Nga Faye Flam
Vaksinat mund të jenë të frikshme. Ju i kërkoni njerëzve të shëndetshëm të ngrenë mëngën, dhe të marrin diçka misterioze, që lidhet me mikrobe vdekjeprurëse. Për vaksinat kundër Covid-19, një frikë e tillë mund të shtohet nga shqetësimi se zhvillimi i tyre ishte i nxituar, dhe nga mënyra se si është politizuar gjithçka që lidhet me pandeminë.
Do të jetë e vështirë të fitohet besimi i nevojshëm i publikut për një fushatë vaksinimi për t’i dhënë fund pandemisë. Testet klinike të kërkuara nga FDA-ja amerikane, nuk mund të provojnë se ndonjë nga vaksinat është 100 për qind e sigurt.
Por ajo që kemi mësuar nga këto teste, duhet të jetë qetësuese. Ju nuk mund t`a merrni sëmundjen nga këto vaksina, dhe rreziqet që lidhen me to, janë të vogla krahasuar me rreziqet që lidhen me marrjen e Covid-19. Gjithashtu, rreziqet janë shumë më të vogla krahasuar me pasigurinë ekonomike, arsimin e humbur, dhe izolimin e thellë social të shkaktuar nga pandemia, dhe ndërhyrjet tona në përpjekje për ta ndalur atë.
Sondazhet e fundit të raportuara në “The Wall Street Journal” këtë javë tregojnë se rreth 27 për qind e amerikanëve thonë se nuk do të vaksinohen. Po kështu shprehen 40 për qind e evropianëve. Dhe frika nga vaksinat ka të ngjarë të përkeqësohet.
Në testet klinike, vaksinat kryesore shkaktuan efekte anësore të pakëndshme, përfshirë acarim të lëkurës në vendin e injeksionit, dhe simptoma të gripit të zakonshëm, shumë më të rënda sesa ato të shkaktuara ndonjëherë nga vaksinat e gripit. Njerëzit mund të tronditen dhe të frikësohen nga këto simptoma.
Ndërsa po prodhohen miliona vaksina, disa njerëz do të preken nga sëmundje të tmerrshme në mënyrë rastësore – ALS, skleroza e shumëfishtë, kanceri – menjëherë pasi të vaksinohen kundër Covid-19. Shumica e tyre nuk do të kenë asnjë lidhje me vaksinat, por mund të jetë e vështirë t`a bindësh publikun për këtë gjë.
Shumë njerëz besojnë ende, kundër të gjitha provave, se vaksinat e fëmijëve shkaktojnë autizëm. Përvoja e së kaluarës, tregon se ka përfitime nga nxitja e frikës mbi vaksinat, thotë Stuart Lajman, një studiues i kancerit, që ka studiuar pse kaq shumë njerëz refuzojnë vaksinën parandaluese të kancerit kundër HPV, virusit njerëzor papilloma.
“Ka shumë njerëz që përpiqen të përhapin informacione të gabuara. Se prodhuesit e vaksinave, vitaminave dhe suplementeve po përpiqen të fitojnë para”-thotë ai. Megjithëse vaksina është aprovuar që nga viti 2006, dhe parandalon një numër të formave të tmerrshme të kancerit, vetëm rreth 50 për qind pranojnë të vaksinohen.
Në rastin e Covid-19, një hezitim i tillë mund të kushtojë jetë njerëzish, dhe të vonojë rikthimin në jetën tonë normale dhe aktivitetin ekonomik. “Asnjë vaksinë nuk funksionon tek 100 për qind e njerëzve”- thotë reumatologu dhe themeluesi i bioteknologjisë Artur Krig. “Për pasojë edhe disa nga njerëzit që vaksinohen nuk do të jenë imunë, veçanërisht të moshuarit, të cilët zakonisht kanë norma më të ulëta dhe të dëmtuara të reagimit imunitar”- shton ai.
Ata që refuzojnë vaksinimin mund të jenë një rezervuar për virusin, duke infektuar të tjerët, vaksinat e të cilëve nuk u japin atyre mbrojtje të plotë. “Dhe për shkak se këta të fundit janë me sëmundje para-ekzistuese, me diabet, apo pacientë me kancer, do të vdesin”- thekson Kreig.
Eksperti shton se me vaksinat ekzistuese, efektet anësore më të rënda të vaksinave shfaqen brenda 2 javësh, dhe thuajse të gjitha brenda 2 muajsh. Testet klinike të përfunduara mbi vaksinat anti-Covid, nuk kanë shkuar më shumë se kaq. Ai ka besim se raporti rrezik-përfitim favorizon vaksinën, sesa të rrezikohet me infektimin nga virusi.
Edhe profesori i imunologjisë Florian Kramer është i një mendje me të:“Nëse SARS-CoV-2 hyn në qelizën tuaj, ai e pushton dhe manipulon plotësisht qelizën tuaj. Sulmi viral është shumë më i rrezikshëm se vaksinat e para që po dalin”-thotë ai. Ato përdorin ARN-në mesazhere, një pjesë të materialit gjenetik, që e mashtron trupin duke dobësuar një pjesë të virusit.
Edhe thashethemet që e kanë lidhur vaksinën me disa nga pasojat afatgjata të infeksionit – nga konfuzioni mendor, tek numri i ulët i spermatozoideve – janë plotësisht të pabazuara. Një tjetër vaksinë, e prodhuar nga AstraZeneca, përdor një teknikë pak më të ndryshme, për ta provokuar trupin me të njëjtën pjesë të dobësuar të virusit.
Kjo vaksinë përbëhet nga një virus i ftohtë i inaktivuar, i quajtur adenovirus, kur gjenet janë të ndara. Ekspertët nuk shohin asnjë arsye pse kjo vaksinë të mos të jetë po aq e sigurt sa vaksinat e ARN-së mesazhere, por kanë ngritur disa shqetësime se sistemet tona imune mund të reagojnë kundër bartësit të adenovirusit, duke e bërë vaksinën më pak efektive.
Një nga vërejtjet për vaksinat me mesazheren e ARN-së të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna, ishte se kompanitë nuk dëshmuan se ato parandalonin edhe rastet e infektimeve të heshtura, por vetëm ata simptomatikë. Idealisht, ne duam vaksina që parandalojë në çdo rast infeksionin, në mënyrë që t’i japim fund pandemisë.
Krammer thotë se edhe pse mbrojtja ndaj infeksioneve të heshtura nuk u studiua me vaksinat me ARN, ai mendon se këto vaksina do t’i bëjnë njerëzit më pak infektivë për të tjerët. Jo se virusi do të zhduket, por vaksinat do ta ndihmojnë atë të bëhet më i zakonshëm dhe më i butë.
Ky vizion ndihet ende shumë i largët. Vetëm vaksinat mund ta afrojnë atë. Shumica e njerëzve që preken nga Covid-19, do të shërohen dhe do të jenë mirë. Por tashmë, mbi 1.5 milion njerëz kanë vdekur. Dhe Covid-19, po dëmton indirekt miliona njerëz që nuk janë infektuar ndonjëherë.
Varfëria është një rrezik për shëndetin, dhe po ashtu edhe vetmia. Edhe maskat nuk janë plotësisht të padëmshme. Ato e bëjnë shumë të vështirë për shumë njerëz që kanë dëgjim të dobët pasjen e ndonjë ndërveprim domethënës njerëzor.
Hezitimi ndaj vaksinave është i kuptueshëm, dhe kundërshtimi ndaj tyre do të kërkojë empati, ndershmëri dhe transparencë. Por është gjithashtu thelbësor ndërtimi i imunitetit të popullsisë. Dhe është pikërisht ai që do të na lejojë të kthehemi në atë formë të mrekullueshme të ekzistencës, që tani e quajmë jetë normale. / “Bloomberg” – Bota.al