Nunc est Bibendum

Cuba libre

 

Nga Andi Qinami

“Më duket se duhet të blej patjetër një libër për provimin e ardhshëm që kam”,- shfrynte një kolege e re, këtë mëngjes.

“Shoqja ime S. – thotë kolegia tjetër –  është e fiksuar me këtë pije. Çdo shpenzim e vlerëson me numrin e Bacardi cola-ve që mund të kishte pirë. Kjo shoqja – thotë ajo, duke u kthyer nga mua me një buzëqeshje dëfrimi – nuk është absolutisht pijanece, por thjesht nuk imagjinon dot një situatë të këndshme, relaksuese apo feste, pa një bacardi cola”.

Dhe kjo ndodhte sot, në mëngjesin e një dite pranvere. Një bisedë nga skrivania në skrivani, në një ambient mbytës e aspak stimulues, ku asgjë përreth, nuk të lidh as me pushimet, as me mbrëmjen e lirë. Aq më pak me Karaibet. Më kënaqi shumë biseda. E admirova sakaq këtë vajzën, që as nuk e njihja.

Mua për vete, kjo më thotë shumë. E nuk e kam fare për globalizimin. Eshtë e gjitha për meritën e kësaj pije, që të fitojë mëndjen dhe zemrën e një vajze të re, në një vend që traditë ka pasur … shumë-shumë rakinë. Bakardi Cola dmth, se shpesh kështu e dëgjojmë. Rreth e përqark botës, thonë edhe Cuba libre, Rhum & Coke, Baco, (Amsterdam) Nica Libre (me flor de Cana – Nicaragua), Qbalibre (Puerto Rico me Don Q), Ron-Libre (Spanjë) e kështu me rradhë. Jo. Cuba Libre është saktë. Po që kur. Ku e ka zanafillën?

Cuba libre i detyrohet ishullit të Kubës, për emrin e saj, por në fakt ka shumë hipoteza rreth origjinës së saj. Cuba Libre apo Kuba e çliruar, u krijua për të festuar pavarësinë e Kubës nga Spanja, në fund të 1800-ës, e arritur me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Një barist kuban thuhet se ishte ai që përzjeu për herë të parë Coca Cola-n (prodhim tipik amerikan) rumin (produkt tipik Kuban), për të bashkuar simbolikisht dy kombet. Fillimisht duket se Cuba Libre ishte një daiquiri i zgjatur me Coca Cola.

Më vonë erdhi deri tek ne, si një version më i thjeshtë.

Një tjetër version e lidh  pijen e famshme me gazetën revolucionare “Cuba Libre”, themeluar në vitin 1928 nga Julio Antonio Mella.

As për Mojiton e Daiquri-n nuk dihet mirë se nga u erdhi emri. “Cuba Libre” ishte britma e Ushtrisë Çlirimtare të Kubës, gjatë luftës së pavarësisë që përfundoi në vitin 1898. Por coca cola thuhet të jetë futur në Kubë, jo përpara vitit 1900.

Në një dëshmi kurioze, në kontekstin e një procesi gjyqësor që kompania “Bacardi” filloi për mosrespektim të marrjes, kundër një shoqërie që atëherë quhej Cuba-Libre Products, kështu përshkruhet momenti kur për të parën herë u dëgjua për këtë pije.

Fausto Rodriguez, pasi u betua sipas normave, dëshmoi: “Meqe isha mik me zotin X, shef i zyrës së US Army Signal Corps gjatë kohës kur punoja për ta si lajmëtar, një mbasdite gushti e shoqërova në barin Y. Aty ai urdhëroi rum dhe coca cola. Unë, vetëm coca cola sepse isha vetëm katërmbëdhjetë vjeç. Një grup ushtarësh, ngjitur me ne, e pyetën se ç’po pinte. Ai ua shpjegoi dhe i këshilloi ta provonin. Ashtu bënë. U pëlqeu dhe i thanë zotit X se ishte shpikësi i një pije të madhe. Pija mbeti e famshme që prej asaj kohe“.

Sipas një versioni tjetër, një grup ushtarësh amerikanë ndodheshin në një klub, kur një kapiten shkoi tek banaku dhe porositi Bacardi Rum dhe Coca-Cola me akull. Ai e piu me aq shumë kënaqësi, sa ushtarët pranë tij kërkuan përnjëherë të njëjtën pije. Ushtarët e kënaqur kërkuan dhe një tjetër raund, dhe ngritën dolli për Cuba libre!

Bari ku kanë ndodhur këto histori, me shumë gjasa duhet të ketë qenë Bar Americano ose Calle Neptuno në zonën e Havanës së vjetër.

Thuhet se vite më vonë, z. Rodriguez punoi më vonë për kompaninë “Bacardi”, por pak rëndësi ka kjo.

Sidoqë të jetë puna me këtë histori e sido që të ketë qenë treguar që në fillim apo publicizimi i saj ndër kohëra, një gjë është e vërtetë: mbetet autentike mënyra se si pija përzjeu dy kulturat dhe binomi rezultoi fitues. Ndoshta prandaj kjo pije është kozmopolite e prandaj ky Coctail apo Long drink (për më të saktët), mund të pihet përgjatë gjithë natës, me gllënjka bujare: është freskuese, largon etjen. Dhe është nga më të mirat për kalimin gradual nga gjendja krejt esëll, në një gjendje që karakterizohet nga një tolerancë e pazakontë për pranimin e situatës.

Kubanët e mërguar në Miami e quajnë edhe Mentirito, sepse një gënjeshtër e vogël është, të thuash që Kuba është me të vërtetë e lirë, me regjimin e Castro-s.

Edhe gjatë proibicionizmit, shumë u dashurua rum-i në përgjithësi dhe Cuba libre nga turistët kryesisht amerikanë, që zbarkuan në ishull të etur për çfarëdolloj distilati që do të mundeshin të gjenin atje.

Mentirito apo jo kudo në botë, që prej momentit që u shpik, Cuba libre “kontribuon ndër vite në përmirësimin e perspektivës”, për t’u ulur përballë baristit në Tiranë, Havana, N.Y., Miami, Romë a kudo qoftë.

Ata që merren me mix-imin e shijeve për profesion, me të drejtë observojnë se rum-i i vjetëruar apo i karamelizuar e me ngjyrë të portokalltë nuk është gjithmonë i përshtatshëm për përzierjen, për shkak të erës dhe shijes së tyre të fortë, që të kujton vaniljen dhe nota të theksuara pjekjeje. Më të përshtatshme për përzierje janë ato pa ngjyrë.

Me pak limë, limon  apo jo, shumë rum apo pak, i errët, ngjyrë kashte, apo i ri dhe i bardhë

(do të preferoja një jo më shumë se trevjeçar), sipas dëshirës.

Një kërkesë: me akull… sa më shumë! / bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button