Enciklopedike

Detektivi i të pamundurës

Metodë shkencore dhe skrupuloze e verifikimit të pohimeve “paranormale”: kështu punon Joe Nickell, i vetmi person në botë që për zanat ka “zbuluesin” e mistereve

joe nickellEshtë i vetmi person në botë që e merr pagën për të zbuluar mistere. Joe Nickell, kryeshkencëtar në Committee for Skeptical Inquiry (CSI) në Buffalo, në shtetin e New Yorkut merret me analizimin e dokumentave të lashtë (kanë qenë të tijët testet që çmontuan ditarët falsë të Jack the Ripper), me studimin e gjurmëve misterioze (ato të të supozuarit Yeti), apo truqe të ndryshëm. “Që fëmijë ëndërroja të bëhesha magjistar. Dhe ëndërroja të bëhesha investigues”, thotë Nickell. “Dhe me kalimin e kohës, kam arritur të realizoj një pjesë të madhe të ëndrrave të mia”.
Si keni filluar?
Kam filluar në vitin 1969, kur mora pjesë për herë të parë në një organizim spiritual për të thirrur shpirtin e Houdinit. E kotë të them që magjistari i madh nuk i shfaq. Megjithatë, që atëherë kam patur shansin të hetoj raste të shumtë, si përshembull shtëpia e rrënuar nga Mackenzie në Toronto, apo pohimet e disa zhytësve që këmbëngulnin se kërkonin flori në Yukon.
Si punoni?
Më pëlqen të hetoj vërtetë, të shkoj në vendngjarje, të flas me personat e përfshirë dhe kur duhet, të eksperimentoj. Kështu ndodhi në rastin e qefinit, aty ku duke fshirë basorelievin e një fytyre zbulohej një pamje në negativ tamam si ajo e qefinit.
Përse është e rëndësishme të hetohet një mister?
Me kalimin e viteve kam kuptuar se përballë paranormales, njerëzit kanë prirjen të ndahen në dy grupe: ata që besojnë, dhe ata që nuk besojnë. Dy pole të kundërt që, në të vërtetë kanë më shumë të përbashkëta nga sa mendojnë. E para prej këtyre qëndron në tendencën për t’u nisur gjithmonë nga përgjigja e preferuar për të ngjitur pastaj tek teza, duke zgjedhur herë pas here provat dhe argumentat që justifikojnë më mirë konkluzionet e tyre. Personalisht, mendoj se misteret nuk duhen atakuar apo mbrojtur, por duhet të hetohen në mënyrë të thelluar.
Pra, është mirë të jemi skeptikë, por jo cinikë.
Më ka ardhur në majë të hundës me ata që vetëquhen “skeptikë” por që në të vërtetë dinë vetëm të përqeshin. Kalojnë nga zyra ime me të njëjtat batuta: “Hej, Joe, ke parë ndonjë fantazmë kohët e fundit? Ha, ha, ha!” Nuk po them që besoj vërtetë që do të arrij të gjej ndonjë fantazmë në ndonjë shtëpi, përkundrazi jam 99.9 përqind i sigurtë që nuk do të gjej asnjëherë. Por ama, hajde të shkojmë një herë tek ajo shtëpi, sepse mund të mësojmë dicka interesante.
Çfarë ndodh kur nis hetimi për një mister të ri?
Mbi të gjitha, zbulohet pashmangshmërisht që mungon një copëz e gjëzës. ashtu si një detektiv që heton një vrasje, duhet që të gjenden sa më shumë tregues, shenja. Sigurisht që udhëhiqem prej qasjes shkencore dhe vetëdijes që barra e provës i përket atij që ka bërë pohimin. Veç kësaj, pohime të jashtëzakonshëm kërkojnë prova të jashtëzakonshme: vlen të thuhet që nëse një person thotë se ka bërë një udhëtim në Spanjë, mund të mjaftojë fjala e tij. Por nëse thotë që ka qenë në Mars në bordin e një UFO-je, atëherë fjala e tij nuk mjafton më, duhen prova më bindëse. Në fund i besoj parimit të njohur si “Tehu i Occamit”: përballë dy hipotezave që bien ndesh për shpjegimin e një misteri, ka shumë gjasa që e sakta duhet të jetë ajo më e thjeshta.
Si lëvizet kur hetohet?
Si kur bëhet fjalë për një rrëmbim prej alienësh, ashtu edhe kur flitet për një poltergeist, duhet pikë së pari të përcaktohet se cfarë thuhet që ka ndodhur; pra kush është personi që e bën pohimin, protagonisti i ngjarjes; ku dhe kur ka ndodhur ngjarja; si mund të jetë manifestuar dhe, nëse ka ndodhur vërtetë, përse ka ndodhur. Në disa raste, si në ngajrjen e famshme të shtëpisë me fantazma në Amityville mund të zbulohet që asnjë nga fenomenet e rrëfyer nuk është verifikuar realisht. Historia e ka marrë shtysën nga rrëfimi i tmerrshëm që familja Lutz bëri në vitin 1975, pas braktisjes së shtëpisë në 112 të Ocean Avenue në qytezën e Amityville, ku kishin jetuar për vetëm 28 ditë. Thoshin se kishin pasur cdo lloj eksperience paranormale të frikshme që mund të ekzistojë.
Dhe çfarë u zbulua?
Duke vizituar shtëpinë dhe duke folur me pronarët e saj të mëvonshëm si dhe persona të tjerë në vend, zbulova shumë të meta në historinë e Lutzëve. Për shembull, thoshin se kishin gjetur gjurmë kthetrash diabolike në dëborë në një datë të caktuar, por kur kontrollova buletinët meteorologjikë lokalë për atë periudhë, zbulova që nuk kish rënë fare dëborë. Në librin e Lutzëve, më tej tregohet me detaje për dëme të rëndë në dyert dhe dorezat e shtëpisë, por duke i ekzaminuar një për një zbulova që ishin ende origjinalet dhe ishin shumë në rregull. Ata që tingëllonin detaje shumë të saktë, pas një hetimi të vëmendshëm rezultonin vetëm fantazi.
Një hetim mund të jetë një punë që kërkon shumë angazhim…
Sigurisht. Duhen pak sekonda për të bërë pohime të pabesueshëm, ndërkohë që për të zbuluar misteret duhen shpesh hetime seriozë, që mund të kërkojnë edhe vite apo kapërcimin e pengesave të vështira. Sic më ndodhi në rastin e Oak Island, ku thuhej se ndoshta fshihej thesari i piratit Kidd. Doja të shkoja në ishull për t’u siguruar personalisht dhe për të folur me Dan Blankenship, një banor që kish kryer kërkime në pus dhe që njihej për karakterin e tij shumë të keq. “Ndoshta nuk do ju qëllojë, por me siguri do ju dëbojë”, më tha një peshkatar. Dhe në fakt, duke qenë se atë ditë gazeta lokale shkruante “Mbërritja në ishull e një skeptiku”, kur Blankenship më pa u nxi në fytyrë. Më pas, pati kohë të më shpjegonte dhe kuptoi që isha një njeri shumë i interesuar ta dëgjoja. Në fund më tregoi fotografi dhe filmime të vjetër deri natën vonë.
A ka ndodhur ndonjëherë që një mister të zgjidhej pa filluar?
Në qytezën Lebanon, në Ohio, kisha zënë një dhomë në Golden Lamb Inn, që mbahej si hoteli më antik i shtetit. Thuhej se fantazma e Sarah Stubbs, bija e pronarëve të parë, vinte vërdallë nëpër hotel. Vecanërisht pikturat e varura në atë që quhej “dhoma e Sarës” gjendeshin gjithmonë të shtrembëruara. Kisha menduar për shumë mundësi që mund të shpjegonin fenomenin, por kur mbërrita në hotel atë natë gjeta një zonjë simpatike tek recepsioni. Sapo e pyeta për pikturat në dhomën e Sarah, buzëqeshi dhe më tha: “E dini, kur kam turnin e natës, mërzitem dhe ngjitem në atë dhomë dhe i zhvendos unë pikturat. personeli është kaq supersticioz saqë argëtohem shumë kur shoh reagimet e tyre ditën tjetër!”
Pas shumë vitesh hetime, a mbeten më mistere për të zbuluar?
Personalisht më pëlqen të hetoj çdo lloj fenomeni: rrathë në grurë, detektivë fallxhorë, fantazma, shtëpi fantazmash, monstra… interesohem vërtetë për gjithcka. Por ajo që them se me intrigon më shumë janë ata që do i quaja “çështje të ftohta”. Eshtë një term që përdoret nga policia, kur heton për vrasje apo krime të kryer në të kaluarën që nuk janë zbardhur asnjëherë. Një shembull është ai i monstrës së Flatwoods, një rast që ka ndodhur në 1952. Një mbrëmje, disa të rinj në Flatwoods, një fshat në West Virginia panë në qiell një UFO dhe u bindën që ishte ulur në majë të një kodre aty pranë. Kur mbërritën, në vend të një disku fluturues u gjendën përballë një monstre me sytë e shndërritshëm, një fytyrë që kish formën e një lopate dhe kthetra në vend të duarve. Krejt papritur, krijesa nisi fluturimin drejt tyre duke lëshuar një piskamë të fortë. Natyrisht që arritën të ikin. Ditën tjetër, policia gjeti disa gjurmë në terren, ndoshta të prodhuar nga disku fluturues si dhe një njollë të cuditshme ngjyrë të zezë aty pranë.
Si ishte e mundur të zgjidhej ky mister pesëdhjetë vjet më vonë?
Shkova në Flatwoods dhe fola me banorët për të parë nëse mund të gjeja ndonjë që kish qenë dëshmitar i ngjarjes. Gjeta një burrë, Max Lockard, që atë mbrëmje kish vajtur mbi kodër dhe pasi nuk kish gjetur asgjë, ish kthyer në shtëpi. Kështu, pata mundësinë të zbuloj që shenjat në terren kishin qenë shkaktuar nga kamioni i tij dhe që kish qenë rrjedhja e vajit të kamionit që kish shkaktuar njollën e zezë. E kish thënë dhe atëherë, por askush nuk donte që t’i jepte të drejtë. Babai i tij, një zotëri 97 vjecar më tha gjithashtu se ai që kishin parë nuk kish qenë UFO, por një meteor dhe që në atë kohë të gjithë e dinin shumë mirë. /Focus/
PERSHTATI: BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button