Analiza

Diçka është kalbur në Europë

Alan Posener

Die Welt

dicka eshte kalburEshtë një shuplakë në fytyrën e establishmentit europian. 30 % e vendeve në parlamentin europian të sapozgjedhur u shkojnë partive që janë kundër vetë projektit të Europës. Pra 6 % më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Dhe euroskeptikët i kanë bastionet në dy shtetet më të rëndësishëm të BE pas Gjermanisë: Britani dhe Francë. Për më tepër, shumica e votuesve që mbështesin këto parti nuk jetojnë në demokracitë e brishta periferike, por mu në zemër të Europës – në eurozonë dhe shtete të tjerë perëndimorë.

Po, diçka është kalbur në Europë. Dhe reagimi i politikanëve në blloqet e mëdhenj politikë e bën të qartë se ku është problemi. Përballë forcë së populistëve antiBE, thonë politikanët në të dy anët e spektrit, ne do të na duhet të punojmë më fort së bashku. Kjo do të thotë: Establishmenti po forcon radhët dhe po bën një vesh shurdh. Parlamenti Europian dëshiron të mbizotërojë mbi qeveritë e shteteve, ndërkohë që qeveritë e shteteve e shohin delegjitimimin e BE, me kënaqësinë që buron nga fatkeqësia e tjetrit.

Partitë e qendrës në të majtë e në të djathtë janë duke lyer në mure fantazmat e ekstremizmit të djathtë. Ata mendojnë që është në interesin e tyre të veprojnë kështu. Populistët janë si fëmijët e rrugës në Europë – jo nga ata fëmijë me të cilët do të doje të luaje. E megjithatë, partitë kundër establishmentit nuk janë aspak një bllok i bashkuar. Për shembull, Fronti Nacional i Marine Le Penit në Francë është një parti e ekstremit të djathtë, e cila vetëm kohët e fundit e ndërroi antisemitizmin, me një armiqësi ndaj islamit më të pranueshme nga shoqëria.

Por UKIP në Britani lëviz brenda spektrit të politikës konservatore: Ajo është kundër imigracionit dhe kundër anëtarësimit të Britanisë në BE, por nuk është raciste apo nacionaliste ekstreme, dhe nuk do të ketë të bëjë fare me Le Penin. Për partinë gjermane AfD, nga ana tjetër, armiqësia e UKIP ndaj Europës është shumë e tepruar. AfD kritikon euron pikërisht sepse beson që monedha e përbashkët po e shkatërron BE-në.

Thjeshtë përjashtimi i përfaqësuesve të partive populiste është kundërproduktiv. Eshtë i barazvlefshëm me injorimin e votuesve. Këta janë humbësit e Europës moderne, që tallen prej atyre që fitojnë më shumë dhe janë më të kualifikuar. Por, së pari, Europa nuk duhet të prodhojë kaq shumë humbës, dhe së dyti, demokracitë, ndryshe diktaturat nuk munden që të largojnë njerëzit nga ekuacioni, thjeshtë sepse nuk u shkon për shtat. Europa duhet t’i kushtojë vëmendje atij 30 përqindëshi, nëse do që projekti i BE të mbijetojë.

Pjesë e rëndësishme e kësaj është rikthimi i kompetencave vendim-marrëse tek parlamentet kombëtarë, rajonalë dhe lokalë. Sërish, nuk ka nevojë të thuhet që BE s’ka pse përfshihet në çështje të tilla si forma e kastravecave dhe sa shumë rrymë elektrike përdorin llampat: një treg i përbashkët kërkon standarte uniformë.

Në raste të tillë, një legjislacion i vetëm i BE në vend të 28 legjislacioneve të qeverive anëtare nënkupton më pak, dhe jo më shumë burokraci. Por në fusha të tjera, si taksimi, shërbimet socialë, apo arsimi, Brukseli nuk duhet të përfshihet. Përkundrazi, këtu duhet të gjejë zbatim parimi i sistemeve konkurues. Dhe nuk duhet të jetë tabu të ngrihet pyetja nëse euro e ndihmon apo e pengon konkurencën.

Këto zgjedhje sollën qartësi për një sërë çështjesh, duke përfshirë faktin që europianët nuk duan një Union edhe më të ngushtë, të paktën jo për momentin. Dhe në të ardhmen e afërt nuk do të ketë Europë federale të bazuar mbi shembullin gjerman, siç kanë propozuar disa politikanë gjermanë. Jo vetëm Britania është kundër kësaj – francezët nuk e duan, as italianët, për të mos përmendur “Europën e re” të lindjes.

Martin Schulz dhe Jean-Claude Juncker mund të besojnë se e ardhmja e Europës varet nga njëri prej tyre që bëhet president i Komisionit, gjë që do të forconte kompetencat e Parlamentit Europian, por nuk do të ndryshonte asgjë. Në fakt, e ardhmja e Europës varet nga siguria që do të ofrojë në politikën e jashtme, nga një politikë energjetike e përbashkët dhe solide, nga rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës, si dhe nga më shumë demokraci. Cdo gjë që u shërben këtyre objektivave ka kuptim, dhe çdo gjë që nuk u shërben nuk ka kuptim, edhe pse tani po na ofrohet me një dozë patosi.

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button