Analiza

Charlottesville, ISIS dhe ne

Në një prej këtyre ditëve mund të shohësh në ata ekrane, dhe të gjesh një avion gjuajtës sirian që përgatitet të hedhë bomba pranë forcave të SHBA në Siri. Avioni sirian do të hidhet në erë në qiell nga një gjuajtës amerikan, ndërkohë që dy avionë rusë shohin nga një lartësi më e madhe dhe një avion F-22 sheh rusët që shohin avionin amerikan që sheh avionin sirian. Lajmi i mirë? ISIS është mposhtur në Irak, dhe me shumë gjasë do të mposhtet në Siri, nga amerikanët, kurdët, rusët, sirianët, iranianët dhe militantët proiranianë. Lajmi i keq? Ka një mundësi që territori i ISIS të bjerë në duar të iranianëve

Nga Thomas L. Friedman

Kam qenë në rrugë që nga ngjarja e vrasjes në Charlottesville. Po udhëtoj nëpër botën arabe dhe Afganistan, me shefin e forcave ajrore amerikane, Gjeneralin David Goldfein; shefin e tij civil, Sekretaren e Forcave Ajrore, Heather Uilson; dhe ndihmësit e tyre. Aktualisht ndodhemi në bazën gjigande ajrore Al Udeid, prej ku udhëhiqet e gjithë lufta ajrore e Amerikës kundër ISIS, në Siri, Irak, Afganistan.

Me të gjitha lajmet që vinin nga Charlottesville, ndihesha në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Pastaj hodha një sy përreth meje këtu, dhe lidhja me Charlottesville u bë e qartë. Mjafton një vështrim në grupin tonë të udhëtimit dhe ekuipazhit në bazë, dhe e kupton menjëherë pse ne jemi vendi më i fuqishëm në botë.

Nuk është sepse kemi avionë F-22. Dhe me siguri nuk është se përqafojmë supremacinë e bardhë. Eshtë sepse ne përqafojmë pluralizmin.

Unë jam një supremacist i pluralizmit.

Si mund të mos jem? Hedh sytë përreth meje dhe shoh shefin e Forcave Ajrore, i cili është me prejardhje hebreje nga Evropa Lindore, i cili i raporton një sekretareje grua të Forcave Ajrore, e cila ka qenë ndër të parat gra të diplomuara në Akademinë e Forcave Ajrore dhe ndihmësi i lartë i të cilës është një lejtnant-kolonele afro-amerikane, grua. Komandanti i bazës këtu në Katar, që mbikëqyr të gjithë luftën ajrore, është me origjinë armene dhe zëvendësi i tij kryesor është me prejardhje libaneze.

Në qendrën e kontrollit më prezantojnë me dy ushtarët amerikanë rusishtfolës, që 10 deri në 12 herë në ditë hyjnë në “linjën telefonike” lokale me postën e komandës ruse në Siri, për të siguruar që avionët rusë të mos përplasen me tanët. Një nga ushtarët ka lindur në Rusi dhe tjetri u largua nga Kievi, Ukrainë, vetëm pesë vjet më parë, pjesërisht, siç më tha vetë ai, sepse ëndërronte të hynte në Forcën Ajrore të SHBA: “Ky është vendi i shanseve”.

Pastaj marrim një njoftim nga ekipi i inovacionit luftarak, i cili po harton një algoritëm të ri për shënjestrim dinamik me kolegët në Silicon Valley. E pyes komandantin e tyre për mbiemrin – Ito – dhe ai më shpjegon: “Babai im është nga Kuba dhe nëna nga Meksika”. Informacioni i inteligjencës u dorëzua nga “Kapiteni Yang”.

Arsyeja që Amerika është fuqia supreme në këtë rajon, është se ushtria amerikane mund t’i marrë të gjithë këta njerëz të ndryshëm dhe t’i bëjë ata një grusht. Dhe arsyeja pse ne jemi të mbërthyer në këtë rajon dhe nuk mund të dalim, është se kaq shumë shtete dhe popuj këtu, po luftojnë vetëm për ëndrrat e tyre ekskluziviste të supremacisë – supremacinë shiite, supremacinë sunite, epërsinë alavite, epërsinë talebane, supremacinë e Turqisë dhe epërsinë e Persisë.

Me disa përjashtime, ata nuk mund të prodhojnë ndarje pushteti me vetë-qëndrueshmëri. Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të mposhtim më të këqinjtë e tyre, dhe ata vazhdojnë të humbasin paqen, sepse më të mirët e tyre, nuk mund ta ndajnë kurrë pushtetin aq gjatë, sa të ndërtojnë stabilitet të qëndrueshëm.

Asnjë nga ushtarakët amerikanë këtu nuk flet për politikën e SHBA. Por unë e bëj. Si qytetar, them se ata meritojnë një kryekomandant, i cili nuk ka nevojë për tri përpjekje, për të denoncuar supremacistët e bardhë të dhunshëm. Pluralizmi është burimi i vërtetë i forcës sonë, brenda dhe jashtë vendit.

Duhet të ushqehet, lartësohet dhe mbrohet nga armiqtë, kudo dhe gjithmonë.

Tani që e nxorra këtë nga gjoksi, le të flasim për strategji. Ne shëtitëm nëpër qendrën e komandës këtu, me ekrane e saj me përmasa sa muret, që marrin të dhëna nga satelitët, dronët, sensorët, inteligjenca njerëzore dhe depozitat e rifurnizimit në ajër, dhe i bashkojnë në një seri vendimet shënjestrimi strategjik. Të shohësh koreografinë e gjithë kësaj, është e frikshme dhe hipnotizuese.

Në një prej këtyre ditëve mund të shohësh në ata ekrane, dhe të gjesh një avion gjuajtës sirian që përgatitet të hedhë bomba pranë forcave të SHBA në Siri. Avioni sirian do të hidhet në erë në qiell nga një gjuajtës amerikan, ndërkohë që dy avionë rusë shohin nga një lartësi më e madhe dhe një avion F-22 sheh rusët që shohin avionin amerikan që sheh avionin sirian.

Lajmi i mirë? ISIS është mposhtur në Irak, dhe me shumë gjasë do të mposhtet në Siri, nga amerikanët, kurdët, rusët, sirianët, iranianët dhe militantët proiranianë. Lajmi i keq? Ka një mundësi që territori i ISIS të bjerë në duar të iranianëve.

Parandalimi i kësaj kërkon që bota arabo-sunite të mbledhë veten, por ajo është më e dobët dhe e përçarë se kurrë. Ne mund të mposhtim ekstremizmin e ISIS, me makinën tonë luftarake pluraliste, por një gjë që nuk mund ta krijojmë është pluralizmi sunit-shiit dhe ndarja e pushtetit për ta zëvendësuar atë. Kjo është arsye përse rikthehemi vazhdimisht – jo për të përmirësuar gjërat, por si gjithmonë, për të parandaluar që të këqinjtë të bëhen të tmerrshëm.

Do të doja të ishte ndryshe, por nuk është. Atëherë, duhet të vazhdojmë të përpiqemi? Nuk mund të vizitosh një nga këto baza të mëdha amerikane të ndërtuara pas 11 shtatorit, të shohësh përkushtimin e të rinjve dhe të rejave me uniformë, dhe sofistikimin e sistemeve që ata kanë ndërtuar, dhe të mos pyesësh: Po sikur gjithë ky talent dhe energji dhe idealizëm dhe pluralizëm të vihej në zbatim, jo për të mbajtur në këmbë një sistem të lodhur shtetëror arab kundër Iranit, por për të rregulluar lagjet më të këqia të Baltimorës, Çikagos dhe Detroitit?

Na duhet një bisedë kombëtare për këtë. / New York Times – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button