Analiza

Dështimi i Europës

Reagoi shumë vonë ndaj rrezikut që paraqisnin islamikët e rikthyer. “Ndoshta jo vetëm shërbimet e sigurisë, por edhe hartuesit e politikave kanë qenë shumë naivë…”

Xhoshi Herman

coulibaly

Ndërsa Franca po mban zi për viktimat e aktit më të rëndë terrorist që prej mesit të viteve ’90 me sulmet e Grupi të Armatosur Islamik, vëmendja është kthyer tek rëndësia që ka lufta civile në Siri.
Një ish-agjent britanik i kundër-terrorizmit, ka deklaruar për “Newsweek” se autoritetet në Britani dhe Francë po “përballen me pyetje të vështira”, lidhur me lejimin e xhihadistëve të rinj, për të udhëtuar dhe bashkuar rebelëve sirianë, veçanërisht në ditët e para të luftës civile, kur edhe Shteti Islamik nuk ishte ende pala dominuese e luftimeve.
Ndërkaq një tjetër agjent francez i sigurisë, thotë se shërbimet e inteligjencës evropiane, e nënvlerësuan hapur rrezikun e grupeve xhihadiste të lidhura me Sirinë. Lidhjet mes konfliktit sirian dhe sulmeve në Paris kanë filluar tanimë të shpërfaqen.
Së pari me një video që qarkullon në internet, dhe që tregon pikërisht personin e armatosur të supermarketit hebre, Amedi Kulibalin, duke u betuar për besnikërinë e tij ndaj ISIS-it, por edhe sugjerimeve në mediat amerikane se vëllezërit Kuashi, mund të ishin kthyer nga Siria kohët e fundit. Televizioni amerikan CNN, iu referua një burimi francez, duke raportuar se Sherif Kuashi, mund të kishte qenë në Siri për disa kohë, dhe u rikthye në Francë në gusht të vitit të kaluar, ndërsa “USA Today”, e rikonfirmon se 2 vëllezërit u kthyen verën e kaluar.
Çarls Showbrixh, një ish-agjent i kundër-terrorizmit në Britaninë e Madhe, thotë se strategjia e qeverive perëndimore ndaj konflikti sirian, tani duhet të rishqyrtohet, në një kohë që shtoi se fushëbetejat “kanë shërbyer si inkubatorë për kultivimin e llojit të terrorizmit xhihadist, që shihet gjithnjë e më shumë në rrugët e Evropës”. “Në 2 prej 3 viteve të fundit, vende të tilla si Britania e Madhe apo Franca kanë bërë shumë pak për të frenuar flukset e qytetarëve të tyre drejt një Sirie apo Libie tashmë të destabilizuara, ndoshta duke besuar se këta xhihadistë do t’u shërbejnë objektivave të politikës së jashtme perëndimore, sikurse ishin për shembull sulmet ndaj Gedafit dhe Asadit”- thotë Showbrixh për “Newsweek”.
Ai vazhdon më tej, duke theksuar se deri kur shërbimet vendase të inteligjencës, filluan të paralajmërojnë për rreziqet që paraqiste rikthimi i njerëzve të tillë, dhe kur grupe të tilla si ISIS-i, filluan gjatë vitit të kaluar, të kthehen kundër Perëndimit në Irak dhe Siri, nuk kishte asnjë masë serioze për të penguar fluksin e qytetarëve të Britanisë së Madhe apo dhe të qytetarëve francezë, drejt atyre që në fakt ishin baza të krijuara nga perëndimi për rekrutimin e rebelëve.
Kur Evropa e kuptoi më në fund se kjo ishte më një eksperiencë e pëlqyeshme dhe për pasojë duhej ndalura, tashmë ishte shumë vonë”- deklaron ai. Analisti i çështjeve të sigurisë dhe njëherazi shkrimtari Nafiz Ahmed, që ka qenë tepër kritik ndaj programit anti-ekstremist në televizionin britanik “Channel”, mendon se qasja ndaj ekstremistëve të lidhur me Sirinë, ishte e gabuar. “Ajo që ne dimë, është se policia ndërmorri masa të pamjaftueshme. U zhvilluan një mori procesesh gjyqësore në vitin 2008, por ka pasur një rrjet të tërë që ishte aty, dhe që ishin nën mbikqyrje. Në një moment të caktuar, kishte një vendim për t’i lënë këta njerëz të lirë, madje edhe brenda në Paris, pasi ata ishin duke ikur jashtë vendit. Unë kam dëgjuar nga policia franceze dhe agjentët të thoshin, se nuk mendonin se kishte një kërcënim për vetë Parisin.
Por pyetja që lind është: Në çfarë përmase kjo liri, i lejoi ata njerëz të operojnë brenda Francës dhe Britanisë dhe të kryejnë aktivitetet e tyre të rekrutimit? Një burim pranë shërbimeve franceze të sigurisë nuk beson se policia dhe agjentët e injoruan rekrutimin e terroristëve, por pranojnë hapur se “ishin naivë”.
“Unë mendoj se konfuzioni i autoriteteve evropiane i lejoi rekrutuesit të mendonin se ishte diçka e ligjshme të shkoje në Siri. Unë nuk them se ata ishin “lejuar” për ta bërë këtë, por në mënyrë të qartë, ata nuk ishin të penguar sa duhet. Në 2 vitet e para, shumë shërbime sekrete nuk i kushtuan vëmendjen e nevojshme kësaj situate, dhe në rastin konkret ishte pikërisht Belgjika ajo që lëshoi alarmin” – thotë Ahmed.
Sipas tij, fillimisht autoritetet e trajtuan këtë si një problem humanitar dhe social për “të rinjtë e varfër që shkojnë në Siri, duke u ekspozuar ndaj dhunës”. Asokohe shumë pak vetë e kuptuan se ky ishte ‘një Afganistan i ri’ për xhihadistët, por në një shkallë shumë më të madhe”. Ky është edhe rasti i dy vëllezërve Kuashi, Kulibalit dhe të dashurës së tij Hajat Bumedine, që mendohet të jetë larguar nga Franca ndoshta drejt Sirisë. Të gjithë ata ishin lidhur me të njëjtin grup xhihadist në Paris, Buttes-Chaumont. “Unë mendoj se deri një vit më parë, ata cilësoheshin si një shaka”- thotë agjenti francez. “Ata njerëz – vijon ai – ishin ekstremistë, por kryesisht kufizoheshin vetëm duke folur në rrugë, duke u thënë muslimanëve të këpusnin lidhjet me shoqërin e -një këshillë kjo e tmerrshme, por që nuk përbënte prioritetin kryesor. Pjesëtarët e organizatave të tilla si “Sheriati për Belgjikën” apo edhe ekuivalentja e saj në Londër, janë cilësuar si njerëz të çmendur dhe mjaft qesharakë. Ata janë trajtuar si ekstremistë mesatarë. Ndoshta jo vetëm shërbimet e sigurisë, por edhe hartuesit e politikave kanë qenë shumë naivë”./“Newsweek”/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button