Histori

D-Day e kishte të sigurtë suksesin

Screen Shot 2015-06-05 at 09.05.22

Seria: Ide të gabuara për Luftën e Dytë Botërore

Gabim, thotë Antony Beevor. Të dhënit e “mendve pas kuvendit” është një mallkim i historisë dhe ky është një shembull i përsosur pikërisht i kësaj. Ka një supozim që, për shkak të superioritetit të madh që kishin aleatët në ajër dhe materiale në qershorin e 1944, pushtimi përtej Kanalit ishte i destinuar që të dilte me sukses. Por kjo është tërësisht e gabuar. Duhet të vësh veten në rolin e personave që ishin përgjegjës në atë kohë dhe të kuptosh përse ishin të shqetësuar. Eisenhouer përgatiti një deklaratë paraprakisht, që e mbajti në xhep, në të cilën pranonte përgjegjësinë e plotë për dështimin në ditën e zbarkimit në Normandi, dhe vetëm pasi momenti kritik kishte kaluar, ai ia dorëzoi atë ndihmësit të tij.

D-Day ishte menduar dhe përgatitur mirë, por ai mbetet njëri prej operacioneve më ambiciozë në histori. Ishte një pushtim masiv, në një hapësirë të gjerë me ujë, dhe ata nuk e kishin idenë se deri në çfarë mase nëndetëset U-boat kishin arritur të futeshin në kanal.

Gjermanët nuk kishin parashikuar një ndryshim të motit në atë periudhë. Që do të thotë se ata nuk kishin dërguar patrulla të Kriegsmarine në Kanal. Do të thoshte gjithashtu që Rommel kishte shkuar në shtëpi të takonte të shoqen, dhe që një numër gjeneralësh ishin larg, në një stërvitje me harta në Rennes. Megjithatë, parashikimi i motit nuk ishte i sigurtë dhe Eisenhouer mori një vendim të guximshëm për të dhënë Ok. Megjithatë, nëse ai do të kishte pritur edhe disa javë, mjetet e zbarkimit do të kishin ndeshur në një prej stuhive më të këqia që Kanali kish parë në 40 vitet e fundit. Mund ta imagjinoni vetë se cili do të kish qenë efekti.

Aleatët kishin superioritet nga ajri por kjo nuk do të thoshte që gjermanët nuk mundeshin të mbroheshin. Në fakt, fuqia ajrore luajti një rol shumë të vogël Ditën e zbarkimit, teksa bombardimi për të eleminuar bateritë në bregdet dhe pozicionet mbrojtës ishte një dështim. Kjo është arsyeja përse, sidomos në Omaha Beach, mbrojtja gjermane mbeti pak a shumë e paprekur.

Një gjë që i ndihmoi shumë aleatët ishte mashtrimi i Operacionit Fortitude, që e mbajti një pjesë të mirë të ushtrisë gjermane në Pas de Calais gjatë këtij momenti kritik. Nëse këta divizione të Panzer-ave do të ishin zhvendosur më me shpejtësi në Normandi, atëherë Aleatët mund të ishin sprapsur.

Gjithë kjo për të treguar që ata që mendojnë se D-Day mund të ishte realizuar në 1943 janë tërësisht gabim. Në fakt, kërcënimi i U-boat vetëm në fundin e atij viti arriti që pak a shumë të frenohet dhe më e rëndësishmja, ushtria gjermane nuk ishte “plagosur” ende. Nga ky këndvështrim, një pushtim i mundshëm në 1943 nuk do të kish patur asnjë shans për sukses.

Antony Beevor është autor i “Lufta e Dytë Botërore”

Leave a Reply

Back to top button