Koreja e Veriut pretendoi se një shpërthim bërthamor të dielën ishte një hap i madh përpara, krahasuar me pesë testet e mëparshme, pasi kishte shpërthyer me sukses një bombë me hidrogjen. Por disa ekspertë dyshojnë se Veriu mund të ketë testuar një bombë atomike “të fuqizuar”. Ku ndryshon një bombë me hidrogjen nga një bombë atomike? Dhe pse do të kishte rëndësi për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre? Ja se çfarë thonë ekspertët.
Si funksionojnë armët bërthamore?
Armët bërthamore shkaktojnë një reaksion shpërthyes që shkrin energjinë destruktive të mbyllur brenda materialeve atomike të bombës. Armët e para atomike, si ato të hedhura nga Shtetet e Bashkuara në qytetet japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit në Luftën e Dytë Botërore, e bënë atë me zbërthim – ndarjen e atomeve të paqëndrueshme të uraniumit ose plutoniumit, në mënyrë që neutronet e tyre subatomike të fluturonin lirshëm, të shkatërronin më shumë atome dhe të krijonin një shpërthim shkatërrimtar.
Ku ndryshon një bombë me hidrogjen?
Një bombë me hidrogjen, e quajtur edhe një bombë termonukleare ose bomba-H, përdor një fazë të dytë të reaksioneve për të zmadhuar forcën e një shpërthimi atomik. Kjo fazë është bashkimi – grumbullimi i atomeve të hidrogjenit, sipas të njëjtit proces që funksionon edhe Dielli. Kur këto atome relativisht të lehta bashkohen, ata lëshojnë neutrone në një valë energjie shkatërruese.
Një armë me hidrogjen përdor një shpërthim fillestar përmes zbërthimit të atomit, për të krijuar një impuls të jashtëzakonshëm që shtyp dhe bashkon sasi të vogla deuteriumi dhe tritiumi, që janë lloje të hidrogjenit, pranë qendrës së bombës. Neutronet e çliruara mund të fuqizojnë reagimin zinxhir shpërthyes, të një shtrese uraniumi që është mbështjellë rreth saj, duke krijuar një shpërthim shumë më shkatërrimtar sesa vetëm zbërthimi i uraniumit.
Shtetet e Bashkuara testuan një bombë hidrogjeni në Bikini Atoll në vitin 1954, e cila ishte më shumë se 1000 herë më e fuqishme se bomba atomike e hedhur në Hiroshima në vitin 1945. Britania, Kina, Franca dhe Rusia kanë krijuar gjithashtu bomba hidrogjeni.
Çfarë nënkupton një test i suksesshëm hidrogjeni?
Koreja e Veriut pretendoi se kreu me sukses një test të bombës-H në janar 2016, por ekspertët ishin skeptikë. Një test i suksesshëm kësaj radhe do të tregonte se programi bërthamor i Veriut është bërë më i sofistikuar dhe se vendi është më afër krijimit të një arme bërthamore, që mund të futet në një raketë me rreze të gjatë veprimi, e cila mund të godasë Shtetet e Bashkuara. Shpërthimi nëntokësor, i cili shkaktoi lëkundje sizmike në Korenë e Jugut dhe Kinë, ishte i pari nga Veriu që tejkalonte fuqinë shkatërruese të bombave të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki. Nëse Veriu ka aftësinë për të ndërtuar një bombë me hidrogjen, kjo mund t’i hapë rrugën prodhimit të kokave me mbushje, me energji shumë më shkatërruesee, në një hapësirë më të vogël.
Për çfarë do të shohin ekspertët?
Analistët që këshillojnë qeveritë për armët bërthamore do të studiojnë valët e goditjeve nga shpërthimi i matur prej stacioneve të monitorimit. Ata gjithashtu do të kërkojnë të dhëna nga gjurmët e gazrave bërthamore që mund të lëshohen në atmosferë. Këto gjurmë mund të tregojnë nëse ky test ishte me të vërtetë një bombë me hidrogjen, ose ndoshta diçka më e vogël. Por mund të duhen disa javë që gazrat të rrjedhin dhe të zbulohen. / NYT – Bota.al