Histori

Dhia e Shenjtë mbi shqiponjën dykrenore

Screen Shot 2016-06-04 at 09.24.15

Danajtë, që përbënin valën e parë të grekëve, e kanë njohur shqiponjën e Zeusit Pellazgjik të Dodonës në trojet që, rreth shtatë-tetë shekuj më vonë janë quajtur Helladë. Kjo shqiponjë u përdor edhe në emblemat dhe në stemat e Perandorisë Romake

Duke pasur parasysh këto që u thanë më lart, ne bindemi se koka e dhisë në përkrenaren e Skënderbeut e lidh Heroin Kombëtar Shqiptar me Dhinë e Shenjtë Amalthe të traditës pellazgo/ilire të Zeusit Dodonaeus, çka përbën një argument tjetër të vijimësisë pellazgo-iliro-shqiptare

Flamuri i arbërve/shqiptarëve dhe koka e Dhisë së Shenjtë në përkrenaren e Skënderbeut

Nga Arsim SPAHIU*

Para do kohësh, një ose dy a tre dijetarë shqiptarë paskan thënë e përsëritur në televizor e më gjerë se “flamuri i Kastriotëve ka (ose na paska) prejardhje bizantine”.

Këtu duhet të kihet parasysh se nuk dihet ende në ka pasur Perandoria Bizantine flamur ose jo. Kërkimet vazhdojnë në këtë drejtim dhe sot e kësaj dite. Ajo që ka rëndësi, duhet të kihet parasysh gjithashtu se është bërë një listë e familjeve perandorake të Bizantit, ku renditen dinastitë që nuk e kanë përdorur fare simbolin e shqiponjës as si flamur, as si emblemë të dinastisë. Kjo dëshmon se simboli i shqiponjës i perandorëve bizantinë nuk është tradicional, pra nuk lidhet tradicionalisht me shqiponjën. Për më tepër, siç do ta shohim tani, simboli i shqiponjës bizantine nuk lidhet kurrsesi me shqiponjën e pellazgëve dodonas, ku gjendet prejardhja mitologjike, historike dhe arkeologjike e shqiponjës.

Shtoj se, të kishte figuruar shqiponja në ndonjë flamur bizantin ose parabizantin, ose helenik, do ta kishim parë edhe në flamurin e sotëm grek.

Tani të shohim në vijat më të përgjithshme se si qëndron puna. Sipas shumë historianëve, grekët kanë ardhur pa flamur në Ballkan, në shek. XVIII-XVII para e. s., por kohë më parë para arritjes së tyre në këtë gadishull, thuhet se qenka provuar arkeologjikisht se në trojet e hititëve, që shtrihen në jugperëndim të Anatolisë, janë gjendur fragmente skulpturore, monedha etj., me shqiponjën dykrenore me krahë të hapur, që datojnë në shek. XX para e. s., pra më se dy shekuj para ardhjes së grekëve të parë, që u vendosën në Ballkanin Jugor. Përgjithësisht, historianët pranojnë se në trojet e hititëve është provuar prania e pellazgëve që, siç do të shohim më poshtë, e kanë pasur shqiponjën si simbol dhe si atribut të Zeusit Pellazgjik të Dodonës.

Danajtë, që përbënin valën e parë të grekëve, e kanë njohur shqiponjën e Zeusit Pellazgjik të Dodonës në trojet që, rreth shtatë-tetë shekuj më vonë janë quajtur Helladë. Kjo shqiponjë u përdor edhe në emblemat dhe në stemat e Perandorisë Romake. Por, as romakët, me sa thonë historianët në përgjithësi, nuk kanë përdorur flamur. Në luftë, në vend të flamurëve ata përdornin stema, mburoja dhe, në prani të perandorit, shtonin flamuj me portrete të tij.

Në Perandorinë Romake të Lindjes, që më vonë u emërtua Perandoria Bizantine, përdorimi i shenjave emblematike nuk pati ndonjë zhvillim të mëtejshëm. Kështu, shqiponja me një kokë e Perandorisë Romake u përdor në Perandorinë Bizantine si më parë, para ndarjes. Perandori Bizantin i Lindjes, njëlloj si Qezari dhe Augusti, mbante për emblemë shqiponjën me një kokë, të kthyer nga e djathta, që përbënte vetëm një emblemë të familjes perandorake dhe kaq. Sipas teorive më të përhapura mbi këtë çështje, shqiponja me një kokë është adoptuar si shqiponjë dykrenore nga perandori bizantin Isaak Komneni (1057-1059). Stema me këtë shqiponjë është përdorur si emblemë dinastike sepse, pas shumë gjase, pas pushtimit të Kostandinopojës nga kryqtarët, në vitin 1204, shqiponja dykrenore u përdor vetëm në principatat e riformuara të Epirit, Trebizondës dhe Nikesë. Këtu duhet të kihet parasysh se Epiri i atëhershëm përfshinte Epirin e vjetër dhe Epirin e ri, pra një pjesë të madhe të trojeve shqiptare, madje për disa historianë, tërë Shqipërinë që përfshinte trojet e ilirëve të jugut, nga Ambrakia e deri në Dardani.

Në vitet 1204-1258, familja princore e Laskarisëve e restauroi Perandorinë e Bizantit. Në këtë shtet të fuqishëm, shqiponja me dy krerë përfaqëson sundimin e perandorit bizantin në Lindje dhe në Perëndim. Disa historianë të tjerë parashtrojnë se të dy krerët e shqiponjës simbolizojnë sovranitetin e dyfishtë të fesë së krishterë: temporal dhe shpirtëror. Ky interpretim ndoshta do të ishte më korrekt, por gjithnjë duke qëndruar brenda kësaj perandorie.

Pas do kohësh, shqiponja dykrenore bëhet më e pranishme në kishën ortodokse greke.

Në Kostandinopojë shqiponja dykrenore u përdor si më parë, vetëm si emblemë e familjes perandorake. Shkurt, deri më sot nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të përfunduar se simboli i shqiponjës do të ketë qenë emblemë zyrtare (shtetërore) e perandorit të Bizantit. Historianët, të bazuar në kërkimet më të vonshme, kanë dalë në përfundimin se shqiponja dykrenore është përdorur vetëm për vula dhe simbole të tjera, personale ose dinastike, si rroba ceremoniale etj., sado as rroba perandori bizantin me ndonjë shqiponjë dykrenore nuk janë gjetur deri tani. Ka nga ata bizantinologë që mendojnë se ndoshta autoritetin e shtetit bizantin e kanë luajtur flamurët me kryqe të Kishës Ortodokse.

Historianë të tjerë kanë shfaqur mendimin se kalorësit europianoperëndimorë, që morën pjesë në kryqëzatat, duke rënë në kontakt me bizantinët, do të jenë ndikuar në oborrin perandorak të Kostandinopojës dhe te shtresa e lartë e fisnikërisë bizantine e ballkanase në përgjithësi për përdorimin emblematik të stemave të ndryshme.

Më vonë, dinastia perandorake e Komnenëve arriti të siguronte një mbijetesë të perandorisë (1258-1453). Kjo familje perandorake lidhi krushqi me dinasti të shquara të Europës Perëndimore, që ndikuan shumë në zhvillimin e heraldikës në Bizant dhe përgjithësisht në Ballkan. Sidoqoftë, siç thonë bizantinologët, heraldika bizantinase ngeli përherë anësore (margjinale) edhe në shek. XIV e XV.

Në këto rrethana, disa princër dhe krerë arbër u konvertuan pjesërisht dhe relativisht vonë në ritin ortodoks. Të rrethuar nga grekë dhe sllavë, me të cilët nuk merreshin dot vesh, shqiptarët i mbanin sytë të kthyer nga njëri-tjetri dhe nga Perëndimi. Atyre do t’u ketë lindur ideja e bashkimit mbarëshqiptar të jugut dhe të veriut, që mund të sendëzohet me shqiponjën dykrenore. Për këtë, mjafton të shqyrtohen harta e Principatës së Topiajve, harta e Principatës së Muzakajve, ajo e Shtetit të Muzakajve dhe harta e viseve shqiptare të çliruara pas vitit 1443, që mund të shihen në Historinë e Shqipërisë (2002). Ideja e bashkimit kombëtar bëhet çështje mbarëshqiptare e princërve me Skënderbeun në Lezhë. Sa për shqiponjën e Stemës së Kastriotëve, ia vlen të përmendet Shtjefën Gjeçovi, që shkruan e thotë se shqiponja e stemës së Kastriotëve është “shqypja e Zojzit (për Zeusin)”… Me këtë rast mund të shtohet se, kam dëgjuar edhe fshatarë të thjeshtë lumjanë të thonë se shqipja na bashkon të gjithëve, toskë e gegë.

Prejardhja e shqiponjës në heraldikën e shteteve të para ballkanike mund të shihet më mirë se kudo në monedhat e prera në qytetet e tyre, në lashtësi.

Shqiponja përbën, krahas rrufesë, simbolin dhe atributin kryesor të Zeusit Pellazgjik të Dodonës. Ajo figuron në gjetjet arkeologjike të Dodonës, në sende të ndryshme prej bronzi, sidomos në monedha të prera në periudhën e lulëzimit të faltores së Dodonës, në Dodonë brenda dhe në qytetet e tjera të Epirit e të mbarë Ilirisë. Në gërmimet e para, të bëra në Dodonë, në gjysmën e dytë të shek. XIX nga Kosta Karapani, zbulohen tri figurina prej bronzi të shqiponjës së Zeusit, që i përkasin shek. V-II para e. s. Siç thotë historiani britanik N. G. L. Hammond, në sistemin monetar të molosëve, shqiponja, rrufeja dhe koka e Zeusit përbëjnë simbole kombëtare. Shqiponja është simbol i fuqisë së mbinatyrshme të Zeusit Naios, emblema e trimërisë së molosëve, më vonë emblema e fuqisë së Aleancës Epirote dhe e Lidhjes Epirote (N. G. L. Hammond, Epirus, 1967, f. 33-34).

Në lashtësi, shqiponja nuk ka figuruar asgjëkundi tjetër, në Greqi ose në viset e tjera jashtë trojeve ilire; ajo dukej përherë në faqe të monedhave të vjetra të molosëve, që datojnë në fund të shek. V dhe në gjysmën e parë të shek. IV para e. s. Ky fakt dëshmohet me monedhat e prera në mbretërimin e Tharypit dhe të birit, Alketit. Shqiponja, rrufeja dhe kurora me gjethe të lisit të shenjtë (të orakullit të Dodonës), si dhe kokat e Zeusit Pellazgjik dhe Dionës, janë gjithashtu të pranishëm në monedhat e Aleancës Epirote, në ato të Lidhjes Epirote dhe, pas pushtimit romak në vitin 168 para e. s. (P. R. Franke, Münzen, 1961). Këtu ia vlen të shtohet se sipas Plutarkut, ushtarët epirotë dhe mbarë epirotët e quanin Pirron “shqiponjë”, ndërsa Mbreti Pirro, Burri Ajakid sheh krahët e vet te luftëtarët e famshëm epirotë.

Në krye të herës, shqiponja u përket vetëm pellazgëve dhe/ose ilirëve. Adhurimi i shqiponjës është thjesht pellazgjik. Në vitin 1999 François Quantin nënvizon se “jashtë Dodonës, Zeusi nuk ka asgjë origjinale. Kjo epërsi e kultit të Zeusit (në Epir) është në mënyrë të pakundërshtueshme një veçanti krahinore, që e dallon Epirin…”. Kurse Chriseis Tzouvara-Souli (Athinë) përfundon se “Kulti i Zeusit të Dodonës dhe i Dionës është i kufizuar brenda caqeve të Epirit, me qendër në Shenjtoren e Dodonës. Përhapja e këtij kulti në Akarnani, në ishujt e detit Jon (Korkyrë, Leukas), në Maqedoni, në Athinë, në Greqinë e Madhe e në Sicili, u atribuohet arsyeve politike e historike dhe politikës së gjithanshme fetare të mbretërve epirotë Leka I dhe Pirro” (shek. IV-III para e. s.).

Sa mirë edhe historiane të njohura greke shprehen kaq qartë për përhapjen e kultit të Zeusit nga Epiri në Athinë e kudo gjetkë në Greqi dhe në Greqinë e Madhe (Itali), ndërkohë që ne shqiptarëve s’na mbushet mendja! Përveç këtij fakti bindës të huazimit të mitologjisë dhe fesë pellazgjike nga grekët e vjetër, shqiponja epirote nuk figuron në monedhat e prera në Egjinë, në Athinë, në Spartë, në Argos, në Tebë ose në Korinth.

(Kjo mungesë e plotë e shqiponjës dodonase në monedhat greke dhe prania e saj në monedhat epiroto-ilire mund të shihet fare qartë në librin “Triptik epirot” të autorit, të botuar këto ditët e fundit në Tiranë).

Zeusi është fort i lidhur me shqiponjën dhe rrufenë, të cilat përbëjnë dy simbolet dhe atributet kryesore të tij. Pra, në lashtësi dhe në tre shekujt e parë të erës sonë, nuk ka Zeus pa shqiponjë dhe rrufe. Prandaj, Zeusi dhe shqiponja u takojnë pellazgëve dhe/ose iliro-arbërve.

Shqiponja është simbol popullor, etnik dhe kombëtar shqiptar. Ky shpend përdoret si i tillë që në kohët më të vjetra të dokumentuara të shqiptarëve. Shqiponja del në një gur të gdhendur të vitit 1190, pra në kohën e principatës së parë shqiptare me emrin Arbanon dhe është përdorur si simbol heraldik nga disa dyer të tjera princore si Dukagjinët, Topiajt, Muzakajt dhe Kastriotët që, siç dihet, kanë pasur stema dhe flamuj me shqiponjën dykrenore. Ndërsa emri etnik shqiptar Arbanon rrjedh nga emri i fisit ilir Albanon, që pa dyshim ka qenë i lidhur me shqiponjën njëlloj si me Zeusin, Kryezotin Pellazgo-Ilir.

Njëlloj si ndër ilirët e jugut në lashtësi, sot shqiponja vetëm ndër shqiptarët gëzon popullaritet të veçantë; vetëm shqiptarët e quajnë veten bij të shqipes dhe mburren se janë të tillë. Askund shqiponja nuk njihet si simbol lirie dhe heroizmi si në Shqipëri. Në asnjë gjuhë ballkanike e më gjerë nuk mund të sajohen kaq shumë paronomaza të bukura si me paronimat: shqipe (gjuha), shqipe dhe shqiponjë (shpend), shqipe, shqipo, shqiptar (emër kombëtar) dhe shqip, ndajfolje. Me këtë rast mund të përmenden dhe fjalët shqiptar, i shqiptar, shqiptarisht, shqiptarzi, shqiptore, shqiptim etj.

Po si qëndron puna e shqiponjës me dy krerë? Stemat e dyerve princore që janë emblema të bashkësive (komuniteteve) ose të familjeve të mëdha bizantine, janë relativisht të vonshme, të shek. XII para e. s., pra afërsisht aq të vjetra sa është e tillë dhe stema e princërve në Shqipëri. Këtu duhet të kihet parasysh se e gjithë Shqipëria është shumë më pak e dokumentuar se Perandoria Bizantine. E kam fjalën këtu: me të dhënat historike që do të kihen në të ardhmen, do të mund të provohet se popujt e tjerë, ashtu si e kanë marrë shqiponjën nga iliro-shqiptarët, kanë marrë dhe shqiponjën dykrenore. Ka mundësi që bizantinët ta kenë huazuar shqiponjën me një kokë nga iliro-shqiptarët dhe t’i kenë shtuar një kokë tjetër. Gjithsesi, me gjetjet e deritanishme nuk mund të provohet e kundërta; nuk mund të provohet që pellazgo-iliro-shqiptarët, te të cilët ka qenë dhe vijon të jetë kaq e pranishme shqiponja, të kenë rënë aq ngushtë për shqiponjë, sa ta huazonin te bizantinët. Prandaj kjo mbetet e diskutueshme, madje apriori, e papranueshme. Kërkime historike të mëtejshme mund të nxjerrin argumente të tjera bindëse për karakterin etnik pellazgo-ilir të shqiponjës dykrenore. Përfundimisht, duke u bazuar në të dhënat e deritanishme historike, mund të thuhet se shqiponja dykrenore që figuron në flamujt e disa vendeve, ka zanafillë pellazgo-ilire. Meqë në tërë lashtësinë greke nuk figuron as shqiponja me një krye, më mbushamendës duket fakti që, në numizmatikën jugore të ilirëve, shqiponja është e kthyer nga e djathta, ndërsa në atë veriore-nga e majta, çka evokon komponentët Jug e Veri, ose toskë e gegë. Disa historianë nuk e përjashtojnë mundësinë se, në këtë rast shqiponja ka dy krerë që flamuri të jetë simetrik. Gjithsesi, ky fakt ngelet i diskutueshëm.

Kaq sa për shqiponjën e flamurit shqiptar. Tani, të shohim se ç’kuptim ka koka e dhisë në përkrenaren e Skënderbeut.

Në numizmatikën ilire tërheq vëmendjen një fakt tjetër interesant: në disa monedha autonome të prera para e. s., në disa qytete ilire, figuron Dhia e Shenjtë Amalthe! Kjo duket në monedhat autonome të ishujve ilirikë të Isës dhe të Farit (Kroaci), të prera në shek. IV para e. s., etj.

Rreth dy shekuj më vonë, në vitet 211-197 para e. s., pritet gjithashtu monedhë autonome me kokën e Dhisë Amalthe në faqe të monedhave, të prera në Lissus (Lezhë). Dhia e shenjtë Amalthe shihet edhe në monedha të prera te fisi i athamanëve të vendosur në ekstremin jugor të hapësirës epiroto-ilire.

Në mitologjinë pellazgjike dhe në letërsinë greko-romake, janë katër versione për prejardhjen e kësaj dhie, por këtu parashtrohet më i përhapuri ndër ta: Amalthea është bijë e Diellit, pra është parahelenike rreth një mijëvjeçar e gjysmë.

Në legjendat pellazgjike dhe në traditën letrare greko-romake, Amaltheia kishte marrë përsipër ta fshihte Zeusin foshnje në malin e Idas (Kretë) dhe ta ushqente me qumështin e vet e ta rriste, sepse i ati, Kroni, e kërkonte gjithandej për ta gëlltitur. Amalthea e kishte maskuar Zeusin në degën e një peme me qëllim që i ati të mos e gjente dot “as në qiell, as në tokë, as në det”. Ajo kishte mbledhur kuretët që me këngët dhe me vallet e zhurmshme luftarake të mbulonin të qarat e Zeusit kërthi. Më vonë Zeusi, kur u rrit dhe u përgatit për të luftuar me titanët, bëri një mburojë me lëkurën e Dhisë së Shenjtë, e cila u quajt aegis, egjidë (mbrojtje).

Siç thuhet nga mitologët dhe njohësit e thelluar të letërsisë greko-romake, Zeusi në lojë e sipër ia thyen Dhisë së Shenjtë njërin bri dhe ia bën dhuratë, duke i premtuar se briri do të mbushej mrekullisht me të gjitha frutat që ajo do të dëshironte. Ky është briri i Amalthesë, ose cornu-copiae (briri i bollëkut), aq i pranishëm në numizmatikën epiroto-ilire.

Figura e kokës së dhisë, që duket në përkrenaren e Gjergj Kastriotit, lidhet me Dhinë e Shenjtë pellazgo-ilire, që figuron në monedhat ilire, duke përfshirë këtu edhe ato epirotet, sigurisht. Siç thotë Shtjefën Gjeçovi, “Zojzi (Zeusi) edhe sot nderohet në Shqipninë e Veriut, në mos me dije, me padije”. Në fakt, në Shqipërinë e Sotme, që shtrihet në hapësirën gjeografike të Ilirisë Jugore, mbijeton një mitologji e lashtë, ku të gjitha dukuritë e natyrës kanë për themel një mitologji të lashtë, të ruajtur me zell, si themel të një besimi të patrandshëm. Në Shqipëri ende festohen kremtime, që mund të kenë rrjedhje ilire (Bernardin Palaj). Tomorri “asht mali ma i naltë i Shqipnisë Jugore dhe sajon nji farë altari të shêjtë fetar e kombëtar, pa dallim besimesh dhe fisesh” (“Drini”).

Duke pasur parasysh këto që u thanë më lart, ne bindemi se koka e dhisë në përkrenaren e Skënderbeut e lidh Heroin Kombëtar Shqiptar me Dhinë e Shenjtë Amalthe të traditës pellazgo/ilire të Zeusit Dodonaeus, çka përbën një argument tjetër të vijimësisë pellazgo-iliro-shqiptare.

Si përfundim, shqiponja dykrenore e flamurit të Skënderbeut dhe e Ismail Qemalit të Vlorës, si dhe përkrenarja me kokën e Dhisë së Shenjtë Amalthe e Heroit Kombëtar Shqiptar, i përkasin plotësisht traditës pellazgo-iliro-arbëreshe të Dodonës.

*Doktor në historinë e vjetër

Marrë nga Gazeta shqip (Linku: http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2012/12/10/dhia-e-shenjte-mbi-shqiponjen-dykrenore/)

Leave a Reply

Back to top button