Bota

Cipras “harron” krizën me BE-në, nënshkruan marrëveshje me Putinin

Screen Shot 2015-06-20 at 09.49.43

Ministrat e Energjisë së Greqisë dhe Rusisë, Panayotis Lafazanis dhe Aleksandr Nóvak, firmosën dje një memorandum ndërqeveritar bashkëpunimi për të ndërtuar në territorin grek zgjatimin e gazsjellësit “Turkish Stream”, i destinuar të çojë gazin rus në Turqi dhe të jetë pjesë e alternativës së gazsjellësit “South stream”, ndaj të cilit Moska hoqi dorë në dhjetor të 2014.

Memorandumi është dokumenti i parë i bashkëpunimit energjetik pas vizitës që shefi i qeverisë greke, Alexis Cipras, realizoi në Moskë prillin e shkuar. Nënshkrimi i marrëveshjes u realizua në Forumin Ekonomik ndërkombëtar të San Petersburgut, në të cilit Cipras u takua sërish me presidentin, Vladimir Putin. “Bota është ndryshe nga sa më parë. Në Europë për shumë kohë kishim iluzionin se ishim kërthiza e Tokës, qendra e Tokës dhe vazhdojmë të shohim dhe besojmë vetëm atë çfarë na rrethon, pa shkuar më larg. Megjithatë qendra ekonomike e botës ka lëvizur”, tha Aleksis Cipras.

Gazsjellësi do të ketë një kosto prej 2 miliardë eurosh dhe do të financohet nga një kredi e dhënë nga kompania ruse e investimeve “VEB-Capital”. Ndërtimi pritet të zgjasë nga viti 2016 deri në 2019-ën, sipas ministrit Novak. Për projektin, do të krijohet një ndërmarrje e përbashkët ruso-greke. “Memorandumi i nënshkruar konfirmon punën që kemi bërë në shumë muaj për të shtrirë gazsjellësin përmes territorit të Greqisë. Ky gazsjellës do të ketë një rol stabilizues në të gjithë rajonin”, tha Lafazanis.

Të enjten ministri grek u takua me Aleksei Miller, kreu i Gazpromit, konsorciumi i gazit i kontrolluar nga shteti rus, dhe diskutoi me të në lidhje me pjesëmarrjen greke në skemën e re të furnizimit Europës me gazin përmes Turqisë. Gazprom kishte informuar më parë se është i gatshëm të shqyrtojë pjesëmarrjen e tij në infrastrukturën që duhet të ndërtohet në Greqi “në kushte të dobishme për të dyja palët”.

Sipas autoriteteve greke, gazsjellësi i ri do të krijojë rreth 20.000 vende pune. Sipas marrëveshjes së arritur në dhjetor të vitit 2014, Rusia dhe Turqia do të ndërtojnë “Turkish Stream” një gazsjellës përgjatë Detit të Zi me një kapacitet transporti 63.000 milion metra kub gaz në vit. Tubacioni përmes territorit grek, i cili do të jetë vazhdimi i kësaj, duhet të ketë një kapacitet prej rreth 50 miliardë metër kub në vit. /DITA

Leave a Reply

Back to top button