Analiza

Dështimi i imagjinatës së Perëndimit

Screen Shot 2015-08-13 at 15.50.44

Nga Christopher Walker

Që demokracitë të triumfonin në betejën e gjatë kundër komunizmit sovjetik, u desh një përkushtim i jashtëzakonshëm. Beteja gjeopolitike dhe ideologjike kërkonte investime ushtarake, durim dhe vendosmëri. Kjo sfidë kërkonte edhe një rezervë imagjinate, apo të kuptuari dhe reaguari ndaj sfidës sovjetike me ide, instrumenta mediatikë dhe teknologji, që ishin të gjitha pjesë e avantazhit konkurues të botës demokratike.

Pas këtij projekti shumë të vështirë, SHBA dhe demokraci të tjera perëndimore morën frymë të lehtësuara, duke besuar në periudhën e pas Luftës së Ftohtë, se bota tashmë kishte ndryshuar përfundimisht, dhe forcat e antiliberalizmit ishin mposhtur.

Duke patur parasysh madhësinë e investimeve dhe shtrirjen në kohë të asaj lufte, impulsi për t’u relaksuar ishte i kuptueshëm. Megjithatë, kur e sheh sot, një tjetër realitet është bërë i qartë: Perëndimi demokratik fitoi Luftën e Ftohtë, por në ndërkohë, humbi imagjinatën e tij politike.

Sot, një seri forcash antidemokratike, që kemi zbuluar se shkojnë përtej imagjinatës sonë, kanë fituar vrull dhe po përpiqen të ndryshojnë rendin botëror.

Marrim ringritjen e Rusisë. Vetëm disa vite më parë, do të ishte dukur e tepruar të imagjinoje se Moska do të aneksonte me forcë Krimenë dhe nxiste një luftë të përgjakshme në Ukrainën lindore, që do të rezultonte me shkatërrim masiv dhe mijëra të vdekur. Ishte gjithashtu e vështirë të imagjinoje, se në vitin 2015 qeveria e Rusisë do e shtypte jetën civile në një masë që të kujton epokën sovjetike, apo që Boris Nemtsovi, një udhëheqës i opozitës i mbështetur gjerësisht, do të mund të ekzekutohej gjakftohtësisht vetëm disa hapa larg nga Kremlini.

Në gusht 1991, pak kush mund ta kishte parashikuar që vetëm tetë vjet më vonë, një ish kolonel i KGB-së do të vinte në pushtet, do të mbetej udhëheqësi kryesor i Rusisë për një dekadë e gjysmë, dhe ndoshta do të vazhdonte ta mbante pushtetin edhe për shumë vite të tjerë.

Ndërkohë që kufijtë e imagjinatës së perëndimit janë tkurrur, ata të fuqive antiliberale janë zgjeruar. Epoka e Internetit mendohej që do të siguronte, që diktatorët nuk do të dominonin më atë që njerëzit dijnë dhe mendojnë. Por Vladimir Putini ka ndërtuar një makineri moderne propagande, që ka mundësuar shpëlarjen e trurit dhe militarizimin e shoqërisë ruse, ndërkohë që ka paralizuar aftësinë e PErëndimit për t’iu përgjigjur ambicieve të Kremlinit për të përmbysur rendin europian.

Ndërkohë, Kina i ka kthyer përmbys supozimet për trajektoren që pritej të ndiqte. Partia Komuniste Kineze ka vënë pasurinë e madhe ekonomike të vendit, në shërbim të forcimit të represionit shtetëror, në vend të liberalizimit.

Zotërimi i teknologjisë moderne dhe medias janë qendrorë, për rigjallërimin autoritar. Udhëheqësit joliberalë të Pekinit kanë mësuar të përdorin teknologjinë për qëllimet e tyre, duke sfiduar urtësinë tradicionale, duke kontrolluar lirinë politike të fjalës mes 640 milionë përdoruesve të Internetit. Për njerëzit që jetojnë në shoqëri të lira, është e paimagjinueshme që autoritetet kineze munden të censurojnë me një zotësi të tillë, saqë 1.3 miliardë bashkëatdhetarë të tyre, nuk e dinë të vërtetën për masakrën e Sheshit të Tiananmenit në vitin 1989.

I pyetur 15 vjet më parë në lidhje me ambiciet e Partisë komuniste Kineze për të censuruar Internetin, ish presidenti i SHBA, Bill Clinton ishte mosbesues. Clintoni, ashtu si shumë udhëheqës të tjerë Perëndimorë, nuk arriti të imagjinojë vendosmërinë e autokratëve në Kinë, të cilët, bashkë me homologët e tyre në Iran, Rusi, Arabinë Saudite, e kanë rritur shumë qasjen në Internet, ndërkohë që kanë kufizuar po kaq shumë lirinë e shprehjes politike online.

Duke përdorur globalizimin në avantazh të tyre, këta shtete represivë ia kanë dalë që të nxisin autocensurën tek partnerët e tyre perëndimorë, duke ribërë kështu normat e lirisë së shprehjes për akadmikët, think tanket, bizneset dhe mediat, që deri tani i kontrollojnë mirë standartet e tyre, përpara se të futen në këta vende. Kjo autocensurë ka prekur edhe aftësinë e Perëndimit për t’iu përgjigjur motivimeve dhe qëllimeve të liderëve autoritarë.

Aktorët e fuqishëm joliberalë, joshtetërorë e kanë sfiduar gjithashtu imagjinatën tonë. Në Lindjen e Mesme, Shteti Islamik ka shfaqur një imagjinatë mbresëlënëse në përdorimin e teknologjisë moderne, për të krijuar atë që disa e quajnë Kalifati Digjital, për të përhapur vizionin e vet të lig, nëpër hapësirën kibernetike dhe për të rekrutuar më shumë njerëz në radhët e veta. Sulmi i Al Kaedës në 11 shtator, në emër të fesë, ishte një akt i paimagjinueshëm për Perëndimin. Po kështu ishin edhe masakrat në Irak dhe Siri nga Shteti Islamik – gatishmëria e të cilit për të ekspozuar provat ishte gjithashtu e pamendueshme, deri kur nisi dhuna në masë.

Kjo sfidë e re ndaj Perëndimit nuk është aq e qartë, sa ajo e dikurshmja gjatë Luftës së Ftohtë. Sot, ka një shumësi forcash antidemokratike. Ky konstelacion paraqet një rrezik më kompleks, analiza e të cilit është më e ndërlikuar.

Pranda, pas më shumë se një viti luftë në Ukrainë, është e vështirë për shumëkënd që të imagjinojë se ambiciet e Kremlinit mund të shkojnë më tej. SHBA dhe Bashkimi Europian ende nuk mund të konceptojnë se niveli aktual i rrezikut që paraqet Rusia ndaj shteteve të Balltikut, për shembull, mund të zhvillohet në diçka më të rrezikshme.

Më themelorja, ne kemi ende vështirësi të besojmë se Rusia dhe fuqi të tjera joliberale e nënkuptojnë atë që thonë – dhe që ato do të përpiqen të ndryshojnë rendin liberal të pas Luftës së Ftohtë, sa kohë që ky është i pambrojtur.

Qasja indiferente dhe plot vetëkënaqësi, me të cilën është rehatuar bota demokratike në vitet e fundit nuk shkon me mjedisin armiqësor ndaj vlerave liberale. Pa një qëllim të rigjetur në Perëndim dhe një vizion pozitiv nga ana e demokracive, fati i botës do lihet në dorë të imagjinatës pjellore të të tjerëve.

Christopher Walker është Drejtor Ekzekutiv i Forumit Ndërkombëtar për Studime Demokratike

The Wall Street Journal – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button