Histori

Che Guevara, legjenda e “shfryrë”

Si u shndërrua në një ikonë kaq në modë togeri i pamëshirshëm i Fidel Kastros? “Në fund, ai është një simbol i dikujt që ishte i gatshëm të hynte në luftëra me çdo kusht. Ky lloj miti është më i fuqishëm, se sa realiteti i dikujt që në jetën e tij personale ishte destruktiv, aspak dashamirës, dhe që la pas gjithë të tjerët, për arsye se ishte i përkushtuar për këtë gjë. Eshtë revolucion pa kontekst moral”

Screen Shot 2015-07-28 at 10.53.22

David Gonzalez

Ernesto “Che” Guevara ka dhjetëra vite që ka vdekur, por fytyra e tij është kudo. Një imazh ikonë e guerilasve me bereta, që ndihmoi Fidel Kastron të marë pushtetin në Kubë në vitin 1959, ai është bërë si një simbol provokativ i rezistencës, ashtu edhe një ikonë e modës: që nga banderola në mitingje protestash përreth botës, bluza, shami për shitje nëpër dyqane dhuratash e nëpër faqe interneti. Në fakt, portreti klasik i Che mendohet nga ekspertë të medias që të jetë fotografia më e riprodhuar në botë.

“Unë e kam bërë idhull për sa kohë që më ndihmon të ndërtoj vetveten”, thot Tania Gonzalez, një 17 vjeçare në Akademinë e Paqes dhe Drejtësisë “El Puente”. Ajo ka dhënë një dorë për ndërtimin e një afresku me fytyrën e revolucionarit argjentinas. “Kur kemi studiuar historinë e Kubës, në fokus të gjithçkaje ishte se si Che Guevara kishte ndihmuar për një Kubë të lirë”.

Por për ata që kanë jetuar në fakt nën sundimin diktatorial të Fidel Kastros si dhe kanë luftuar për të mbijetuar në ekonominë që mezi mbahej në këmbë të Kubës – përfshirë miliona kubanë që u arratisën në drejtim të SHBA – Che dhe revolucioni kuban bënë çdo gjë, përveçse të çlirojnë popullin e ishullit. Larg të qënit një luftëtar romantik, thonë historianët, Che ishte një revolucionar shumë i zellshëm, i cili drejtonte ekzekutimet dhe që dha një dorë për të futur Kubën në një shteg shkatërrimtar ekonomik dhe social. Ai vetë u ekzekutua në xhunglat boliviane, ndërkohë që udhëhiqte një ekspeditë të destinuar të dështonte, qëllimi i së cilës ishte të nxiste një revoltë popullore.

“Mendoj se mitologjia e Che Guevarës është e lidhur me disa ide të çuditshme që njerëzit kanë për Amerikën Latine”, thotë Pol Berman, një shkrimtar dhe studiues në Universitetin e Nju Jorkut. “Mendojnë që, kubanët nuk e kanë shumë problem mungesën e të drejtave të njeriut, për arsye se ata janë vetëmohues dhe luftojnë për drejtësi. Domethënë, e çfarë se kanë qenë drejtuar nga një diktator që nga viti 1959?”

Varianti popullor i Che u ndez edhe më shumë në vitet e fundit nga Ditarët e Motorçikletës, një film i bazuar në rrëfimin e Che Guevarës për një udhëtim që ai dhe një miku i tij kishin zhvilluar nëpër Amerikën latine në të njëzetat, aty ku kishin parë varfërinë që mbretëronte në shumë vende. Në film, Che portretizohet si një rebel i ndjeshëm, që ngrihej dhe luftonte për të varfërit dhe të dobëtit.

I lindur në një familje të pasur në Argjentinë, Che kish qenë një fëmijë i sëmurë, që vuante nga astma. Më pas, ai studioi mjekësi, shkollë që e la kur u nis për udhëtimin me motorçikletë, i cili i zgjoi instiktet politike. Në atë kohë, për të mos lejuar vendosjen e komunizmit në Amerikën Latine, SHBA ndihmoi për instalimin e shumë qeverive mike dhe ndërmori veprime kundër qeverive të majta dhe lëvizjeve të rebelëve – shpesh herë në fshehtësi, përmes CIA-s. Che u zemëra veçanërisht nga një grusht shteti i mbështetur nga CIA, që rrëzoi presidentin e Guatemalës në vitin 1954. Che jetonte në Meksikë dhe punonte si doktor në një spital në vitin 1955, kur disa mërgimtarë kubanë e prezantuan me Kastron, i cili po planifikonte një pushtim me armë të Kubës, për të rrëzuar regjimin e Fulgensio Batistës. U bashkua me rebelët kubanë kur ata zbritën në bregun lindor të Kubës për të nisur pushtimin në vitin 1956, duke sulmuar forcat qeveritare nga kampet në male. Sipas studiuesve të revolucionit, Che nuk u tërhoq nga dhuna – thuhet se ai ekzekutoi një djalë të ri që kish vjedhur ushqime nga guerilasit. Ndonëse nuk ishte kuban, ai pati besimin e Kastros, duke drejtuar sulmin në qytetin e Santa Klarës në dhjetor 1958, në një prej fitoreve të fundit të rebelëve, që e detyruan Batistën të largohet.

Pasi Kastro erdhi në pushtet në vitin 1959, Che mbikëqyrte burgun La Cabana në Havanë, ku u ekzekutuan qindra ushtarë, oficerë e të ashtuquajtur “armiq të revolucionit”, shpesh herë pa gjyqe. Thuhet se në disa raste ekzekutimet Che i kryente me dorën e tij – duke përfshirë, sipas historianëve, vrasjen e një adoleshenti, pasi djaloshi protestoi për vrasjen e të atit.
Maria Velau, krijuese e Arkivit të Kubës, që grumbullon të dhëna për revolucionin kuban, thotë se Che kish patur rol në më shumë se 200 ekzekutime. Kastro e emëroi gjithashtu Che Guevarën në poste kyçe qeveritarë, si në sektorin e bankave dhe industri, dhe sipas shumë të dhënave, rezultatet ishin katastrofikë. Nën drejtimin e Che, qeveria shtetëzoi industri të tëra dhe shpronësoi biznese të vegjël dhe banesa. Ekonomia e Kubës u fundos, dhe për dekada të tëra mundi të mbahet në këmbë prej subvencioneve masivë, që ofronte Bashkimi Sovjetik.

Në mesin e viteve ’60, zyrtarët sovjetkë u druajtën se Che ishte shumë i etur për të mbështetur kryengritje të armatosura në të gjithë Amerikën latine – pavarësisht pasojave politike – dhe se ai mund të ishte duke favorizuar edhe Kinën komuniste, një rival sovjetik. Ai u bë një pengesë për Kastron, i cili e mënjanoi. Kastro e dërgoi në Afrikë për të ndihmuar kryengritjen në Kongo, dhe më vonë në Bolivi, ku ai udhëhoqi një grup të vogël rebelësh komunistë, por dështoi të afrojë fshatarët në kauzën e tij. Në vend të kësaj, ai u tradhëtua nga një vizitor në vendin ku fshihej në xhungël, dhe u pikas nga ushtarë bolivianë dhe agjentë të CIA-s, në 8 tetor 1967. Ndonëse u tha atyre që e kapën, se ishte më i vlefshëm për ta i gjallë, Che u ekzekutua nga bolivianët mëngjesin tjetër. Megjithatë pas vdekjes, ai nisi të simbolizojë rebelimin që përfshiu botën në vitet gjashtëdhjetë. Po shihej si një martir që dha jetën e tij me qëllimin që të tjerët të gëzojnë një botë më të drejtë.

Sot në Kubë, ka festa zyrtare në nder të tij. Cdo mëngjes, fëmijët e shkollave betohen se “si pionierë të komunizmit, ne do të bëhemi si Che”. Jashtë Kubës, popullariteti i imazhit të Che është më shumë ai i një fenomeni të kulturës pop, se sa një politik, gjë që zemëron kubano-amerikanët, të afërmit e të cilëve kanë vdekur apo detyruar të mërgojnë, dhe të mos jetojnë nën Kastron. Imazhi i revolucionarit idealist është vetëm një mit, thonë ata.

Xho Garsia, ish drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kombëtar Kubano- Amerikan, organizata më e madhe kubane në mërgim, me qendër në Majemi thotë: “Në fund, ai është një simbol i dikujt që ishte i gatshëm të hynte në luftëra me çdo kusht. Ky lloj miti është më i fuqishëm, se sa realiteti i dikujt që në jetën e tij personale ishte destruktiv, aspak dashamirës, dhe që la pas gjithë të tjerët për arsye se ishte i përkushtuar për këtë gjë. Eshtë revolucion pa kontekst moral”.

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button