Histori

DESHMITARE TE HISTORISE: Prohibicionizmi, eksperimenti “i mrekullueshëm” që krijoi Amerikën e Al Kapones

Me kalimin e kohës, mësova se jo çdo gjë në Amerikë ishte si dukej. Për shembull, zbulova se një gomë rezervë mund të ishte e mbushur me substanca të tjera veç ajrit, se nuk duhet të shohësh shumë thellë në dylbi të caktuara, dhe se Arushët Teddy prej pellushi që krejt papritur fituan shumë popullaritet mes zonjave, shpesh herë kishin stomakë të zbrazët prej metali. Po, do të pyesë ndokush, ku e gjejnë alkoolin gjithë këta njerëz?

Screen Shot 2015-07-18 at 09.26.31Ushtarët amerikanë që ktheheshin nga lufta në Evropë, vinin në shtëpi dhe gjenin një Amerikë shumë më të ndryshme nga ajo që lanë pas. Në mungesë të tyre, dy amendamente i ishin shtuar Kushtetutës. Amendamenti i 18, ratifikuar në 1919 solli epokën e Prohibicionizmit duke nxjerrë jashtë ligji prodhimin, shitjen apo transportimin e alkoolit. Amendamenti i 19, ratifikuar në 1920, i jepte gjysmës së popullsisë të drejtën e votës, domethënë grave. Ishte menduar që kombinimi i këtyre dy akteve legjislativë do të transformonte për më mirë Amerikën: në fillim duke eleminuar efektet e dëmshëm të “Rumit të Djallit” dhe së dyti duke sjellë influencën qetësuese të grave në politikën kombëtare.

Alkooli kish qenë një burim shqetësimi që nga epoka koloniale. Lëvizja e përmbajtjes fitoi forcë pas Luftës Civile, me rritjen e disa organizatave si Liga Anti-Birrari si dhe Unioni i Grave të Krishtera. Birraritë që kishin mbushur lagjet e Amerikës shiheshin si burim i shumë prej problemeve socialë të vendit. Dobësi të tilla si krimi, abuzimet martesore e madje edhe produktiviteti i ulët i punëtorëve mund të pastroheshin duke eleminuar burimin e tyre – konsumin e alkoolit. Amendamenti i 18 duhej të ishte një “Eksperiment i Mrekullueshëm” që do të transformonte për më mirë Amerikën.

Shpresat e mëdha që frymëzuan eksperimentin, shumë shpejt i mori era. Zbatimi ishte pothuajse i pamundur. Kongresi alokoi një shumë të vogël prej 5 milionë dollarësh për këtë qëllim. Nisën të lulëzojnë aktivitetet e paligjshëm. Kufijtë e vendit u shndërruan në një sitë prej nga depërtonin pijet e huaja. Edhe në vend vazhdohej të prodhohej. Prodhimi, shpërndarja dhe shitja e pijeve alkoolike u kthye në një industri pasurimi për bandat e paligjshme në Amerikën e Al Kapones. Deri në fund të dekadës, kombit i kish ardhur në majë të hundës me këtë eksperiment. Pezmatimi, i kombinuar me ndërgjegjësimin që taksat për shitjen e ligjshme të alkoolit do të sillnin të ardhura aq të nevojshme për shtetin dhe qeverisjen lokale çuan në ratifikimin e Amendamentit 21 në 1933, i cili shfuqizoi Amendamentin 18. “Eksperimenti i Mrekullueshëm” kish marrë fund.

DËSHMIA

Kont Feliks fon Lukner ishte një hero i marinës gjermane që vizitoi SHBA bashkë me të shoqen në vitin 1927. Ai ofron një impresion të një vizitori në lidhje me Prohibicionizmin:

“Them se duhet të parashtroj investigimin tim në lidhje me çështjen e prohibicionit. Këtu ka një përvojë të re, në festimet e një klubi. Çdo burrë shfaqet me një portofol mbresëlënës. Secili merr gotën e tij me ujë të pastër; mbi tryezë mbretëron ligji. Çantat qëndrojnë poshtë karrikeve. Shumë shpejt, ato merren, dëgjohet zhurma e gëzueshme e tapave që hapen, dhe nisin gllënjkat e njëpasnjëshme të pijeve alkoolike.

Ose, unë vij në një banket në restorantin e një hoteli. Mbi tryezë ndodhen verërat më të mira. Pyes, si ka mundësi? Përgjigja: Dy prej anëtarëve tanë jetuan në hotel për tetë ditë dhe çdo ditë sillnin ngarkesa me këtë verë të kushtueshme në valixhet e tyre”. Informatori im ishte çmendur nga gëzimi, për shkak të kësaj.

Përvoja ime e parë me metodat e prohibicionit erdhi ndërkohë që po argëtoheshim me miq në Nju Jork. Ishte një i ftohtë therës. Ime shoqe dhe unë ishim zhytur në sediljet e makinës, ndërkohë që amerikani dhe bashkëshortja e tij, e zhytur në një gëzof, qëndronin para. Pasi kisha mbështjellë gruan time me batanije e jastëkë, saqë vetëm hunda i dukej, hasa në diçka që dukej se qëndronte varur në anë. “Epo, mendova, ky ishte një jastëk i mirë. Përderisa gjithë të tjerët janë kaq ngrohtë e të kënaqur, edhe unë duhet të bëj dicka për rehatinë time. Kjo që qëndron varur nuk i bën mirë askujt”. Tek qëndroja mbi të, vërejta një lagështi që shumë shpejt u shndërrua në një “vërshim”. Aroma e konjakut të mirë më bëri të kuptoj se kisha thyer shishen e konjakut të bujtësit.

Me kalimin e kohës, mësova se jo çdo gjë në Amerikë ishte si dukej. Për shembull, zbulova se një gomë rezervë mund të ishte e mbushur me substanca të tjera veç ajrit, se nuk duhet të shohësh shumë thellë në dylbi të caktuara, dhe se Arushët Teddy prej pellushi që krejt papritur fituan shumë popullaritet mes zonjave, shpesh herë kishin stomakë të zbrazët prej metali.

Po, do të pyesë ndokush, ku e gjejnë alkoolin gjithë këta njerëz? Shumë e thjeshtë. Prohibicioni ka krijuar një angazhim të ri, universalisht të respektuar, shumë të dashur dhe shumë fitimprurës, atë të kontrabandistit të pijeve alkoolike që kujdeset për importin e pijeve të ndaluara. Të gjithë e dinë këtë, madje edhe qeveritarët. Por ky profesion dashurohet pasi është shumë i rëndësishëm, dhe respektohet se ndjekja e tij është e veshur me një element rreziku dhe risk sportiv. Aty-këtu kapet ndokush, dhe ai ose vuan dënimin e tij në burg, ose nëseka para sa duhet, bën që dikush tjetër ta vuajë dënimin në vend të tij.

Megjithatë, nuk mund të mohohet se prohibicionizmi ka qenë në disa drejtime i suksesshëm. Sallonet e ndyrë, punishtet e xhinit që më parë lulëzonin në cdo qoshe dhe ku punëtori më parë pinte gjysmën e pagës, janë zhdukur. Tani, në vend të kësaj ai mund të blejë makinën e tij dhe të kalojë një fundjavë apo disa ditë me bashkëshorten dhe fëmijët në fshat apo në det. Por, nga ana tjetër, një sasi jo e vogël helmi dhe alkooli metilik ka zënë vendin e uiskit të dikurshëm, aq të mrekullueshëm. Numri i krimeve që buronin nga pija ka rënë. Por, në të kundërt, një numër i madh i popullsisë është mësuar të injorojë dhe shkelë ligjin pa u menduar. Më e keqja është se, pikërisht si pasojë e ligjit, shija dhe dëshira për alkool është përhapur shumë mes të rinjve. Joshja sportive e të ndaluarës dhe të rrezikshmes sjell shkelje. Vëzhgimi im më ka bindur se shumë më pak vetë do të pinin alkool nëse ai do të ishte i ligjshëm”.

* Kjo dëshmi është e botuar në “Von Luckner, Count Felix, Seeteufel Erobert Amerika” (1928), dhe ribotuar në “Kjo ishte Amerika” e Oscar Handlin

Leave a Reply

Back to top button