Bota

Cilat janë shpresat e Moskës në rast të një Grexit?

Screen Shot 2015-07-05 at 00.02.54Për mediet ruse, dalja e Greqisë nga Eurozona duket gjë e vendosur. Qeveria ruse ka ritheksuar se ajo nuk do t’i japë para Athinës. Ajo ndjek interesat e veta

Christian F. Trippe

Ka javë që qeveria greke kërkon mbështetje nga Moska. Vetëm pak ditë më parë kryeministri Aleksis Cipras deklaroi në një forum ekonomik në Shën Petersburg pa e zgjatur se vendi i tij nuk është i varur nga BE, për më tepër ai bën përpjekje për të ndjekur një politikë të jashtme “multivektorale”, që do të thotë se ai kërkon aleanca të ndryshme. Midis dëgjuesve të tij ishte edhe Presidenti rus. Vladimir Putini do ta ketë dëgjuar me dëshirë këtë, sepse ky koncept është i ngjashëm me përfytyrimet e Kremlinit për një botë “multipolare”.

“Qeveria ruse bashkohet në një pikë të përbashkët me Ciprasin dhe me Partinë Syriza: në retorikën e saj antiperëndimore, para së gjithash antiamerikane”, i deklaron DW Aleksandër Baunov nga zyra e Moskës e Fondacionit Carnegie. Por me kaq marrin fund thuajse të gjitha përbashkësitë. Sepse Presidenti rus e kupton shumë mirë se ai nuk është në gjendje t’i çlirojë rusët nga borxhet e tyre. Veç kësaj, “Greqia është shumë e vogël për të ndikuar vendime me të vërtetë të rëndësishme në BE, për shembull në rastin e sanksioneve kundër Rusisë”.

Gëzimi malinj i Putinit

Por që Greqia fut prej muajsh shkopinj në motorët e BE, kjo duhet t’i vijë për hosh Putinit. Mediet ruse supozojnë se Putini e vëzhgon dramën ruse të borxheve me njëfarë gëzimi malinj. Herë pas here shtrohet edhe pyetja, si do të sillet Greqia në të ardhmen në NATO. A mund ta luante Greqia brenda aleancës perëndimore të mbrojtjes kartën greke? Shkas për spekulime të tilla ofroi jo së fundi qeveria greke vetë: në mars Kremlini organizoi një kongres të politikës së sigurisë në Moskë. Motoja e shumicës së oratorëve ishte rreptësisht antiperëndimore; NATO-ja u pa atje si kërcënim, të paktën për Rusinë, nëse jo për paqen botërore. Ministri grek i Mbrojtjes Panos Kammenos ishte i ftuar zyrtar në kongres – ministri i vetëm ndër vendet anëtare të NATO-s.

Qarqe patriotike në Rusi përbetohen herë pas here për afërinë emocionale, kulturore dhe ideore të të dyja kombeve ortodokse. “Ne nderojmë të njëjtat ikona. Askush nuk është më e afërt historikisht me ne se Rusia”, u shpreh një greke, që jeton prej kohësh në Moskë.

Ndryshimi i krahut – me pak gjasa

Politikisht, nacionalistët e Rusisë dhe ultrapatriotët koketojnë me idenë se Greqia mund të bashkohet me “Bashkimin Euroaziatik” të drejtuar nga Moska, e që është në njëfarë mënyre një projekt konkurent i BE. Por udhëheqjet e të dyja vendeve nuk kanë ndërmarrë deri tani thuajse asgjë, që mund të shkonte qoftë edhe si tendencë në këtë drejtim. Një ndryshim i krahut të Greqisë për ekspertët është thuajse i përjashtuar, edhe nëse grekët do të dilnin fare nga BE.

Nëse grekët të dielën u thonë “jo” kërkesave për kursime të BE, atëherë do të kemi një zhvendosje me efekt në plan afatgjatë, mendon Kyrill Koktish, profesor për shkencat politike në shkollën moskovite të diplomacisë MGIMO. DW Koktish i tha: “Politikisht kjo do të thoshte: Brukseli nuk mund t’i përfaqësojë të gjitha vlerat evropiane. Ekzistenca e këtyre vlerave tani është në diskutim”.

Shans për investorët

Nga ana ekonomike, një dalje e Greqisë nga Eurozona do të sillte për Rusinë në radhë të parë përparësi. “Investorët rusë e presin momentin e paaftësisë për të paguar të Greqisë”, konstatoi qetë Radio Vesti-FM dhe përshkroi me këtë atmosferën e gëzuar e të ethshme, që duket se ka përfshirë qarqet ruse të investorëve. Nëse Greqia del fare nga BE, atëherë do të eleminoheshin një sërë rregullash dhe përcaktimesh të BE, të cilat bezdisin pikërisht biznesmenët rusë.

Jo më larg se në mes të qershorit koncerni Gazprom dhe qeveria e Athinës ranë dakord në një memorandum, që ta çojnë deri në Greqi tubacionin e furnizimit me gaz Turkish-Stream-Pipeline. Për këtë Gazpromi do të investojë vitet e ardhshme rreth dy miliardë dollarë – duke e siguruar në plan afatgjatë ndikimin rus në Athinë, sido që të përfundojë referendumi të dielën.

DW

Leave a Reply

Back to top button