Një dalje e Greqisë nga zona euro (Grexit) do të shënonte fillimin e fundit të kësaj zone, deklaroi sot kryeministri grek, Aleksis Cipras, në një intervistë për gazetën e përditshme austriake ”Kurier”.
Deklarata e Ciprasit vjen tri ditë para zhvillimit të një samiti të jashtëzakonshëm, që do të zhvillohet të hënën në Bruksel, lidhur me ndihmën financiare ndaj vendit ballkanik.
“I famshmi Grexit nuk mund të jetë një opsion, as për Greqinë dhe as për Bashkimin Evropian”, deklaroi Cipras.
”Nuk do të jetë pasi do të kemi të bëjmë me një proces të pakthyeshëm. Ky do të jetë fillimi i fundit të eurozonës”, theksoi ai.