Histori

“Cuius regio, eius religio” nuk mjafton

Vestfalia 1

Duke marrë shkas nga “Rendi i ri Botëror…” i Kissinger-it

Nga Andi Qinami

Në librin e tij të fundit “Rendi Botëror: Refleksione mbi karakterin e kombeve dhe rrjedhën e historisë”, Henry Kissinger, si jo pak të tjerë perpara tij, evidenton si moment vendimtar apo kthese, Paqen e Vestfalisë (Westfalien) të vitit 1648, që i dha fund luftës 30-vjeçare mes katolikëve dhe protestantëve, përmes një marrëveshjeje që garantonte se shtetet nuk do të ndërhynin më në punët e brendshme të njëri-tjetrit.

Kissingeri sheh si të vetmen mënyrë për të shmangur përsëritjen e historisë, krijimin e një lloji të ri marrëdhëniesh mes fuqive të mëdha, bazuar në sistemin e Vestfalisë dhe ekuilibrin e fuqive, për t’u zbatuar globalisht dhe jo vetëm rajonalisht. Në fakt që me nënshkrimin e traktatit që vendosi paqen, ky mundi të zbatohej vetëm rajonalisht. Është e vetëkuptueshme se për mesin e shekullit të shtatëmbëdhjetë, përfshirja e pjesës tjetër të botës së njohur, thënë ndryshe kolonitë apo territoret e kolonizueshme, ishte e e pakonceptueshme.

Edhe pse për Jonatan Powell të The Telegraph “… Ka më shumë gjasa që në të zhvillojmë një sistem tonin, se sa të rikthehemi, siç sugjeron Kissingeri, në një rend botëror të të kaluarës”, Vestfalia përbën padyshim një kthim kursi, një thelb për gjeopolitikën që njohim sot, dhe burimin thelbësor të së drejtës ndërkombëtare. Por mbi të gjitha, një rezultat absolutisht për të mos u harruar. Dhe për Kissinger-in, vetë aktor kryesor i disa zhvillimeve shumë të rëndësishme ndërkombëtare të viteve të shkuara, Vestfalia është një shembull i mirë për t’u ndjekur.

Paqja e Westfalisë pati disa pasoja të menjëhershme. E para i dha fund konfliktit që përgjakte Evropën në ato vite. Rivizatoi hartën gjeopolitike të Evropës, në terma shtetformimi dhe kufinjsh të këtyre shteteve. Krijoi dy shtylla thelbësore: ruajtjen e ekuilibrit të fuqive dhe respektin absolut për sovranitetin kombëtar të shteteve që i përkisnin sistemit, nga i cili ata do të përjashtoheshin, për shembull, vendet jo evropiane … ato të kolonizueshme.

Së fundmi, me Vestfalinë, Evropa e kuptuar si një grupim shtetesh, arriti të marrë përparësi ndaj krishtërimit. Pavarësia e shteteve do të përbënte thelbin e sistemit që prej atij momenti historik. Koncepti i një Evrope të krishterë, në formën e një monarkie universale gravituese rreth binomit Romë-dinastia Habsburge, do të zbehej në mënyrë të pakthyeshme.

Jo fort larg ekuilibrit të vendosur midis fuqive të atëhershme evropiane, parimi i respektimit të sovranitetit të shteteve, është një nga mekanizmat themelore të rendit që lindi me Vestfalinë. Rezultati është një koncept themelor i politikës moderne: lindja e konceptit të interesit nacional, atij të shtetit (ragion d’État).

I vënë shpesh në pikëpyetje, edhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, parimi i mosndërhyrjes do të jetë për tre shekuj e gjysmë një nga të paktët, në mos i vetmi, ligj i shenjtë i politikës ndërkombëtare.

Ishtë pikërisht për të shmangur luftëra të reja, bazuar në shumëllojshmërinë e besimeve fetare, dhe masakra pa dallim, që arkitektët e paqes, vendosën këtë parim, i cili në fillim ishte bazuar në idenë e vjetër të cuius regio, eius est religio (Ajo që është feja e sundimtarit, është dhe e gjithë popullit).

Për këtë arsye, në parim, një siguri më e madhe dhe stabilitet i brendshëm dhe i jashtëm. Duke ruajtur integritetin e politikës shtetërore – por jo domosdoshmërisht atë territorial – paqja do t’i lejonte aktorët e ndryshëm të krijonin aleanca të reja. Kjo lojë aleancash, që ndërtohen e prishen me një shpejtësi habitëse, do të shërbente për të garantuar ekuilibrin e përgjithshëm të sistemit. Përdorimi i forcës mbetet padyshim shumë i kufizuar.

Siç nënvizohet, sa herëështë e rastit, por këtë herë dhe nga ish sekretari i shtetit Kissinger, harta gjeopolitike hartuar në vitin 1648, mbetet në thelb e njëjtë me ditët e sotme, të paktën në vijat e saj të përgjithshme, çka thekson punën e jashtëzakonshme e bërë nga negociatorët e atëhershëm të paqes. Por njëri nga ata, ndoshta më thelbësori, ishte kardinali italian e ministri francez, Mazarini (Mazzarino). Per më të shumtët, ai mbetet i famshëm për ngjitjen e shpejtë në pushtet, si dhe për rolin e rëndësishëm në politikën e brendshme, luajtur prapa skene.

Pikërisht në veprimtarinë e tij, lidhur me negociatat dhe paqen e arritur në Vestfali, dhe në filozofinë që udhëhoqi këtë veprimtari duhet gjetur qasja e instrumenti, i duhur edhe në kohët e sotme, me qëllim zgjidhjen deri në masa të konsiderueshme të konflikteve apo vatrave të nxehta.

Në gjykimin e disave, kjo veprimtari është për t’u konsideruar si fillimi i mirëfilltë i ekonomisë politike.

Në një artikull të disa viteve më parë, Pierre Beaudry shpjegon se si në themel të Traktatit të famshëm, ishte në fakt një kurs i ri i vendosur nga kardinali Mazarin, i cili u emërua në vitin 1642 Ministër i Parë i Francës. Mazarini imponoi një politikë ekonomike proteksioniste, dhe një shfrytëzim të mirë-orientuar për sa i përket parasë publike, për të realizuar të cilën, thirri ekonomistin Jean-Baptiste Colbert. Politika intervencioniste e Colbert-it i kundërvihej modelit liberal që kishte marrë shtat globalisht, përmes veprimtarisë së oligarkive tregtare anglo-holandeze.

Mazarin-mignard“Përfitimi i tjetrit”, që përfaqësoi një element kyç të qasjes së re të Mazarinit, duhet kuptuar pra, si krijimi i mundësive ekonomike për të cilat shtete të ndryshme do të ishin njësoj të interesuara, pa marrë parasysh dallime kulturore dhe politike.

Për të kurorëzuar perpjekjet e tij, me Traktatin e 1648, Mazarini u kujdes, për shembull, të mblidhte informacione të rëndesishme mbi rrugët tregtare të Evropës Qendrore, në veçanti ato të lumenjve të krahinave gjermane, duke ideuar e duke vënë në jetë një sërë planesh për të zgjeruar tregtinë Veri-Jug, në veçanti nëpërmjet aksit të lumit Rein, bllokuar nga interesat e veçanta të fisnikërisë lokale. (Që nga koha e Karlit të Madh, kjo arterie ka pasur nje rëndësi të madhe në zhvillimin ekonomik të Evropës kontinentale).

Që gjatë negocimit në qytetin e Munster-it në vitin 1642, Mazarini përmes emisarëve të tij, arriti të sigurojë me shkrim deklarata si këto: “Që sot e tutje, përgjatë dy brigjeve të Rinit dhe në provincat ngjitur, tregtia dhe transporti i mallrave në tranzit duhet të jetë të lirë për të gjithë banorët, dhe në lumin Rin nuk do të lejohet të vihet asnjë barrë fiskale, tatim ose përjashtim i çdo lloji.

Po në të njëjtën kohë Kardinali filloi ndërtimin e kanaleve të mëdha në Gjermani dhe mori masa të tjera për të forcuar qytetet e vendosura më mirë, për të vazhduar tregtinë në rrugët ujore. Kjo punë e madhe e infrastrukturës ekonomike dhe tregtare u shtri gjer në Danub, aq sa të shtynte Colbert-in të konsideronte ndërtimin e një kanali për të lidhur Rhein-Main-in me Danubin, me qëllim zgjerimin e zhvillimit për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Kështu ndodhi që princët gjermanë dhe forcat e tjera politike të implikuara, arritën të kuptonin më konkretisht konceptin e “benefitit të tjetrit”, rishqyrtuan besnikërinë e tyre ndaj Perandorit Habsburg dhe mundësuan marrëveshjen e shumë-dëshiruar të paqes. Ata nuk e bënë këtë për arsye taktike, politike apo fetare, por për shkak se ndërkohë ishte hapur një mundësi e vetme për zhvillimin, e cila përbënte një mënyrë për të mbijetuar.

Kjo ndërhyrje strategjike por me konotacione qartësisht ekonomike nën ritmin e parimit të benefitit të të tjerëve (interesit më të gjerë rajonal – do të thuhej më mirë sot) shërbeu për të krijuar terrenin e përshtatshëm e për të stimuluar zgjidhjen, pikërisht në prag të një zhvillimi të koordinuar për të gjithë zonën e përfshirë, e që do t’i hapte rrugë zhvillimit ekonomik edhe më tej, post zgjidhjes që qëndrueshme (për të mos u ngatërruar me konceptin e sotëm modern që lidhet me një tipologji të caktuar zhvillimi) duke motivuar vendim-marrjen që në fazat më kritike.

Është evidente se konfliktet nuk janë asnjëherë të njëjtë me njëri-tjetrin – aq më tepër kur bëhet fjalë për kontekste të ndryshme kohore apo gjeografike dhe praktikat ndërkombëtare përveç se konvencionet kanë evoluar e janë bërë superpjellore – por do të ishte me shumë vlerë, ndryshe nga ç’është bërë deri tani, të nxirrej në pah më fort ky aspekt i të shumëpërfolurës Paqe e Vestfalise dhe i rolit të saj.

Sido që të jetë, një qasje e tillë e inspiruar nga një ndërhyrje e ngjashme me atë të Kardinalit, me implikacione ekonomike pozitive e të prekshme, për t’u realizuar në terma afatshkurtër apo e orientuar drejt “integrimit” – koncept më tipik i kohës sonë – mund të jetë një rrugëdalje për sa i përket konflikteve shumë afër nesh. Mosndërhyrja mund të jetë një tjetër instrument zgjedhje, në mos për të përcjellë zhvillim ekonomik, kur bëhet fjalë për vatra të ndezuar, më larg se rajoni.

Por edhe pa ofruar zgjidhje, duket se formula të vjetra vlejnë ende për konflikte të reja.

Leave a Reply

Back to top button