Ekonomi

DEBATI (I) / Ekonomia e mafias në Europë

debati mafia ekonomiaForca e grupeve të krimit të organizuar është rritur në Europë, përballë pasigurisë ekonomike. Mafia e ka përdorur krizën për të përshpejtuar infiltrimin e saj në bizneset e ligjshëm jashtë bastioneve të tyre në Italinë e Jugut, duke u zhvendosur në Romë, Milano, por edhe në Francë, Gjermani, Spanjë dhe më tej. A është mafia rreziku i ri për sigurinë e Europës? Cfarë duhet bërë për të frenuar ndikimin e saj në kontinent?

Më të rrezikshëm se terroristët

Roberto Saviano*

Organizatat mafioze janë rrezik më i madh se sa grupet terroristë, për arsye se ato i modifikojnë demokracitë nga brenda, duke futur fitimet e paligjshëm në ekonominë e ligjshme. Bizneset e tyre e mposhtin konkurrencën, sepse duke shfrytëzuar tregjet paralelë jolegalë, ato janë në gjendje të ulin çmimet e tyre. Asetet e mafias financojnë edhe sektorët e ekonomisë, si ai bankar, i ndërtimit dhe transportit.

Kur mendojmë për organizatat mafioze, ne jemi të prirur të shohim vetëm veprimtarinë e tyre të paligjshme: trafikun e drogës, armëve etj. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut: poshtë saj, ekziston një fuqi ekonomike shumë e madhe, e cila kamuflohet dhe pastrohet nëse bëhet e ligjshme. Eshtë e vështirë që të gjurmosh rrugët e trafikut të drogës, por është edhe më e vështirë që të ndjekësh rrugën që ndjek paraja, në epokën e sotme të bankave online dhe financës kibernetike.

Për të krijuar një ide mbi fuqinë ekonomike të organizatave mafioze, mendoni që në vitin 2009, drejtori ekzekutiv i Zyrës kundër Trafikut të Drogës të Kombeve të Bashkuara, Antonio Maria Costa zbuloi se paratë me burim krimin e organizuar përbënin të vetmin kapital likuid investimesh, në disa banka që kërkonin të shmangnin falimentimin gjatë krizës së vitit 2008.  Mes viteve 2007 dhe 2009, bankat në SHBA dhe Europë humbën më shumë se një trilion dollarë në kredi të këqia dhe asete toksikë. Mungesa e likuiditeteve ishte shndërruar në problemin numër 1 për sistemin bankar. Si rezultat, bankat e liruan disi mbrojtjen ndaj skemave të pastrimit të parave dhe hapën kasafortat e tyre për paratë e pista të mafias, të cilat buronin kryesisht prej trafikut të drogës. Më pas, këto para u pastruan dhe u futën në sistemin e ligjshëm ekonomik.

Shtetet europianë kanë sisteme të dobët mbrojtjeje nga agresioni i aseteve të mafias. Sot, organizatat mafioze i pastrojnë paratë jo vetëm në parajsa fiskale, por kudo. Londra është bërë kryeqyteti europian, dhe ndoshta global i pastrimit të parave. Gjermania është në vendet e parë në indeksin e krimit të fshehur përmes financës, përpara Bahreinit, Bermudës dhe Panamasë.

Forca e organizatave kriminale qëndron në mungesën e vëmendjes nga qeveritë dhe paaftësia e tyre për të siguruar konsensus social – në rastet ku shteti mungon, mafia “ofron shërbime” për qytetarët. Formula e tyre fituese është e thjshtë: një tendencë ekstreme drejt evolucionit ekonomik, kombinuar me një tendencë minimale drejt evolucionit kulturor.

Eshtë gabim të flasësh për “mafiat europiane” apo “mafiat në Europë”, sepse mafia është korporata shumëkombëshe më e globalizuar që ekziston. Trafiku i drogës, burimi më i madh i të ardhurave të saj kërkon një rrjet që përfshin shumë shtete dhe organizata përreth botës. Deri tani, metoda e vetme për ta luftuar ka qenë represioni. Megjithatë, është e pakuptueshme që impakti i mafias në tregjet e ligjshëm dhe stabilitetin demokratik nuk përbën shqetësimin kryesor të udhëheqësve botërorë. Eshtë gjithashtu e pakonceptueshme që nuk janë bërë veprime në drejtim të legalizimit të drogave dhe përmirësimit të ligjeve kundër pastrimit të parave. Për të mos folur për faktin që shpesh herë, terroristët dhe organizatat mafioze veprojnë në harmoni mes tyre.

Kështu që, ne duhet të pyesim veten: si financohen organizatat terroriste? Grupet e krimit të organizuar nuk përbuzin askënd. Ata bëjnë biznes me bankat më të pasura, ashtu sikurse edhe me grupet terroristë më të rrezikshëm.

  • Gazetar, autor i librave “Gomorrah” dhe “Zero Zero Zero”

Leave a Reply

Back to top button