Analiza

Dhurata e Volterit, rrënjët e betejës për fjalën e lirë

Në prag të sulmit vdekjeprurës në zyrat e revistës “Charlie Hebdo”, historiani Tom Holland, ishte një nga ata që komentoi në “Twitter” karikaturën e Profetit Muhamed. Në këtë shkrim, ai shpjegon pasojat e luftës për të mbrojtur fjalën e lirë

Volteri

Fetë nuk ekzistojnë vetëm për të patur martirë. Në 1 korrik 1766, në Abbeville, në veri të Francës, një fisnik i ri i quajtur Lefebvre de la Barre u shpall fajtor për blasfemi. Akuzat kundër tij ishin të shumta, se ai kishte kryer nevojat personale mbi një kryq, kishte pështyrë ndaj disa pikturave fetare dhe se nuk kishte pranuar të hiqte kapelen nga koka, gjatë një meshe në Kishë.
Këto krime, së bashku me përdhosjen e një kryqi prej druri mbi urën kryesore të Abbeville, ishin të mjaftueshme për ta dënuar La Barre-n me vdekje. Pasi iu pre gjuha dhe koka iu copëtua, eshtrat mortore iu dogjën nga xhelati dhe iu hodhën në lumin Somë.
Me hirin e viktimës u përzje edhe hiri i një libri, që ishte gjetur në studion e La Barre dhe që ishte hedhur në zjarr së bashku me kufomën e tij, “Fjalori filozofik”, i filozofit asokohe famëkeq, Volterit. Vetë ky i fundit, pasi mësoi mbi fatin e lexuesit të tij mbeti i shtangur. “Supersticioni” – deklaroi ai nga streha e tij në Zvicër “po i vë flakën gjithë botës!”.
Mjerisht, edhe pas më shumë se dy shekujsh e gjysmë, gjallon ende ideja që dikush mund të dënohet me vdekje për kritikat ndaj një dogmë fetare, që mund të prekë një shumicë njerëzish në Perëndim. Vlerat e fjalës së lirë dhe tolerancës, të cilat Volteri i propagandoi gjatë gjithë jetës së tij, u sanksionuan si mishërim i asaj që evropianët e cilësojnë si ligji me çmimin më të madh në qytetërimin e tyre.
Volteri, me buzëqeshjen e tij ironike, shërben ende si një shenjt mbrojtës i tyre. Në Francë, ku idealet shekullariste janë veçanërisht të çmuara, e drejta e lirisë së fjalës evokohet rregullisht nga ata që e ndjejnë se trashëgimia e Iluminizmit është seriozisht e kërcënuar.
Kur Philippe Val kryeredaktori i “Charlie Hebdo”, botoi në vitin 2008 një libër, duke mbrojtur të drejtën e karikaturistëve për të qesëndisur dogmat fetare, titulli ishte mjaft domethënës: “Reviens, Voltaire, ils Sont Devenus Fous” (Kthehu Volter, ata kanë luajtur mendsh!). Gjithësesi, nuk ishin të krishterët, ata të cilët Val i etiketonte ekskluzivisht si të çmendur. Ndërmjet shekullit të XVII dhe XXI, peisazhi fetar në Francë ka ndryshuar rrënjësisht. Jo vetëm fuqia e Kishës Katolike është rudhur ndjeshëm, por në vend kanë mbërritur rreth 6 milionë emigrantë, që i përkasin një besimi krejt të ndryshëm.
Islami, ndryshe nga katolicizmi, ka trashëguar nga hebrejtë refuzimin e prerë të artit figurativ. Ky besim fetar e nderon Muhamedin – profetin, që nga pasuesit e tij besohet se ka marrë zbulesën përfundimtare të Zotit, Kuranin – si modeli më ideal të sjelljes njerëzore.
Fyerjet ndaj tij janë cilësuar tradicionalisht nga juristët myslimanë si të barabarta me mosbesimin dhe ky i fundit përbën një krim që meriton shkuarjen në Ferr. Gjithësesi, në Kuran, nuk ka asnjë citat që në mënyrë të qartë e cilëson një gjest të tillë, fajin më të rëndë të mundshëm.
“E vërteta rrjedh prej Zotit juaj, kështu që kushdo dëshiron, le të besojë, e kush të dojë, le ta mohojë”. Megjithatë, një histori e shkuar në biografinë më të vjetër mbi jetën e Muhamedit, lë të kuptohet ekzistencën e masave ndëshkuese. Aq ndëshkuese, sa disa dijetarë myslimanë – që përgjithësisht ngurrojnë të pranojnë mundësinë që biografia më e hershme e profetit të tyre mund të jetë e pabesueshme – kanë shkuar aq larg sa për të vënë në dyshim vërtetësinë e saj.
Historia bën fjalë për fatin e Asma bint Marwanit, një poeteshë nga vendlindja e Profetit, Meka. Pasi ajo ishte tallur me Muhamedin në vargjet e saj, ky i fundit bërtiti: “Kush do të më shpëtojë nga vajza e Marwanit?” Dhe pa dyshim, atë natë ajo u vra nga një prej ndjekësve të tij, teksa ishte duke fjetur gjumë.
Sikurse dëshmohet, vrasësi u falënderua personalisht nga Profeti. “Ju ndihmuat si Zotin, ashtu edhe të dërguarin e tij!”.
“Ecrasez të infâme,” (Shtypni atë çka është e turpshme) – këshillonte Volteri lexuesit e tij. Islami, gjithashtu, bën të njëjtën kërkesë. Dallimi natyrisht qëndron tek termi “turp”, që mbetet për t’u përcaktuar.
Karikaturistët e “Charlie Hebdo”, në vitin 2011 botuan në kopertinën kryesore imazhin e një Muhamedi me sy të çakërdisur, ashtu si më parë kishin portretizuan një Jezu Krisht, si pjesëmarrës në një garë duke thënë: “Unë jam një vip, më nxirrni nga këtu”! Apo Papa Benediktin XVI, që shfaqej duke mbajtur gjatë një meshe në duart një prezervativ. Këto ishin edhe fenomenet e preferuara të gazetës që gjendeshin sa në politikë po aq sa edhe në fe.
Por për personat e armatosur, që disa ditë më parë ndërmorën sulmin fatal në zyrat e “Charlie Hebdo”, vizatime të tilla përbëjnë një tallje për profetin – të cilin ata ndjejnë se duhet të ekzistojë përtej çdo lloj kritike, sado e vogël qoftë ajo. Midis këtyre dy pozicioneve, kur ata përndiqen me pasion të barabartë nga të dyja anët, ndoshta nuk mund të ketë ndonjë strehim të mundshëm për ta.
Salman Rushdie
Pa dyshim, çështja e shkrimtarit iranian Salman Rushdie, shërbeu si simptomë fillestare e gjithë këtij debati. Që prej atëhere, si një dhimbje e shurdhët dhëmbi që kurohet periodikisht me barna, problemi kurrë nuk është zhdukur.
Unë personalisht kam patur një përvojë personale të ngjashme, në vitin 2012, me një film që realizova për televizionin “Channel 4”. “Islami: Një histori e patreguar” hidhte dritë mbi konsensusin e shumë historianëve, se shumë prej asaj që muslimanët kanë besuar tradicionalisht për jetën e Muhamedit, nuk ka gjasa të jenë bazuara mbi faktet historike.
Kjo provokoi një stuhi reagimesh të ashpra, përfshi këtu edhe kërcënime me vdekje. Ndryshe nga “Charlie Hebdo”, unë nuk kisha ndërmend që të ofendoja kërkënd. Unë nuk jam shkrimtar satirik,dhe zakonisht nuk më gëzon lëndimi i ndjenjave të njerëzve të tjerë.
Megjithatë, edhe unë ndjej se disa të drejta themelore ia vlen që të mbrohen, mes tyre liria e historianëve për të vënë në dyshim mitet e origjinës së feve. Kjo ishte arsyeja së përse, kur dëgjova lajmin e sulmit në Paris zgjodha të bëj diçka që në rrethana të tjera nuk do e kisha bërë kurrë, të postoja një koment mbi karikaturën e Muhamedit në “Charlie Hebdo”.
Ndërkaq BBC, vendosi të mos e riprodhojë karikaturën për këtë artikull. Shumë media të tjera, ndonëse jo të gjitha, kanë bërë të njëjtën gjë. Unë refuzoj të jem duarlidhur, për shkak të blasfemisë faktike të thyerjes së tabuve fetare.
Ndërsa, në rrethana normale, jam krejtësisht i lumtur të mos tallem me besimet fetare, që njerëzit e tjerë i konsiderojnë të shtrenjta, ky moment është larg të qënit normal. Sikurse kam theksuar në postimin tim në “Twitter”, e drejta për të vizatuar Muhamedin pa u qëlluar me armë, është po mjaft aq e çmuar për shumë nga ne në Perëndim, sikurse mesa duket është edhe për vrasësit e gazetarëve të “Charlie Hebdo”.
Ne kemi gjithashtu vlerat tona, dhe nëse nuk jemi të gatshëm të ngrihemi në këmbë për to, atëherë ato rrezikojnë të na humbin nga sytë. Kur është fjala për përcaktimin e asaj që është e turpshme, unë për vete nuk kam asnjë dyshim se në cilën anë të llogores jam./bbc/

Tom Holland*

Shënim: Tom Holland është një shkrimtar, gazetar dhe historian. Libri i tij i fundit “Nën hijen e Shpatës”, është një përmbledhje e historisë së Islamit. Më herët, Holland ka përgatitur dhe realizuar dokumentarin: “Islami, një histori e patreguar”.
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button