Histori

Czeslava Kvoka vdiq në duart e nazistëve, por fuqia e portretit të saj në Aushvic jeton akoma

Nazistët mund të kenë vrarë 14-vjeçaren Czeslava Kvoka në Aushciv, por ata nuk mund të vrisnin fuqinë kërcënuese të fotografisë që i bënë para se të vdiste.

Holokausti ndodhi në një shkallë kaq masive saqë ne, praktikisht, nuk jemi në gjendje të kuptojmë plotësisht qëllimin e tij. Leximi i fjalëve “6 milion jetë”, sigurisht që është e paimagjinueshme (për të mos përmenduar miliona të tjerë të vrarë), por është një numër kaq i madh sa që bëhet abstrakt. Prandaj është e vështirë të bashkëngjitni qoftë edhe një element njerëzor në këtë tragjedi të madhe, për të bashkuar një fytyrë me çdo foto.

Czeslava Kvoka ishte një nga 116,000 polakët që u dëbuan nga fshatrat e tyre të vegjël, pas pushtimit gjerman në 1939. Këta fshatarë, kryesisht fermerë katolikë, u morën me forcë nga shtëpitë e tyre për të bërë vend për gjermanët, sepse nazistët imagjinuan se do të vijnë së shpejti për të populluar këto zona.

 

Shumë pak dihet për jetën e Kvokës para këtij momenti. Ne  dimë se ajo ka lindur në fshatin e vogël të Volka Zlojecka në Poloninë juglindore, më 15 gusht  të 1928-s dhe se ajo bashkë me  nënën e saj u dëbuan nga Zamosc, për tu dërguar  në Aushvic më 13 dhjetor, 1942.

Një vajzë e re polake zbulon trupin e motrës së saj, të vrarë nga një bombë gjermane, 1939.

Por për nazistët, Czeslava Kvoka ishte vetëm e burgosura 26947. Ajo ishte gjithashtu edhe një foto.

Të njohur për efikasitetin e tyre të pamëshirshëm dhe për burokracinë vrasëse, gjermanët shpesh i fotografonin të burgosurit që kalonin nëpër kampet e vdekjes dhe i fusnin në  regjistrat e tyre. Në foton e Kvokës, frika që buron nga shprehja e saj ka tejkaluar ngjyrën e zezë dhe të bardhë të fotografisë, sytë e saj të ngajllin  një tmerr që  mbetet  edhe dekada më vonë. Traumatizimi  i saj është i dukshëm, duke përcjellë, në një foto të vetme, të gjitha tmerret e Holokaustit, pa asnjë  fjalë ose lëvizje.

 

14-vjeçarja që paraqitet  në këtë fotografi, do të vdiste tre muaj pas shkrepjes së fotos, një prej 230,000 fëmijëve të Aushvicit ku kohëzgjatja e jetës ishte pak muaj më e gjatë. Nuk dihet se si u vra ajo, ndoshta nga puna e rëndë, lodhja, eksperimenti i tmerrshëm, ose nga ndonjë metodë tjetër e vrastare që nazistët kishin në dispozicion.

Fëmijët e burgosur që qëndrojnë pranë gardhit në Aushvicit, 1945.

Megjithëse  ne nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur  pas fotos, ne  dimë se çfarë ndodhi pak para fotografimit rutinë, falë kujtesës së fotografit Vilhelm Brasse. Një burrë polak  i detyruar të punonte në Aushvic për nazistët, Brasse do të të fotografonte afërsisht 40,000 deri në  50,000 të burgosur që vinin në kamp, duke përfshirë këtu edhe  Czeslava Kvokan.

Ai mban mend saktësisht momentin e fotgrafimit të saj, duke kujtuar se si u prezantua vajza e tmerruar me të tjerët, e paaftë  për të kuptuar gjithçka që po ndodhte rreth saj:

 

“Ishtë një grua Kapo (një mbikëqyrëse e të burgosurve)e cila mori një shkop dhe e goditi në fytyrë. Kjo grua gjermane vetëm sa nxorri inatin mbi vajzën. Një vajzë e bukur, e re, aq e pafajshme. Ajo bërtiti, por ajo nuk mund të bënte asgjë. Para se fotografia të shkrepej, vajza fshiu lotët e saj dhe gjakun nga prerja e buzës. T’ju them të drejtën, ndjehesha sikur të isha unë duke u goditur, por nuk mund të ndërhyja. Do të ishte fatale për mua. Askush nuk mund të thoshte asgjë kurrë.”

 

Gjaku nga prerja në buzët e saj është ende i dukshëm në fotografinë që nxorri Brasse.

 

Si fotograf  i kampit, Brasse ishte dëshmitari okular për të gjitha tmerret e Aushvicitt. Ai kapi frikën e papërpunuar në fytyrat e të burgosurve dhe e ruajti atë në përjetësi.

Një grua e moshuar hungareze dhe tre fëmijë që marshojnë për në dhomat e gazit në Aushvic, 1944.

Edhe pasi Brasse u dërgua në një kamp tjetër përqendrimi dhe më në fund u çlirua nga forcat amerikane në vitin 1945, ai luftoi me fantazmat e dhjetëra e mijëra viktimave që ai kishte fotografuar për vitet që do të vinin. Përfundimisht, atij iu desh te heqi dorë nga fotografia krejtësisht.

 

“Kur fillova përsëri të fotografoja,” shpjegoi ai, “shihja të vdekurit. Provoja të bëja  fotografi të vajzave të reja ose portrete, por pas saj filloja të shihja fantazma që qëndronin afër të gjallëve. Shihja  të gjithë ata sy të mëdhenj, të tmerruar, duke më parë. Unë nuk mund të vazhdoja. “

 

Këto fantazma jetojnë në sajë të njerëzve si Brasse, i cili ruajti fotot përkundër përpjekjeve të nazistëve për t’i shkatërruar ato. Pasi e kuptuan se lufta ishte e humbur, gjermanët u përpoqën të heqin të gjitha dëshmitë për gjërat e tmerrshme që kishin bërë. Por Brasse dhe disa të tjerë arritën t’i fshehin fotot, duke ruajtur fytyrat e viktimave që pësuan abuzimet më të paimagjinueshme.

Fotografia e Czeslava Kvokas ishte ndër ato që Brasse arriti të shpëtonte. Fytyra e brishtë, e re e mbushur me frikë, mbetet një kujtim prekës i tmerreve të të gjitha gjerave të gjenocidit dhe luftës, të të gjitha jetëve që u shuan përpara se të jetonin./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button