Shendeti

Demenca, gjithçka që duhet të dini, nga shkaqet tek faktorët e rrezikut

Demenca është një sëmundje që dëmton qelizat e trurit, duke çuar në një përkeqësim progresiv të kujtesës, të menduarit dhe komunikimit, si dhe në ndryshime të personalitetit. Gati 50 milionë njerëz në mbarë botën po jetojnë me këtë gjendje, dhe numri pritet të rritet ndërsa popullsia po plaket gjithnjë e më shumë.

Rreth 2/3 e rasteve të demencës janë sëmundja e Alzheimerit. Por ekzistojnë mbi 200 lloje të tjera të demencës. Edhe brenda këtyre kategorive, pacientët mund të shfaqin simptoma të ndryshme. Për shembull, disa njerëz mund të mos e dinë se janë të prekur nga demenca apo që aftësitë e tyre janë të kufizuara prej saj.

Ndërsa të tjerë do të jenë të vetëdijshëm, të paktën disa herë. Megjithatë, teksa sëmundja përparon nëpër fazat e saj të hershme, të mesme dhe të vonshme, përfshihen më shumë zona të trurit dhe simptomat e llojeve të ndryshme të demencës fillojnë të duken më të ngjashme.

A mund ta kontastohet demenca në një skanim të trurit?

Po dhe jo. Ndërsa skanimet MRI dhe CT përdoren shpesh për të konfirmuar një diagnozë të demencës – pas testeve më të thjeshta me pyetje dhe përgjigje – disa nga ndryshimet në tru që mund të shihen në rastin e demencës, vërehen edhe në situata të tjera, si për shembull gjatë menopauzës tek gratë.

Pra, është e vështirë të jesh absolutisht i sigurt. Në fakt, shumë njerëz që jetojnë me demencënuk janë diagnostikuar zyrtarisht. Mendohet se më shumë se 1/4 e rasteve mund të diagnostikohen gabimisht. Në disa raste pacientët janë diagnostikuar dhe trajtuar gabimisht me sëmundjen e Alzheimerit.

Një shembull i tillë është ai i Aleks Preston nga Britania e Madhe që u diagnostikua në vitin 2014 me këtë sëmundje, mori mjekim për 7 vjet, derisa zbuloi se diagnoza ishte e gabuar.

Për një kohë të gjatë, mënyra e vetme për të konfirmuar diagnozën e Alzheimerit ishte përmes autopsisë.

Pra truri i dikujt mund të ekzaminohej vetëm pas vdekjes së tij. Tani ekspertët mund të dallojnë shenjat e sëmundjes përmes imazheve të sofistikuara të trurit dhe marrjes së mostrave të lëngut kurrizor. Por këto teknika përdoren më shpesh në studimet kërkimore sesa në spitale.

Po çfarë e shkakton demencën?

Qelizat e trurit (neuronet) dëmtohen dhe vdesin si pjesë e proceseve normale të plakjes. Por njerëzit me demencë, humbasin shumë më tepër neurone sesa zakonisht, dhe kjo gjë nis të ndodhë para se të bëhen të dukshme simptomat. Tek Alzheimeri, dëmtimi ndodh kur proteinat grumbullohen së bashku në mënyra jonormale, duke formuar pllaka të forta dhe gërshetime midis dhe brenda qelizave të trurit.

Pllakat janë të përbëra nga beta amiloidi, që është i pranishëm edhe tek truri i shëndetshëm, megjithëse ne nuk jemi të sigurt se cili është saktësisht roli i tij. Ndërkohë gërshetimetpërbëhen nga proteinat tau, të cilat zakonisht punojnë me mbështetës strukturorë të quajtur mikrotubula për t’i dhënë neuroneve formën e tyre të veçantë.

Në rastin e Alzheimer proteinat tau ndahen nga mikrotubulat dhe ngjiten me njëra-tjetrën për të formuar fije të gjata që bllokojnë qelizat dhe i pengojnë të kalojnë sinjalet nervore jetike.

Studimet aktuale po përpiqen të zbulojnë mënyrën se si ndërveprojnë dy llojet e proteinave.

Një hipotezë është se ajo mund të ndajë një “farë” të përbashkët që nis me akumulimet jonormale. Proteinat janë të përfshira edhe në lloje të tjera të demencës, siç është demenca e trupit Levi, ku ka një grumbullim të proteinës alfa-sinukleinë. Por truri mund të dëmtohet nga sëmundja e Parkinsonit, ose nga mungesa e furnizimit me gjak (demenca vaskulare).

Kush mund të preket nga demenca?

Demenca është shumë e zakonshme. Një studim i vitit 2020, që shqyrtoi normat në mbarë botën tregoi se gjasat për t’u prekur prej saj rriten me moshën. Edhe pse vetëm rreth 70 njerëz në çdo 1000 preken në moshën mbi 50-vjeçare, kushdo që jeton mbi 100 vjeç ka më shumë gjasa të ketë demencë sesa jo, me rreth 660 nga çdo 1000 njëqindvjeçarë të prekur.

Demenca para moshës 65 vjeçare, quhet zakonisht demencë e hershme. Nuk është e lehtë të thuhet se çfarë e bën një person më të ndjeshëm ndaj gjendjes sesa një tjetër, megjithëse gratë duket se preken më shumë se burrat. Ajo që ndikon është një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe i stilit të jetesës.

APOE është ndoshta gjeni me lidhjen më të fortë me këtë gjendje. Por ndërsa një variacion i gjenit APOE mbart një rrezik më të lartë të Alzheimerit, njerëzit me një rrezik më të lartë mund të mos vazhdojnë të kenë demencë për shkak të ndryshimeve në stilin e jetës.

Faktorët e stilit të jetesës duke përfshirë edukimin, dietën dhe zakonet e gjumit mendohet se  ndikojnë në rrezikun e përgjithshëm. Po ashtu mund të kenë ndikim disa probleme shëndetësore të përjetuara në moshën e mesme, si presioni i gjakut, mbipesha dhe problemet e zemrës. Madje ka disa prova që sugjerojnë se të jetosh në një zonë me më shumë ndotje tëajrit, mund të rrisë rrezikun e prekjes nga demenca.

A mund ta trajtohet kjo sëmundje?

Demenca është një sëmundje e pashërueshme. Por ekspertët shpresojnë që njohja e dëmtimeve që çojnë më pas tek demenca përpara se të shfaqen simptomat e saj, mund të na lejojë të zhvillojmë trajtime, të cilat mund të ngadalësojnë përparimin e gjendjes ose të parandalojnë shfaqjen e simptomave.

Sot qëllimi kryesor i trajtimeve, është të ndihmojë në uljen e vuajtjeve të personit, megjithëse ka edhe ilaçe dhe aktivitete që mendohet se i sjellin dobi trurit të tyre. Barnat më të përshkruara quhen frenues të acetilkolinesterazës. Ato ndihmojnë në rritjen e niveleve të një molekule kryesore – acetilkolina – e përfshirë në transmetimin e sinjalit nervor në tru, duke bllokuar një enzimë që zakonisht e shkatërron atë.

Veprimi i këtyre barnave mund të ndihmojë në lehtësimin e disa simptomave. Ndërkohë, disa studime sugjerojnë se të luash lojëra si për shembull shah, të bësh ushtrime fizike, dhe tëmarrësh pjesë në ngjarje sociale si festat e ditëlindjeve, mund të ndihmojë në ruajtjen e funksionit më të mirë të trurit. Megjithatë, kur sëmundja ka përparuar në fazat e mëvonshme, disa nga këto aktivitete mund të jenë shumë stresuese. / Science Focus – Bota.al

Back to top button