Horizonti.al

Cili është numri minimal i organeve që i nevojiten trupit të njeriut?

Trupi i njeriut përmban 78 organe. Të paktën, kjo është shifra më e pranuar gjerësisht. Por ne e dimë se jo të gjitha janë absolutisht të nevojshme. Për shembull, shumë vetë vazhdojnë të pyesin se për çfarë shërben apendisiti, sidomos kur disa studime kanë sugjeruar se mund të jeni më mirë pa të. Atëherë, cili është numri minimal absolut i organeve që i nevojiten trupit? Cilat pjesë mund t’i heqim pa frikë, dhe cilat mund t’i humbasim me pak ndërhyrje mjekësore?

Apendisiti

Tek shumica e njerëzve, apendisiti është një rrip i vogël indi që qëndron në fund të zorrës, duke u kujdesur për mirëqenien e vet dhe duke mos bërë ndonjë gjë të madhe për funksionimin e trupit në përgjithësi. Por nëse ai pëson inflamacion, mund të shkaktojë shumë shpejt një urgjencë shëndetësore.

Ky është një problem i zakonshëm, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë. Shkaqet për këtë nuk janë kuptuar mirë, ndaj nuk ka asnjë mënyrë për ta parandaluar atë. Fatmirësisht, apendisiti përket kategorisë së organeve që kemi luksin t’i humbasim, prandaj trajtimi më i zakonshëm për të është thjeshtë heqja e tij.

Bajamet

Bajamet dhe adenoidet – një zonë e lidhur e indeve në pjesën e pasme të hundës – mund të shkaktojnë ndonjëherë probleme me frymëmarrjen gjatë gjumit. Mjekët në disa raste rekomandojnë heqjen e tyre, më shpesh tek fëmijët. Bajamet luajnë një rol në sistemin imunitar. Heqja e bajameve nuk e zgjidh gjithmonë problemin e infeksioneve kronike të fytit. Ndaj ka ende debate nëse kjo ndërhyrje është apo jo një opsion i mirë për fëmijët.

Veshkat dhe mëlçia

Një pjesë e mëlçisë – lobi i majtë tek fëmijët dhe lobi i djathtë tek të rriturit – përfshihet në të të njëjtën kategori si veshka. Ju mund t’i dhuroni këto organe dikujt tjetër dhe të vazhdoni të jetoni normalisht. Në Britani, gati 30 për qind e transplanteve të veshkave janë nga donatorë të gjallë, krahasuar me rreth 3 për qind të transplanteve të mëlçisë.

Fshikëza e tëmthit

Ajo ka një funksion: është një organ që ruan biliaren, lëndën për të cilën mëlçia juaj ka nevojë që të punojë. Por sistemi tretës mund të funksionojë edhe pa të. Gurët në tëmth dhe problemet që shkaktojnë ato mund të jenë shumë të dhimbshëm. Ndaj shpeshherë rekomandohet heqja e plotë e këtij organi.

Organet riprodhuese

Ndërsa është padyshim e mundur të mbijetosh pa organet riprodhuese mashkullore apo femërore, efektet e heqjes së tyre ndryshojnë. Për shembull, një grua që nuk dëshiron të ketë fëmijë biologjikë, ose më shumë sesa ka tashmë, mund t’i hiqet uterusi (mitra) pa ndonjë efekt të dukshëm. Mbajtja e të paktën një vezoreje, nënkupton vazhdimin e ciklit normal hormonal edhe pse menstruacionet do të ndalen. Por heqja e të dy vezoreve do ta futë një grua në menopauzë të menjëhershme.

Tek meshkujt, testikujt mund të hiqen në mënyrë kirurgjikale me një procedurë të quajtur orkidektomi. Nëse duhet të hiqet vetëm një nga testikujt, si për shembull në rastin e kancerit në to, nuk cënohet funksioni seksual dhe fertiliteti. Pra, kjo varet vërtet nga rrethanat individuale.

Mushkëritë

Është e vërtetë që ashtu si me veshkat, njeriu mund të jetojë pa njërën nga mushkëritë. Dhe një ndër shembujt më të famshëm së fundmi është Papa Françesku. Por ndërsa një veshkë mund të bëjë punën e të dyjave njerëzit që kanë hequr njërën nga mushkërië, mund të presin të rifitojnë 70 për qind të funksionit të tyre të mëparshëm. Kjo nënkupton se mund të mos jesh në gjendje të ushtrohesh fizikisht si më parë, dhe se në përgjithësi duhet t’i merrni gjërat pak më ngadalë.

Shpretka

Një nga rolet kryesore të këtij organi është të mbrojë sistemin imunitar. Ndaj heqja e saj e bën dikë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve serioze. Prandaj njerëzit rekomandohen të marrin antibiotikë për periudha të gjata kohore, të vaksinohen rregullisht, të kenë kujdes nga pickimi i rriqrave dhe burimet e tjera të sëmundjes.

Pankreasi

Ndërsa teknikisht mund të mbijetoni pa të, pasojat e heqjes së pankreasit mund të ndryshojnë jetën. Mund të kryhet një pankreatektomi e pjesshme ose totale, përgjithësisht në një përpjekje për të trajtuar kancerin e pankreasit ose sëmundje të tjera të rënda të pankreasit.

Për shkak se pankreasi është vendi ku prodhohet insulina, heqja e tij e menjëhershme shkakton diabetin. Pacientët duhet të injektojnë insulinë për pjesën tjetër të jetës së tyre, si dhe të marrin enzima tretëse zëvendësuese që trupi i tyre nuk është më në gjendje t’i prodhojë pa pankreas. Do të nevojiten ndryshime thelbësore në stilin e jetës, por me këto është e mundur të mbijetoni edhe pas heqjes së këtij organi.

Zorrët dhe fshikëza

Zorra e trashë, zorra e hollë ose fshikëza e urinës, mund të hiqen plotësisht ose pjesërisht për të trajtuar kushte të tilla si sëmundja inflamatore e zorrëve ose kanceri. Lloji i saktë i operacionit varet nga ajo se cilat pjesë të organeve janë prekur dhe disa nga këto operacione mund të kërkojnë krijimin e një stome.

Pra vendosjen e një hapësire në bark që i lejon mbetjet nga sistemi tretës të kalojnë në një qese të veçantë. Këto mund të jenë ose të përkohshme ose të përhershme, dhe i japin mundësinë njerëzve të jetojnë pa pjesë të mëdha të organeve të tyre të tretjes.

Stomaku

Kjo mund t’ju habisë, por është e mundur të jetohet edhe pa të. Në përgjithësi, heqja e plotë e stomakut përdoret për të trajtuar kancerin. Njerëzit që u është hequr stomaku duhet të bëjnë ndryshime në dietën e tyre, si për shembull të hanë ushqime të ndryshme dhe vakte më të vogla dhe më të shpeshta. Mund të nevojiten suplemente vitaminash, sidomos vitamina B12 pasi është e vështirë që trupi t’i përthithë ato pa stomak. / iflscience – bota.al

Back to top button