Analiza

CNN/Provokimet e Rusisë. A mos po fillon një tjetër luftë e ftohtë?

Operacioni për kapjen e një nëndetëseje në ujëra suedeze, një pothuajse përplasje me një avion ushtarak rus dhe rrëmbimi i një zyrtari të një vendi të NATO-s. Rusia dhe Perëndimi po përplasen sërish

Richard Allen Greene
Inez Torre

putin cold warNdjekja më e madhe e një nëndetëseje në ujërat suedeze, qysh prej fundit të Luftës së Ftohtë.
Një pothuajse përplasje mes një avion ushtarak rus dhe një avioni pasagjerësh suedez, me 132 vetë në bord.
Dhe rrëmbimi i një zyrtari estonez nga territori i një vendi anëtar të NATO-s, vetëm disa ditë pasi presidenti Obama kishte vizituar shtetin balltik.
Secili prej këtyre incidenteve do të kishte çuar në një konfrontim të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Perëndimit, thuhet në një raport të fundit – dhe të gjithë këta kanë ndodhur gjatë nëntë muajve të fundit.
Incidentet janë renditur në “Politika e rrezikshme e lojës me zjarrin”, një analizë që rendit më shumë se 40 “pothuajse përplasje ushtarake mes Rusisë dhe Perëndimit”, që kanë ndodhur gjatë tetë muajve, nga marsi në tetor të këtij viti.
Raporti, i hartuar nga Rrjeti Europian i Lidershipit, i klasifikon kërkimin për nëndetësen, pothuajse përplasjen e avionëve dhe rrëmbimin në Estoni si “incidente me risk të lartë”. Ai i karakterizon 11 ngjarje si “serioze” dhe sugjeron që mund të përshkallëzoheshin. Në shumicën e tyre, kemi të bëjmë me avionë rusë që kërcënojnë NATO-n apo aleatët e saj.
Ata përfshijnë atë që duket si një gjoja sulm ndaj ishullit danez të Bornholmit, si dhe avionë rusë që kalojnë mbi një anije luftarake amerikane dhe një fregatë kanadeze, si dhe disa incidente të tjerë mes avionëve rusë dhe suedezë.
Këto ngjarje dramatike janë shprehje e politikës “së pretendimit të pozicionit të Rusisë në sistemin ndërkombëtar” të Vladimir Putinit, që ka qëllimin e shpallur të detyrojë Perëndimin “të pranojë ndryshimin themelor që i ka ndodhur rendit ndërkombëtar”, thotë eksperti për Rusinë, Igor Sutyagin. “Putini po përpiqet ta frikësojë Perëndimin që ky t’i rikthehet miqësisë me Rusinë”, thotë Sutyagin, një studiues në Royal Services United Institute. Think-tanku me qendër në Londër fokusohet në çështje të mbrojtjes dhe sigurisë.
“Putini e ka thënë hapur se Rusia është një ari dhe një ari nuk i kërkon kurrë lejë askujt për të vepruar si të dëshirojë”, thotë Sutyagin.
Ministria ruse e Mbrojtjes, Forca Ajrore ruse dhe zëdhënësi i Putinit kanë refuzuar t’u përgjigjen disa pyetjeve të CNN në lidhje me raportin e Rrjetit Europian të Lidershipit. Zyrtarët rusë i injoruan shumë prej incidenteve në kohën kur këta u raportuan për herë të parë.
Por vetë NATO bëri të ditur në fund të tetorit se kishte vërejtur tre herë më shumë shkelje të hapësirës ajrore europiane nga avionët rusë në vitin 2014, se sa në vitin 2013. Vetëm në ditët e fundit të tetorit pati katër raste të tillë, bëri të ditur NATO.
Sipas raportit të Rrjetit, ka patur një rritje të veprimtarisë së rusëve me fillimin e konfliktit në Ukrainë dhe aneksimin e Krimesë. Kjo e detyroi NATO-n të “rrisë praninë e saj ushtarake në anën lindore”, duke përfshirë më shumë kontrolloe nga ajri, më shumë fluturime zbulimi, më shumë anije në Detin Balltik dhe Detin e Zi si dhe më shumë stërvitje ushtarake në rajon, thuhet në raport – të gjithë këto shkaktuan rritjen e kontakteve mes palëve.
Raporti spekulon se Rusia po teston dhe vëzhgon sistemet e mbrojtjes të NATO-s dhe ato të shteteve si dhe po kërkon fitore propagande duke përdorur forcën, apo duke kanosur për përdorimin e saj, kundër fqinjëve.
Reagimi i Perëndimit do të ketë pasoja përtej Rusisë, paralajmëron Sutyagin. “Nuk është çështje e 26 avionëve gjuajtës që fluturojnë diku”, thotë ai. “Ka shumë njerëz të tjerë përreth globit, të cilët do të donin shumë të ndiqnin shembullin e Putinit. Kjo është një thirrje shumë e rëndësishme për zgjim, për shoqërinë amerikane, për shoqëritë europiane. Eshtë e domosdoshme të mbroni idealet tuaj, begatinë dhe pasurinë tuaj”, tha ai.
“Politika e rrezikshme e lojës me zjarrin” bazohet me të dhënat e mediave si dhe deklaratat e Pentagonit dhe NATO-s. CNN i ka mbuluar shumë prej incidenteve që përmenden në raport dhe citohet si burim për të paktën një prej tyre.

INCIDENTET ME RISK TE LARTE:
3 Mars – Një avion suedez me 132 pasagjerë me zor i shpëton një përplasjeje me një avion rus zbulimi që nuk po transmetonte pozicionin e tij
5 Shtator – Një punonjës i shërbimit estonez të sigurisë rrëmbehet nga posta kufitare e Estonisë, dërgohet në Moskë dhe akuzohet për spiunazh
17-27 tetor – Suedia nis një operacion të madh ndjekjeje të një nëndetëseje në ujërat e saj. Nuk gjejnë asgjë, por thonë se kishin diktuar të paktën një mjet të huaj nënujor
INCIDENTET SERIOZE
12 prill – Një avion gjuajtës rus i paarmatosur kalon 12 herë mbi luftanijen amerikane USS Cook në Detin e Zi, sipas Pentagonit
23 prill – Një avion gjuajtës rus kryen manovra kërcënuese, tregon që është i armatosur, pranë një avion amerikan zbulimi në Detin e Okhotskut
6 qershor – Avionë ushtarakë rusë kryejnë një sulm të simuluar mbi ishullin danez të Bornholmit
16 korrik – Avionë ushtarakë rusë i afrohen deri 10 metra larg një avioni zbulimi suedez në hapësirë ndërkombëtare
18 korrik – Avionë gjuajtës rusë ndjekin një avion zbulimi amerikan në hapësirën ajrore suedeze. Suedia nuk kishte miratuar paraprakisht hyrjen e avionit amerikan në hapësirën e saj
Korrik – Bombardues rusë pranë hapësirës ajrore të Kanadasë praktikojnë sulme me raketa kundër SHBA, me rreze deri në Nju Jork, Uashington, Cikago dhe Otava
SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button