Analiza

“Dëshirat mund të realizohen. Por… kujdes çfarë dëshironi”

NGA IVAN KRASTEV

“Evropa nuk është më e njëjta. Roli i ri që duhet të luajë Shqipëria për t’u integruar”
Pra, kujdes me atë që dëshironi. Sepse ndryshe, mund t’iu ndodhë si atij djalit që zuri një ditë një peshk të artë në lum, i cili i kërkoi ta lironte në këmbim të realizimit të tri dëshirave. Dhe djali ishte i sigurtë se çfarë dëshirash kishte. Së pari, të ishte një princ, së dyti të zgjohej në mëngjes nga një princeshë e bukur dhe së treti, të udhëtonin së bashku në vende interesante dhe plot aventura. Dëshirat e tij u plotësuan. Të nesërmen ai u zgjua në një krevat princi, dera u hap nga një princeshë e bukur, e cila i tha: “Franc Ferdinand, erdhi koha të nisemi për në Sarajevë”.
Ivan-Krastev

“Kriza ekonomike dhe kriza e Ukrainës janë dy çështje që e kanë ndryshuar Evropën. Dhe do të ndryshojnë mënyrën se si vepron dhe gjykon Evropa. Në impaktin politik, për herë të parë si rezultat i krizës, 50 përqind e evropianëve kanë nisur të mendojnë se brezat e tjerë do të jetojnë më keq se ç’kanë jetuar ata. Kanë pritshmëri të tjera.
Së dyti si rezultat i krizës ekonomike, po shikojmë një ndarje të re të Evropës. Tashmë jo vetëm Perëndimi me Lindjen, por më shumë Veriu dhe Jugu, vende të Eurozonës dhe ato jo të Eurozonës, dhe mbi të gjitha, tani edhe mes kreditorëve dhe debitorëve. Si rezultat i kësaj, po përballemi me një situatë të re, ku kriza po e detyron BE-në që të kërkojë institucionalisht më tepër integrim, por realisht në politikën e brendshme të saj, të flasë për më tepër kufizime dhe mbyllje.
Ky është një lajm i keq për Shqipërinë. Në një mënyrë apo tjetër, ju po bëheni pjesë e një BE-je që është krejt e ndryshme nga ajo që ishte kur hyri Bullgaria apo Rumania. Si rrjedhojë, strategjia që duhet të ndiqni ju për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian duhet të jetë e ndryshme nga ajo e vendeve tona. Ka disa qarqe dhe rrethana që e bëjnë më të vështirë, dhe në shumë drjtime, gjithnjë e më shumë një proçes politik integrimin.
Përsa i përket krizës ukrainase, ju jeni më ekspertë se unë. Të gjithë janë kapur në befasi nga kjo lëvizje e Rusisë. Nuk ishte një sekret se, që në vitin 2010 Rusia kishte plane ushtarake veprimi për të aneksuar Krimenë, për shkak të daljes së saj në Detin e Zi dhe mundësisë së hapjes së mëtejshme të NATO-s në këto anë të Globit. Nëse Rusia do të vazhdonte ta mbante Krimenë në situatën e një konflikti të ngrirë e të vazhdueshëm, kjo nuk do të habiste askënd. Ajo që shokoi të gjithë ishte fakti që vetëm në dy javë, kufijtë e territoreve që mendoheshin tashmë të paprekshëm u ndryshuan pa ndonjë përpjekje të madhe, në sytë e gjithë botës. Në pikëvështrimin tim, kjo që ndodhi në Krime ishte një simbol mjaft i rëndësishëm për udhëheqësinë ruse, për të dëshmuar se ata nuk i nënshtrohen rendit evropian, në mënyrën se si ai funksionon aktualisht. Rendit evropian, por në një farë mënyre edhe atij ndërkombëtar. Një nga besimet më të fortaë që u krijuan në periudhën e pas vitit 1989, pra në rendin e pas Luftës së Ftohtë, ishte fakti që rendi evropian ishte i ndryshëm nga rendi ndërkombëtar. Evropa e ka parë veten në këtë periudhë si një territor i ndryshëm, të largët nga dhuna dhe konfliktet ushtarake, si ato që po ndodhin së fundi në Irak apo Siri. Kjo ka çuar evropianëtdrejt një bindjeje të përgjithshme, të reduktimit të shpenzimeve dhe forcës ushtarake në vitet e fundit. Situata e fundit në Ukrainë, i ka bërë shumë vende evropiane, sidomos vendet Balltike, që ndodhen edhe më pranë Rusisë, që të mendojnë ndryshe për rëndësinë e forcës ushtarake që duhet të kenë në dispozicion.
Së dyti, deri më sot ne ishim mësuar të mendonim se siguria jonë ishte e bazuar tek bashkimi. Sa më shumë të bashkuar, aq më shumë të sigurtë do të ishim. Por kjo krizë nxorri në pah se jo gjithnjë ndërvarësia ekonomike është e lidhur me ndërvarësinë e sigurisë. Gjithashtu, dolën në pah disa nga pasiguritë tona, se siguria ekonomike dhe siguria kombëtare nuk janë gjithnjë të garantuara, qoftë edhe nën një bashkim të tillë. Dhe nëse ky bashkim institucional nuk funksionon si duhet në këto dy aspekte, sigurisht që presionet për të dalë jashtë nga kjo strukturë do të shtohen.
Çfarë mund të thuhet në këtë situatë për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit ? Deri më sot, Evropa ka qënë e fokusuar tek Shqipëria për shkak të krizës së Kosovës dhe rolit që mund të luanin ambasadorët shqiptarë. Por tashmë që kriza e Kosovës ka kaluar dhe kriza të tjera si kjo e Ukrainës kanë trokitur në portat e Evropës, vëmendja e BE-së nuk është më e njëjta. Gjithashtu, si rezultat i krizës ekonomike, situatat e brendshme kanë ndryshuar, duke bërë gjithnjë e më të fortë zërat për një mbyllje ndaj integrimit të vendeve të reja dhe integrimit të të huajve në shoqëritë evropiane.
Por edhe në këtë situatë mund të ketë diçka pozitive. Si rezultat i krizës ukrainase, BE e kuptoi se Ballkani ka mbetur mbrapa dhe është një rajon i pakonsoliduar. Në shumë vende të Ballkanit ka situata të tensionuara, të cilat mund të rëndohen nëse nuk trajtohen. Ju si Shqipëri mund të luani një rol të rëndësishëm në këto momente në rajon, për shkak të pozicionit tuaj të veçantë. Siç e thashë edhe më parë, integrimi evropian do të jetë gjithnjë e më shumë i ndikuar nga faktorët politikë. Dhe ju si vend, ndryshe nga fqinjët tuaj ballkanikë, nuk ndodheni në ndonjë situatë presioni për të zgjedhur mes Evropës dhe Rusisë. Presion që Rusia e ushtron tradicionalisht në disa forma me vendet e tjera të rajonit.
Pikën e fundit ku dua të ndalem, po e sjell nëpëmjet një historie ilustruese që e kam tepër për zemër. Njerëzit ndodhen shpesh në situatën që mendojnë se e dinë shumë mirë se çfarë dëshirojnë. Por në këto situata ndryshimesh të shpejta që ndodhet Evropa, duhet të jesh shumë i kujdesshëm se çfarë dëshiron. Pra, kujdes me atë që dëshironi. Sepse ndryshe, mund t’iu ndodhë si atij djalit që zuri një ditë një peshk të artë në lum, i cili i kërkoi ta lironte në këmbim të realizimit të tri dëshirave. Dhe djali ishte i sigurtë se çfarë dëshirash kishte. Së pari, të ishte një princ, së dyti të zgjohej në mëngjes nga një princeshë e bukur dhe së treti, të udhëtonin së bashku në vende interesante dhe plot aventura. Dëshirat e tij u plotësuan. Të nesërmen ai u zgjua në një krevat princi, dera u hap nga një princeshë e bukur, e cila i tha: “Franc Ferdinand, erdhi koha të nisemi për në Sarajevë”.
* Fjala e Ivan Krastev mbajtur në konferencën vjetore të ambasadorëve shqiptarë, Ministria e Jashtme, 4 korrik 2014

Leave a Reply

Back to top button