Analiza

DEBATI/A janë eurokratët “armiqtë” e qytetarëve?

Nëpunësit civilë në Komisionin Europian kanë një fuqi të jashtëzakonshme, por mungesa e aftësive politike i ka kthyer qytetarët shpesh herë kundër tyre

Christoph Pauly

Gregor Peter Schmitz

Der Spiegel

EC Berlaymont Headquarters Unveiled In BrusselsSapo kanë kaluar nëntë orë nga java e re e punës, dhe ideja europiane ka sërish nevojë – të paktën figurativisht – për një paketë të re shpëtimi. Disa zyrtarë janë ulur në tryezën e rrumbullakët në zyrën e kryezëdhënësit të Komisionit Europian, duke diskutuar faktin që shtypi, si zakonisht nuk ka qenë shumë miqësor në ditët e fundit.

Njëri prej specialistëve të medias thotë se në gazetat franceze po qarkullon një lajm sipas të cilit Komisioni Europian ka nxjerrë një rregullore të re, se si fëmijët lejohen të ngjiten në shkallë. Eshtë natyrisht një keqinterpretim, thotë ai – Komisioni do të duhet të nxjerrë një korrigjim. Ndërkohë, media britanike po shfryn furishëm kundër burokracisë së Brukselit, ndonëse rregullat në fjalë janë vendosur nga vetë britanikët. Duket se nevojitet një tjetër korrigjim. Në fund, ata merren me editorialët e Financial Times për gjendjen e eurozonës. “Skeptike, por e parashikueshme”, thotë një zyrtar.

Gjendja sikur përmirësohet pak në një moment gjatë takimit, kur ata diskutojnë një intervistë me Ministrin e Energjisë të BE, Guenther Oettinger, të cilën e ka dhënë për gazetën Stuttgarter Nachrichten. Në artikull, Oettinger argumenton se numri i komisionmerëve të BE – 28 – mund të duket i lartë, por një vend si Gjermania ka 180 ministra dhe sekretarë shteti në nivel federal dhe shtetëror. Kryetitulli i intervistës është një citim i drejtpërdrejtë i Oettingerit: “Në Bruksel, njerëzit punojnë deri në orën 20.00 të premteve”. Në sallë të gjithë fillojnë të miratojnë me kokë. Të paktën këtë e kanë thënë saktë, thotë njëri.

Më pas, nëpunësit civilë shpërndahen në zyrat e tyre si hoje bletësh, ku sinjalizohen vazhdimisht sa herë që diçka kritike për “Brukselin” shfaqet tek Google News.

Një mishmash i papërcaktueshëm

Kjo është vetëm një pamje e shkurtër e skizofrenisë së përditshme në qendrën nervore të Bashkimit Europian në Bruksel. Mbi 33 mijë punonjësve te Komisionit “u ben hije” Berlaymont, një ndërtesë e bukur 13-katëshe në qendër të Lagjes Europiane të Brukselit. Komisioni Europian është një institucion shumë i fuqishëm, por është një forcë që punonjësit e tij bëjnë maksimumin për të mos e treguar. Në muret e tij është e pranishme frika se mos e humbasin këtë pushtet.

Komisioni është një mishmash i papërcaktueshëm qeverish dhe agjencish publike – një që e bën politikën e jashtme si një Ministri e Jashtme dhe rregullon konkurrencën në një mënyrë të tillë që zakonisht e sheh tek zyrat kombëtare të karteleve. Shumica e politikave dhe direktivave që zbatohen në ligjet kombëtarë të vendeve anëtarë të Bashkimit Europian e kanë fillesën pikërisht tek Komisioni Europian. Dhe për shkak se Komisioni ka përgjegjësi për monitorimin e zbatimit të ligjit europian, ai ka gjithashtu aftësinë të vendosë gjoba në miliarda euro. Këto masa ndëshkuese mund të miratohen kundër kompanive të Internetit si Google apo Microsoft, nëse këta shkelin rregullat e konkurrencës në BE, por edhe kundër një shteti si Gjermania nëse Komisioni zbulon se ka shkelur rregulloret, përshembull duke ofruar një paketë shpëtimti të financuar nga shteti për një kompani si prodhuesi i automjeteve “Opel”, ditët e të cilit dukej se ishin të numëruara shumë vite më parë, kur kompania mëmë e saj në Amerikë, “General Motors” u godit rëndë nga kriza.

Komisioni është një vend shumë tërheqës për të punuar: Për çdo pozicion aty vijnë me qindra aplikime për punë nga i gjithë kontinenti. Nëse një 27-vjeçar siguron një vend pune këtu, atëherë nuk është e pazakontë që ai të negociojë probleme që lidhen drejtpërdrejtë me interesat e një CEO-je apo një udhëheqësi të një qeverie – një fenomen që është më tipik për kompani të mëdha globale konsulence, si për shembull McKinsey. Nëse ia dalin të ngjiten drejt pozicioneve më të lartë të stafit në Komision, nëpunësit civilë në Bruksel mundet që të fitojnë një pagë edhe më të lartë se kancelari i Gjermanisë – kryesisht për shkak të zbritjeve dhe taksave më të ulëta.

Fokus mbi modestinë

Por mes punonjësve të Komisionit, fokusi vihet mbi modestinë. Ata kanë qejf ta përmendin që, ndryshe nga liderët e tjerë europianë, Presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso nuk ka një avion të tijin dhe fluturon me linjat ajrore komerciale. Takimet zyrtarë zhvillohen në një “korridor pritjesh”, orenditë me lëkurë të të cilit janë kaq të vjetëruara, saqë një vizitor aziatik një herë ofroi që të sillte orendi më të respektueshme. Atyre u pëlqen gjithashtu të mburren që Komisioni, i cili ka përgjegjësi administrative për rreth 500 milionë qytetarë të BE-së, ka pothuajse të njëjtin numër të punësuarish në bordero sa edhe qyteti i Mynihut.

Ka arsye të forta që zyrtarët e BE të shfaqen modestë për botën e jashtme. Ata janë plotësisht të vetëdijshëm, se si janë shndërruar në “kurbanë” për një Europë që është bërë gjithnjë e më e pasigurtë në vetvete, në mesin e krizës financiare globale dhe krizës europiane të borxheve dhe euros. Socialdemokratët, kristiandemokratët, liberalët dhe euroskeptikët me parti si Alternativa për Gjermaninë – qofshin këta në Berlin, Athinë apo Romë – të gjithë duken të gatshëm t’u vërsulen eurokratëve të Komisionit në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Europian, që fillojnë të enjten e ardhshme. Ata thonë se pjesëtarët e Komisionit kanë një zell të tepruar në punën e tyre, duke miratuar rregullore për gjëra që fillojnë te turshitë dhe mbarojnë tek kokat e dushit.

Kjo temë doli në pah gjatë debatit të fundit në televizion mes dy kandidatëve kryesorë në zgjedhjet për parlamentin europian, kandidatit kristiandemokrat Jean-Claude Juncker dhe kandidatit socialdemokrat, aktualisht president i Parlamentit Europian, Martin Schulz. Në disa raste, Schulz deklaronte me zemërim se nuk është “një eurokrat”, një fjalë që e konsideron si pezhorative.

Njerëzit nuk duken se duan ta bëjnë dallimin. Edhe nëse shtetet anëtarë të BE apo komunitetet lokalë janë përgjegjës për shtytjen e rregulloreve të reja, është më e lehtë për shumë prej tyre që thjeshtë të fajësojnë Brukselin. Atyre nuk duket se u bëhet vonë që ndonjëherë ka kuptim të hartohen rregullore unike për të gjithë BE-në, në vend të një serie rregulloresh kombëtare. Eshtë e pashmangshme që, ata që gjenden përballë një trysnie të tillë zakonisht mbyllen në vetvete, dhe me kalimin e dekadave eurokratët kanë zhvilluar një esprit de corps të vërtetë. Ata e shohin veten si njerëz që keqkuptohen, të cilët janë të vetmit që munden të shpëtojnë idenë europiane sepse, besojnë ata, janë të vetmit që e kuptojnë.

Pak njerëz e njohin më mirë këtë lloj dikotomie, se sa Johannes Laitenberger, shefi i Kabinetit i Barrosos. Ai ka një fytyrë rinore dhe mban nga ai lloj kostumi që zyrtarët në Komisionin Europian duket sikur i blejnë me dhjetëra kur fillojnë punë. Laitenberg ka lindur në Hamburg dhe është rritur në Portugali. Kur ai dhe shefi i tij janë vetëm, ata flasin portugalisht.

Laitenberger thotë se e kupton shumë mirë mënyrën se si njerëzit e imagjinojnë jetën e përditshme në Bruksel. “Ata mendojnë që ne të gjithë ngasim makina që nuk ndosin ambientin, shkojmë me to në zyrat tona shumë të mëdha dhe ulemi me njëri-tjetrin në mëngjes dhe mendojmë se si të krijojmë rregullore të reja për qytetarët e Europës”, thotë ai. Laitenberger thotë se herë pas here mund të ketë shfaqje të një zelli të tepruar në administratën e tij, por shton se rregulloret e BE përgjithësisht adresojnë probleme për të cilët debatet ligjoë janë duke ndodhur në nivel kombëtar. Ai thotë gjithashtu se vendimet më të rëndësishëm mund të merren vetëm nga komisionerët – ku secili përfaqëson një shtet anëtar – dhe që propozimet ligjorë duhet të miratohen nga Parlamenti Europian dhe nga Këshilli Europian, organi i fuqishëm që përfaqëson udhëheqësit e 28 shteteve anëtarë. “Si zyrtarë të BE-së ne punojmë si marinarë”, shpjegon ai. “Janë komisionerët e legjitimuar politikisht që qëndrojnë në urën e kapitenit, dhe që janë të dukshëm për gjithkënd”.

Po sa të dukshëm janë? Politikanë si Androulla Vassiliou, komisioneri qipriot për arsimin, kulturën dhe multilingualizmin, apo Maros Sefcovic, komisioneri sllovak për marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe administratën, nuk janë aspak emra që njihen në familjet europiane. Organizimi aktual – një komisioner për secilin shtet anëtar – do të mbetet i tillë sepse 28 shtetet anëtarë të BE-së hodhën poshtë planet origjinalë për të reduktuar numrin e vendeve në Komision. Kjo do të thotë që kakofonia e krijuar prej shumë komisionerëve të panjohur dhe të papërvojë ka gjasa të vazhdojë.

Fundi i pjesës së parë

Leave a Reply

Back to top button