Analiza

DEBATI PER ISLAMIN: Për t’u projektuar nga e ardhmja

Përgjigje për të gjithë ata që kërkojnë pretekste për të mos nisur autokritikën, as ndryshuar konceptin e tyre të identitetit dhe besimit fetar

Omar Saghi

pray

Përse të kritikojmë, denigrojmë, fyejmë besimin fetar, kulturën dhe identitetin e e tij? E shtruar kështu, kjo pyetje meriton një përgjigje të vetme: ne duhet të refuzojmë këtë ndërmarrje të shkatërrimit të vetvehtes, një shkatërrim sistematik dhe i bashkërenduar.

Por ta formulojmë edhe një herë pyetjen, që shtrohet me të drejtë, kur ajo nuk është thjeshtë pretekst për fyerje – lidhur me tekstet që ne rilexojmë për të kaluarën apo trashëgiminë tonë. Argumentat e paraqitur kundra këtyre ndërmarrjeve të rileximit të këtyre teksteve janë të rëndësishme. Mundet t’i shtjellojmë disa elementë të përgjigjes:

  1. “Ky është ‘provokim’.” Por këto çështje përvëluese nuk janë trillime. Ato ekzistojnë, të fshehura, përvëluese si prushi i fshehur nën një shtresë të hollë hiri.
  2. “Ka qenë kudo njëlloj”. Jo, ka specifika arabo-islamike: shenjtërimi i pushtetit të fortë, nga padroni i vogël apo babai i familjes deri tek gjykatat e larta, mbreti, presidentit apo kryetari i partisë; obsesioni i pastërtisë seksuale; tërheqja në intimitetin familjar dhe fetar përballë sfidave të jashtme… T’i kuptosh ato është një parakusht për çdo përpjekje për një çlirim serioz.
  3. “Përse të interesohemi vetëm për anët e errëta?” Librat që trajtojnë anët e shkëlqyera të botës arabo-myslimane janë me bollëk. Librat që trajtojnë anët e errëta të tyre ekzistojnë gjithashtu, por jo tek ne. Pra nuk është se duke mohuar këto dimensione të kaluara, ne mund t’i përgjigjemi sfidave aktuale (ato që i shtron Perëndimi botës arabo-myslimane dhe ato që i shtrojnë atyre deliret e saj të brendshme).
  4. “Andaluzia ishte një parajsë” nuk është një përgjigje, as për ISIS, as për neokonservatorët [perëndimorët].
  5. “Ata thonë të njëjtën gjë, me çdo mënyrë”. Kritika e brëndshme nuk ka të njëjtën vlerë sa kritika e importuar. Një nga fatet e Perëndimit është se shumë herët krijoi një hapësirë autokritike të mbrojtur. Ai ka zhvilluar antidote për sëmundjet e tij të brëndshme. Sëmundjet tona (sepse në fakt bëhet fjalë për sëmundje: për shëmbull, patriarkati është sot patologjia e pleqërisë e botës arabo-islamike), vetëm një ndërmarrje e një çlirimi intelektual i brëndshëm mund t’i luftojë.
  6. “A është vallë momenti që të procedohet me këtë punë kritike?” Në një botë arabe në vlim të plotë, sot në Marok ekziston për një kohë të shkurtër apo një periudhë të gjatë, që ende nuk e dimë atë, një hapësirë lirie relative për të ndërtuar një mendim kritik. Kjo “kuti instrumentash” e shtrenjtë për filozofin francez Michel Foucault mund të krijohet vetëm me përpjekjen dhe eksperimentimin individual apo kolektiv.

Le të shpresojmë që kjo “kuti instrumentash” në krijim e sipër do të na lejojë të shmangim mbylljen e dyfishtë e të përkohshme: përbuzjen e të tashmes sonë (“bota arabo-myslimane është në shkatërrim”, ndërkohë madje që po kalon më tepër një krizë rritje ekonomike, po aq brutale sa ajo që kaloi Perëndimi një shekull më parë) dhe lidhjen regresive dhe foshnjore me të kaluarën tonë.

Të kritikosh nuk është të shkatërrosh, por më tepër të çlirosh horizontin e zënë nga qoshet e vdekura të të kaluarës tonë, ku strehohet ende koncepti ynë i pushtetit, i raporteve familjare dhe marrëdhënieve të individit me komunitetin. Në një shoqëri të qetë, të fortë në bindjet e saj, duke u projektuar drejt së ardhmes, historia dhe identiteti i saj nuk janë më një muze ngushëllimesh. Ato bëhen sërish një trampolinë drejt të nesërmeve të hapura. /TelQuel/Casablanca/

SHQIPERUAR NGA SALI METANI/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button