HistoriHorizonti.al

Cili është simboli më i përdorur në flamujt kombëtarë?

Është me siguri ylli, simboli i parë në flamujt kombëtarë. Ai është i pranishëm në rreth një të tretën e flamujve të vendeve të njohura nga Kombet e Bashkuara (61 nga 198 vendeve). Ndër të tjera, ai shfaqet në flamujt e Shteteve të Bashkuara, Kubës, Kinës, Turqisë, Kilit, Venezuelës, Izraelit, Marokut, Kamerunit, Australisë dhe Bashkimit Evropian.

Por kujdes:Ky simbol me 5 cepa, ka domethënie të ndryshme në varësi të flamujve. Nëse të themi 50 yjet në flamurin e SHBA-së, përfaqësojnë secilin nga shtetet që e përbëjnë atë, ata në flamurin kinez simbolizojnë 4 klasat shoqërore dhe ylli më i madh, Partinë Komuniste Kineze.

Klasifikimi

Vendi i dytë i simboleve më të përdorura, zihet nga mburojat mbretërore, të cilat shfaqen në 27 flamuj, duke përfshirë atë të Spanjës. Pastaj vijnë kryqet, të pranishëm në flamujt e 18 kombeve si Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Islanda, Greqia dhe Malta.

Kryqi, shfaqet gjithashtu në flamurin danez, që konsiderohet si flamuri më i vjetër kombëtar. Vendin e katërt e zë dielli, simbol që shfaqet në 16 flamuj kombëtare, si për shembull në atë të Japonisë dhe Argjentinës.

Ndërkohë Hëna zbukuron emblemat e 14 vendeve, zakonisht myslimane si Turqia, Algjeria, Libia, Pakistani dhe Tunizi. Po nga ngjyrat? Më e përdorura është ajo e kuqe, e cila përfaqëson fuqinë ose gjakun e të rënëve në luftë, ose në rastin italian, është trashëgimi së bashku me të bardhën e stemës së lashtë të Komunës së Milanos. Më pas e ndjek ngjyra e kaltër, që evokon qiellin dhe detin; e bardha, shenjë e paqes dhe pastërtisë; e gjelbra, imazhi i Tokës por edhe i fesë Islame; dhe e verdha, metaforë e diellit ose arit.

Simbolet

Në fakt jo vetëm yjet, por të gjitha simbolet nëpër flamuj, kanë origjina dhe histori të ndryshme. Për shembull, flamuri francez përbëhet nga 3 fasha vertikale:blu, e bardhë dhe e kuqe. Ato ishin ngjyrat që vishte dikur milicia mbretërore, në ditët që i parapriu revolucionit francez (bluja dhe e kuqja, rrjedhin nga ngjyrat e lashta të Parisit).

Flamuri japonez, i njohur ndryshe si Nishoki, është një drejtkëndësh i bardhë me një disk të kuq në mes, që përfaqëson perëndeshën e diellit Amaterasu, themeluesja e Japonisë dhe simboli i një të ardhme të ndritshme.

Një prej flamujve më simbolikë është ai i Brazilit: i përdorur për herë të parë më 15 nëntor 1889. Ai ka një ngjyrë të gjelbër të shndritshme, që përfaqëson pyjet e harlisura të Brazilit, dhe ka në qendër një diamant të verdhë, dhe një glob ngjyrë blu, që përfaqëson pasuritë minerale të Brazilit.

Flamujt gati identikë

Ka edhe flamuj shumë të ngjashëm mes tyre, por që kanë një origjinë të ndryshme. Për shembull flamuri meksikan ka ngjyra të njëjta me ato të Italisë, dhe ndryshon nga kjo e fundit vetëm nga një stemë në mes. Në realitet, e gjelbra në flamurin italian është më e qartë, dhe formati i flamurit kombëtar është gjithashtu i ndryshëm. Sigurisht, kuptimet janë të ndryshme:në flamurin meksikan, ngjyra jeshile nënkupton shpresën, ngjyra e bardhë përfaqëson paqen, dhe e kuqja përfaqëson guximin dhe forcën.

“Focus” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button