ShkenceSpeciale

Cili është vendi ynë në këtë Botë?

Historia e species sonë zbulon shumë nga natyra njerëzore. Flet një studiues i madh, Ian Tattersall

Screen Shot 2015-06-22 at 10.35.15

Paleoantropologjia nuk merret vetëm me ekzaminimin e kockave fosile e shenjave të njeriut në të shkuarën. Përmes studimeve të gjata që të kujtojnë hetimet policeske, ia del të bashkojë mijëra prova rastësore për të rindërtuar historinë e llojit tonë, evolucionin e tij dhe shkaqet që kanë çuar një majmun antropomorf, të dominojë të gjithë planetin. Njëri nga studiuesit më të afirmuar në këtë fushë, Ian Tattersal, nga viti 1971 deri në vitin 2010 ka qënë përgjegjës i Sektorit  të antropologjisë në Muzeun amerikan të historisë natyrale, në New York, në të cilin është sot Kurator i Merituar.

Çfarë është specia Homo Sapiens, krahasuar me format e tjera të jetës së kafshëve e bimëve që popullojnë planetin Tokë?

Homo Sapiens ka një vend përsosmërisht të rehatshëm në brendësi të Pemës së Madhe të jetës, së bashku me të gjithë milionat e llojeve të gjallesave që popullojnë dhe kanë populluar planetin. Nëse dëshirojmë ta shohim në terma të klasifikimit, që është metoda e përdorur nga zoologët për të “sistemuar” çdo specie në një kuadër të përgjithshëm, dhe ta vendosim në marrëdhënie me të tjerat, njeriu mund të shikohet (duke u ngjitur në kategoritë e ndryshme të klasifikimit, nga më e ngushta, tek më e gjëra) si një hominoid, pra një vertebror (së bashku me zvarranikët, amfibët, zogjtë e qiellit, peshqit dhe gjitarët e tjerë), pastaj një specie me bisht, një kafshë dhe një organizëm gjallues. Në këtë mënyrë ia dalim të vendosim marrdhëniet dhe përafrimet (ose largësitë) me pjesën tjetër të botës së gjallë.

Pra, nga këndvështirmi i zoologut dhe i studiuesit, nuk ekzistojnë “kapërcime” të mëdha midis nesh dhe pjesës tjetër të mbretërisë së kafshëve?

Njerëzit kanë patur gjithmonë perceptimin e thellë të të qënurit shumë të ndryshëm nga pjesa tjetër e natyrës, por nga pikëvështrimi i strukturës dhe trashëgimisë gjenetike, nuk jemi aspak shumë të largët nga të afërmit tanë më të afërt, majmunët antropomorfë aktualë.

Ndajmë në fakt rreth 98% të ADN-së me shimpanzetë dhe bonobotë, dy specie që jetojnë në Afrikë, dhe pak më pak me një gorillë apo një orangutang. Ka megjithatë një ndryshim të madh midis nesh dhe majmunëve të tjerë, dhe kjo është në “metodat” që përdorim për të menaxhuar në trurin tonë, informacionet mbi ambientin. Është kjo që na dallon, si nga majmunët antropomorfë, si nga speciet e tjera. Ndryshimet, pra, janë në nivelin e ndërgjegjes. E cila nuk është pak, të themi të vërtetën, por nuk është ajo që mendohej deri disa kohë më parë, pra që ndoshta ka ndryshime substanciale midis nesh dhe të gjitha kafshëve të tjera. Fakti i rëndësishëm është që ndërgjegja jonë simbolike, është cilësisht unike, në krahasim me atë të kafshëve të tjera, edhe me ato shumë të ngjashme me ne. E njëjta gjë nuk mund të thuhet, për shembull, për kompleksitetin social, që është thjeshtë më i ndërlikuar, por nga ana sasiore, jo i ndryshëm nga ajo që shohim tek speciet e afërta me ne.

Në librin e vet “The Human Odyssey”, ju pohoni se: “Fakti që kemi ADN-në të përbashkët [me të gjitha format e tjera të jetës], është prova më e qartë e preardhjes së përbashkët të të gjitha formave të jetës”. A mos është për këtë arsye, që biologët e konsiderojnë specien tonë, “një nga të shumtat”?

Kemi parë tashmë, se sa ADN ndajmë me majmunë të tjerë antropomorfë, por vetë ADN-ja është një demonstrim i jashtëzakonshëm, që edhe projekti i përgjithshëm mbi të cilin bazohemi ne dhe speciet e tjera është i njëjtë, me pak modifikime të vogla. Edhe sepse janë të ngjashme midis specieve të ndryshme, të njëjtat udhëzime gjenetike bazë për të ndërtuar trupin, dhe jo vetëm alfabetin e jetës.

Disa evolucionistë kanë pohuar se prania jonë mbi planet, ka qënë edhe një çështje e pastër fati. Çfarë mendoni?

Në një kuptim të caktuar, mund të thuhet se kemi qënë me fat. Historia evolutive e species tonë dhe ajo e atyre që e kanë paraprirë, në fakt, ka qënë thellësisht e kushtëzuar nga ngjarje të jashtme, që mund të jenë konsideruar rastësore, nëse i vëzhgojmë nga këndvështrimi i vetë specieve. Për shembull, modifikimi i mjedisit në Afrikën Qëndrore, që e ka reduktuar zgjerimin e pyjeve të dendura (më parë) dhe të savaneve me pemë (më pas), në të cilat banonin speciet e para që njohim nga grupi ynë i kafshëve: australopiteku dhe të tjerë që i kanë paraprirë. Ose ngritja dhe ulja e nivelit të detit, që kanë lejuar zhvendosjen e disa fiseve jashtë Afrikës, duke ndjekur rrugë të ndryshme, sipas momentit. Sipas versionit modern të teorisë së evolucionit, mund të themi se në procesin që ka prodhuar specien tonë, nuk ka patur asgjë të paravendosur. Nuk ekziston kështu një “linjë” preçize dhe e paracaktuar, që ka shpënë në specien Homo Sapiens.

Mund të themi me siguri se cila specie ka qënë “parardhësja jonë e drejtpërdrejtë”?

Homo Sapiensi u shfaq në Afrikë rreth 200.000 vite më parë. Tani për tani nuk kemi fosile që mund t’i përcaktojmë me siguri parardhësit tanë të drejtpërdrejtë, edhe nëse njohim shumë “të afërm” tanë, si njeriu i Neandertalit, ose shumë specie të tjera që kanë jetuar në Afrikë dhe në Azi.

Dihet cilët kanë qenë shtysat evolutive, që kanë transformuar specie të cilat jetonin thelbësisht në pemë të tjera, e që kanë filluar të frekuentojnë savanën afrikane dhe në fund, praktikisht të gjitha ambientet e botës?

Jo nuk e dimë se cilat kanë qënë shkaqet që kanë shtyrë paraardhësit tanë, që jetonin mbi pem,ë të zhvendoseshin në zona më pak të mbuluara, nga savana me pemë deri tek lëndina e hapur. Është megjithatë e mundur që midis pasojave të këtij ndryshimi të mjedisit, të ketë qënë një shfrytëzim më i madh i proteinave shtazore, me të gjitha pasojat që i kanë sjellë trupit tonë dhe strukturës tonë sociale.

A ka një moment që mund të jetë i përcaktuar si një pikë kthese në ecurinë, e cila na solli deri tek  specia jonë?

Nuk ka momente speciale: në kuptimin që, nëse përjashtojmë ato gjëra që kanë ndodhur në të shkuarën tonë, nga ndryshimet klimatike, tek shpërthimet vullkanike, nga mutacionet tek sigurimi i burimeve të reja të ushqimit, ne nuk do ishim bërë krijesat që jemi sot. Nëse më duhet të bëj një gjykim subjektiv, i cili megjithatë mund të ndryshojë nga ai i kolegëve të mi, unë do të preferoja të thoja, që ka qënë themelor përfitimi i ndërgjegjes simbolike, që është kapaciteti për të trajtuar simbolet.

Përse, sipas jush, gjuha është një karakteristike vetëm njerëzore?

Shumë specie kanë një sistem komunikimi shumë kompleks (të bazuar mbi gjestet ose mbi aromat); edhe midis majmunëve të mëdhenj, mes të cilëve janë identifikuar një shumëllojshmëri e madhe e zërave të lëshuar në momente të ndryshme, ulërimat dukeshin se ishin të gjitha shprehje të gjendjeve emocionale. Vetëm ne ia kemi dalë të ndajmë tingujt nga emocionet, dhe t’i përdorim nga ana tjetër për të shprehur simbole të cilat i formojmë në trurin tonë. Duhet të them gjithashtu që njëra nga gjërat që kërkoj ta shpjegoj në librat e mi është që, siç e kemi parë tashmë, evolucioni nuk është një proçes i orientuar drejt një qëllimi, ose një rezultati të parafiksuar. Ka miliona mënyra për të bërë diçka në një mënyrë komplekse, dhe rruga që ka sjellë të jemi ata që jemi, është vetëm njëra prej tyre. Për këtë arsye, nuk e shoh rrugën e evolucionit njerëzor si diçka që të çon domosdoshmërisht tek gjuha. Nëse do të na duhej të çonim pas orën evolutive dhe të rikrijonim procesin, nuk është e qartë nëse do shihnim të shfaqej një Homo Sapiens i aftë të flasë.

Çfarë mendoni për idenë që Homo Sapiensi, sipas një këndvështrimi të caktuar, është një mozaik gjenesh që vijnë nga specie të ndryshme?

Trupat tanë sigurisht bujtin njëshumëllojshmëri të jashtëzakonshme mikro-organizmash, pa të cilat “ekonomia” e brendshme e trupit tonë nuk do të funksiononte. E kështu, është llogaritur që pjesa më e madhe e ADN-së së trupit njerëzor nuk është pikërisht e jona. Por kjo në realitet, ndodh në çdo organizëm kompleks, jo vetëm në specien tonë.

Juve jeni shprehur në disa raste, se si specie njeriu ka ndaluar të zhvillohet. Evolucionistë të tjerë nuk janë dakort me ju dhe besojnë, që procesi i evolucionit, nuk ka “hedhur poshtë ndikimin” asnjëherë, edhe në specien tonë. Mund të shpjegoni më mirë pozicionin tuaj?

Sigurisht. Sipas meje, nuk ka kushte për një evolucion të mëtejshëm të species njerëzore. Kjo për arsye që për të patur të reja evolutive që mbeten në popullsi, janë të nevojshme popullsi të vogla të izoluara në të cilat ndryshimet mund të rriten, por mbi të gjitha të afirmohen. Kur një popullsi është e gjerë dhe çiftimi midis individëve është i lehtë, siç është situata aktuale e njeriut, fiksimi i karaktereve të rinj bëhet në fakt shumë i vështirë.

Dora-dorës që specia jonë zgjerohet në planet, popullsia njerëzore bëhet gjithashtu gjithmonë e më e dendur. Edhe më shumë, sot lëvizja e individëve është gjithmonë madhore dhe në këto kushte nuk ekzistojnë praktikisht popullsi më të vogla të izoluara. Mund të imagjinohen skenarë, në të cilat këto kushte rivendosen, por nëse gjërat mbeten kështu, sipas meje nuk është e mundur një evolucion i mëtejshëm i species tonë.

Burimi: “Extra”

Në shqip nga: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button