Letersi

Detektivët në letërsi

Screen Shot 2016-04-15 at 23.26.45Këto pasazhe janë shkëputur nga “Gruaja e së dielës” shkruar në vitin 1972 nga Fruttero e Lucentini, një nga romanët më të lexuar në historinë e letërsisë italiane të 50 viteve të fundit. Personazhi kryesor në këtë libër është komisari Francesco Santamaria. Udhët e Carlo Fruttero-s (Torino, 1926) dhe Franco Lucentini-t (Romë, 1920 – Torino, 2002) u kryqëzuan për herë të parë diku në fund të viteve ’40 në një hotel, në Paris. Fruttero ishte transferuar në kryeqytetin francez për të gjetur punë, kurse Lucentini ishte laureuar në filozofi dhe kishte marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Pas kthimit në Itali në vitet ’50, ata nisën të punonin si përkthyes apo bashkëpunëtorë në shtëpi botuese si “Einaudi” apo “Mondadori”. Pasi kishin nisur të përkthenin në gjuhën italiane autorë si Beckett, Borgres, Robbe-Grillet, Salinger, Stevenson, ata vendosën të bënin bashkë sprovën e parë letrare. “Gruaja e së dielës” është romani i tyre i dytë, pas romanit të parë të botuar më 1971. Rasti Fruttero e Lucentini, është një rast interesant në historinë e letrave, ku dy autorë unifikojnë stilin, gjuhën, por edhe brendësinë. Filozofia e Lucentini-t i bënte personazhet e tyre të ishin të përshkruar mirë psikologjikisht, ndërsa nuhatja estetike e Fruttero-s, i jepte librit një tjetër aromë. Më shumë se 40 vjet nga sprova e parë në letërsinë italiane, kur dy autorë dalin me një libër të përbashkët letrar, një tjetër çift autorësh, këtë herë bashkëshortë, kërkojnë ta shohin letërsinë me syrin e dashurisë. Kjo e fundit është shprehja e parë që të vjen në mendje sapo sheh këtë zgjedhje të Cowo & Magella, dy autorë që kanë një tjetër krijimtari individuale. Ata kanë botuar libra të tjerë përpara romanit “Hije mbi liqen”.

A është bashkimi nën një libër një mënyrë për të qenë më të fortë dhe më të suksesshëm, në një kohë kur tregu i librit vijon të kërkojë histori që shesin apo një zgjedhje zemre? Cilado të jetë përgjigjja e kësaj pyetjeje, teksa lexon “Hije mbi liqen”, e nxjerrë në treg nga “Saras”, nën përkthimin e Adrian Beshajt, ndien se autori është një. Stili, forma apo rrëfimi ecin lehtë me leximin, aq sa edhe një kritik i mirë i letërsisë nuk mund të zbulojë se cilin kapitull ka shkruar njëri dhe cilin tjetri. Po përtej këtij detaji që e bën grishëse letërsinë e çiftit Cowo dhe Magella, ajo çfarë është interesante, është fabula e zgjedhur. Në një kohë kur nuk mungojnë historitë që mund të shndërrohen në libër, Cowo dhe Magella zgjedhin të shkruajnë për një hetuese femër, duke na rikthyer panoramën që nuk mungon në letërsinë italiane të hetuesve që vendosen zakonisht në zona rurale dhe i duhet të zbulojnë një ngjarje që ka prishur qetësinë e vendit. Një komisar ka zgjedhur dhe çifti Fruttero e Lucentini gati 50 vjet më parë. A është kjo një formë që letërsia zgjedh për të rikthyer besimin te drejtësia. Apo lexuesit ende janë të dashuruar me historitë si me Sherlock Holmes, miti i pavdekshëm që i bën shkrimtarët akoma sot të krijojnë personazhe që i ngjasojnë atij. 125 vjet nga krijimi i këtij personazhi unik, letërsia vijon të krijojë Sherlock Holmes të tjerë, duke i përdorur si mënyra për t’u dhënë përgjigje situatave të caktuara. Vetëm një detektive mund ta çonte deri në fund zbardhjen e një vrasjeje të ndodhur në Komon e vitit 1943. Vetëm Stefani, kjo grua me një jetë të trazuar, mund të mos kthehej pas çdo fakti të dalë në horizont për të mbërritur te historia tragjike mes një ushtari gjerman dhe Margaritës, vajzës ëndërrimtare nga Komo. Ajo është versioni modern i Holmes, në kohën kur gratë kanë konsoliduar përpjekjet e tyre për të qenë të barabarta në shoqëri. Cowo dhe Magella e krijuan detektiven femër, të bindur se tashmë është koha e tyre. Ato e kanë më instiktive nuhatjen për të vërtetën, dhe shkojnë natyrshëm drejt saj. Detektivët apo komisarët siç quhen në Itali, nuk janë vetëm në letërsinë italiane, por edhe jashtë saj. Jason Goodwin është një tjetër shkrimtar i botuar në shqip nga “Saras” që ka sjellë fakte dhe të vërteta nga historia e Perandorisë Otomane, nën rrugëtimin e një detektivi, eunukut Jashim. I përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës, ky eunuk na njeh me Stambollin e pas viteve 1800, duke zbuluar intrigat dhe mënyrat sesi funksiononte një nga perandoritë më të mëdha, dhe duke i treguar botës vetitë e jashtëzakonshme të shqiptarëve, këtyre njerëzve besnikë dhe të aftë për të depërtuar në zemër të perandorisë. Vetë Goodwin shprehet se vetëm një eunuk mund të çonte deri në fund formën që donte t’u jepte librave të tij. Erich Kästner, një shkrimtar gjerman, vazhdon të lexohet me librin e famshëm “Emilia dhe detektivët”. Agatha Cristi, shkrimtarja e zezë, ashtu siç është quajtur për librat e saj të lidhur me krimin, vijon të jetë ndër më të lexuarat edhe sot.

Veprat e saj janë të njohura dhe janë shitur 550 milionë kopje dhe për çdo vit shiten rreth 1 milion libra të saj. Zakonisht detektivët kanë lindur në letërsinë e vendeve që vijnë nga një e shkuar. Nevoja për të zbuluar të vërteta historike, shpesh është dhe qëllimi i punës së këtyre personazheve fantastike. Detektivët duket sikur lindin për të sfiduar historinë dhe për t’u dhënë zgjidhje shumë ngjarjeve misterioze, të cilat ajo i ka lënë të tilla. Ata investigojnë çdo gjë, rrethanat, dokumentet dhe nuk tërhiqen deri sa të kenë gjetur misterin. Fakti që letërsia vijon të krijojë detektivë, tregon se janë shumë të vërteta ende të pathëna diku në një kënd të historisë apo në një cep të ndërgjegjes njerëzore …/gazetashqip

Leave a Reply

Back to top button