Analiza

Charles Kupchan: Strategjia e duhur. Të palëkundur për parimet, të hapur për dialog

Charles Kupchan“Në kompleks, Perëndimi po reagon në mënyrën e duhur ndaj lëvizjeve të Vladimir Putinit. Në kriza si kjo, reagimi më i kollajtë është të rrisësh nivelin e përplasjes duke përmendur ndërhyrjen e armatosur, por SHBA dhe aleatët europianë duhet të jenë të vëmendshëm dhe të mos i japin Moskës pretekstin për acarimin”. Sipas politologut amerikan, Charles Kupchan, ekspert i strategjive në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Docent në Universitetin e Georgetown, ndonëse kanë nënvlerësuar mungesën e hezitimit të Kremlinit në lidhje me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare, kryeqytetet perëndimorë deri tani kanë ditur të kalibrojnë “hapjen për dialog dhe mbrojtjen e parimeve”. Marrëveshja e arritur në Gjenevë mes Rusisë, Ukrainës, Bashkimit Europian dhe SHBA shkon në këtë drejtim.

Rritja e tepërt e toneve rrezikon të cojë në një situatë ku nuk ka më kthim pas, po si mund të shmangim që të mos shfaqemi të dobët përballë një lideri që vazhdon të shfaqet në pozicione force?

Duke ruajtur një pozicion të ndërmjetëm, që lejon pozicione të lakueshëm dhe që jep hapësirë manovrimi. Putini po përdor politikën e jashtme për të shfrytëzuar ndjenjat nacionaliste dhe për të rifituar terren brenda vendit. Forca e tij është e gënjeshtërt. Ka grumbulluar trupa në kufijtë e Ukrainës dhe, nëse do të vendoste të hynte, NATO nuk do të ndërhynte, por ngjarjet e muajve të fundit ofrojnë një kuadër aspak garantues: njeriu i tij në Kiev, Viktor Janukovic, u detyrua të largohet. Pjesa dërrmuese e Ukrainës kërkojnë shtetin e së drejtës dhe transparencë, duke imagjinuar një të ardhme sipas modelit polak, dhe aspak sipas modelit rus. Risku i një izolimi ekonomik dhe diplomatik në rast të ashpërsimit të konfliktit është konkret.

Dhe Ukraina lindore nuk është Krimea, mungojnë lidhjet historike, ndonëse janë përmendur në deklaratën e djeshme në televizion.

Përmendja e një të kaluare të Rusisë së Madhe bëhej për të vendosur një korrespondencë me faktet në Krime, por përbërja etnike e lindjes së Ukrainës është shumë më komplekse dhe cfarëdolloj forme integrimi me sistemin rus këtu, do të haste rezistencën e popullsisë lokale.

Cfarë do të thotë “ripushtim” i gadishullit në Detin e zi?

Krimea është vetëm një cmim ngushëllues. Pyetja e vërtetë që bëhet sot në Moskë është: kush e humbi të gjithë Ukrainën?

Përgjigja?

Vladimir Putini, njeriu që detyroi Kievin të zgjedhë mes Lindjes dhe Perëndimit dhe nuk deshi të dëgjojë dhe pranojë vullnetin e sheshit Maidan, duke mbetur i lidhur pas një politike të përqëndruar në kundërvënien e fuqive. Këtu qëndron dobësia e tij.

Një dallim i skemave interpretuese, theksuar disa herë nga presidenti amerikan dhe nga kancelarja gjermane, që reflektohet edhe në mungesën e një definicioni të përbashkët për situatën: krizë, paraluftë, konflikt civil…

Jemi përpara konfliktit më serioz që ka lindur mes Rusisë dhe Perëndimit që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Tani që janë vetëdijësuar për faktin që Moska e lexon ndryshe realitetin, Amerika dhe Europa dinë që duhet të qëndrojnë vigjilentë dhe të veprojnë me maturi, duke dërguar sinjale vendosmërie si për shembull paralajmërimet e Aleancës së Atlantikut dhe duke favorizuar komunikimin në të gjithë nivelet, që nga kontaktet mes Obamës dhe Putinit, deri tek bisedimet e Gjenevës.

Leave a Reply

Back to top button