë emocionale.

Terapitë e ndihmuara nga kafshët

Kafshët shtëpiake janë bërë protagoniste të një sërë aktivitetesh të njohura si “ndërhyrje të asistuara me kafshë”.

“Këto variojnë nga aktivitetet rekreative dhe edukative në shkolla apo spitale, deri te terapitë e asistuara, me qëllim terapeutik për çrregullime fizike, motorike, kognitive apo emocionale”, shpjegon Bonichini.

Leighton shton një shembull konkret: “Ne kemi punuar me veteranë që vuajnë nga çrregullimi i stresit post-traumatik. Ata që kishin pranë një qen ndihmës shfaqnin më pak ankth, më pak depresion dhe më shumë aftësi sociale”.

Ndërveprimet mund të jenë nga më të ndryshmet: terapi me kuaj, që ndihmojnë në rehabilitimin fizik, apo thjesht përkujdesja, loja dhe përkëdhelja, të cilat kanë një efekt jashtëzakonisht pozitiv.

Edhe pse nisëm me Beacon, qentë nuk janë të vetmit protagonistë të terapisë me kafshë. “Përdoren edhe kuaj, mace, lepuj apo gomerë. Maceve u njihet aftësia për të ndihmuar personat me probleme kognitive, sidomos të moshuarit, apo për të përmirësuar përqendrimin e fëmijëve me vështirësi në të nxënë”, – shton psikologia.

Por jo me këlyshë!

Ekzistojnë, megjithatë, rregulla për mbrojtjen e kafshëve, pas debateve të fundit mbi të ashtuquajturin “puppy yoga”, yoga me këlyshë, shumë e përhapur në rrjete sociale, por jo e përshtatshme për kafshët.

Ministria e Shëndetësisë në Itali e ka ndaluar këtë praktikë, pasi konsiderohet një aktivitet i asistuar me kafshë, që duhet të përfshijë vetëm kafshë të rritura, të përzgjedhura dhe të trajnuara. “Aktivitetet e tilla janë të lodhshme dhe mund të shkaktojnë stres te këlyshët”, thekson Bonichini.

Nëse zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe respektuese, ato janë të dobishme edhe për vetë kafshët, të cilat shfaqin të njëjtat ndryshime hormonale si njerëzit: ulje të kortizolit dhe rritje të oksitocinës dhe serotoninës. Nuk është çudi, marrëdhënia mes njeriut dhe kafshëve është mijëravjeçare.

Një ndihmë e madhe për fëmijët

Shumë nga këto aktivitete janë të drejtuara ndaj fëmijëve me vështirësi. “Në rastet e çrregullimeve të të nxënit, pet therapy ndihmon në rritjen e përqendrimit dhe në kontrollin e agresivitetit, si edhe nxit socializimin. Gjithashtu, ul ankthin gjatë procedurave mjekësore, duke i bërë më të durueshëm ndaj dhimbjes”, shpjegon Bonichini.

Ajo kujton edhe një rast historik: në vitin 1953, neuropsikiatri Boris Levinson vuri re se qeni i tij Jingles ishte i vetmi që arrinte të tërhiqte vëmendjen e një fëmije autik që nuk komunikonte me askënd. Falë pranisë së Jingles-it, fëmija nisi të hapej. Që nga ajo kohë, u kuptua se një kafshë mund të shërbejë si urë lidhëse me fëmijë që kanë vështirësi në ndërveprim shoqëror.

Një shoqëri e shëndetshme

Shkenca e konfirmon këtë prirje: jeta me një kafshë ndihmon në uljen e presionit të gjakut, ankthit dhe vetmisë, si dhe rrit jetëgjatësinë. Një studim suedez i vitit 2017, me 3.4 milionë pjesëmarrës, tregoi se njerëzit që kishin një qen kishin rrezik më të ulët për sëmundje kardiovaskulare dhe vdekje të parakohshme, veçanërisht ata që jetonin vetëm.

“Arsyeja është e thjeshtë”, shpjegon Tove Fall nga Universiteti i Uppsala-s, “ata janë më aktivë fizikisht, sepse duhet të nxjerrin qenin për shëtitje, dhe kjo ul rrezikun e shumë sëmundjeve. Për më tepër, ndihen më pak vetëm, dhe vetmia është një faktor i madh rreziku për vdekjen e parakohshme.”

Kujdes, dashuri dhe ndjenjë përgjegjësie

Një qen mund të të nxisë të lëvizësh më shumë, por edhe macja ka efekt të ngjashëm: kërkon kujdes, vëmendje dhe lojë. Sipas Federica Pirrone, etologe në Universitetin e Milanos, lidhja e ngushtë me një kafshë krijon ndjenjë përgjegjësie dhe afërsie emocionale, që janë shumë pozitive për shëndetin mendor. “Kafshët u japin njerëzve ndjesinë e vëmendjes dhe dashurisë, ndaj janë mbështetje e çmuar për të moshuarit dhe personat në vështirësi”, shton Bonichini.

Megjithatë, jo të gjitha studimet japin rezultate të njëjta. “Ka shumë variabla të përfshira”, thotë O’Haire. “E ardhmja e kërkimit është të zhvillohen studime më të gjera dhe më të sakta”.

Bonichini shton se personalizimi i ndërhyrjeve (p.sh. për fëmijët me autizëm) e bën të vështirë standardizimin e rezultateve, sepse çdo rast është unik.

Aroma që zbulon sëmundjen

Së fundi, qentë mund të ndihmojnë edhe në diagnozën mjekësore, falë nuhatjes së tyre të jashtëzakonshme. Ata janë në gjendje të nuhasin prani të sëmundjeve si COVID-19, infeksione parazitare, apo tumore të ndryshme (të gjirit, mushkërive, prostatës, etj.), si dhe krizat e hipoglicemisë te diabetikët.”Kjo ndodh sepse qentë arrijnë të dallojnë substancat organike që trupi prodhon në prani të sëmundjes”, shpjegon Mackenzie Pellin, onkologe në Universitetin e Wisconsin-Madison.

Ata mund t’i zbulojnë këto sinjale në urinë, pështymë, djersë apo frymëmarrje, dhe disa qen janë trajnuar për ta bërë këtë në mënyrë rutinë, madje edhe për njerëzit e zakonshëm. Në fund të fundit, nëse nuk janë këta miqtë më të mirë të njeriut, atëherë kush tjetër mund të jetë? / bota.al

Back to top button