Psikologji

Dhimbja e një humbjeje të madhe…

Të gjithë pa përjashtim kemi kaluar nëpër humbje të mëdha. Kanë qenë me siguri aq të rënda, saqë kemi menduar se pa praninë e atij personi të humbur, nuk kishim për t’ia dalë kurrë mbanë. Dhe jeta është realisht e çuditshme. Lidhemi aq fort me dikë dhe normalisht, sipas ligjeve të natyrës, kur ai person ndërron jetë, e kemi shumëfish më të vështirë të mësohemi t’ia dalim vetëm përpara. E kemi thuajse të pamundur ta rindërtojmë jetën tonë të vetëm, pa praninë e atij personi që kemi humbur.

Nëse dikush nuk e ka provuar, nuk ka se si ta kuptojë, por kushdo që e ka provuar një dhimbje të tillë, e di se është e tmerrshme. Ditët kalojmë pa kuptim dhe te gjejnë në darkë të vetmuar. Lotët të duken të kotë, sepse edhe pse mund ta shprehin atë që ndjen përbrenda, nuk mund ta kthejnë dot mbrapsht atë person. I premton vetes se do tregohesh i/e fortë dhe sapo sheh diçka që të kujton atë, prapë gjithë dhimbja të rikthehet e njëtrajtshme dhe lotët të pushtojnë. Thua se do të jetosh një jetë për të dy ju, duke plotësuar edhe ato qe ai person i la pa përfunduar, por nuk ia del dot ashtu siç duhet.

Me siguri ai person nuk do jetonte duke qarë, as duke ndenjur kot teksa sheh fotot apo kujton gjithçka që lidhet me dikë tjetër. Me siguri ai person do të dilte dhe do të përballej fuqishëm me jetën (edhe pse humbi në një betejë me vdekjen, të cilën askush nuk mundet ta fitojë dot). Me siguri ai do çohej për të realizuar ëndrrat që kishte. Ndërsa ti po bën të kundërtën dhe e di shumë mirë këtë gjë. Po e bën sepse dhimbja të ka pushtuar dhe nuk mundet ta kalosh dot atë. Nuk mundesh të kuptosh se dhimbja duhet kaluar, nëse dëshiron të jetosh një jetë për të dy ju.

Unë e di që është e vështirë. Më beso, kam kaluar nëpër dhimbje shumë të mëdha dhe vetëm forca e vullneti më kanë bërë të eci përpara fuqishëm. Kushdo që më sheh sot, mendon se unë jam shumë mirë dhe se nuk dua t’ia di për asgjë. Kjo është totalisht e gabuar. Mungesa e lotëve në sytë e mi nuk tregon kurrsesi mungesë të dhimbjes. Buzëqeshja në fytyrën time nuk tregon se unë kam harruar gjithçka, por se kam kuptuar që jeta vazhdon dhe dikush duhet t’i plotësojë gjërat e lëna përgjysëm të dikujt…

Leave a Reply

Back to top button