Ekonomi

Diktatura monetare dhe lufta për t’i dhënë fund dominimit të dollarit amerikan

Dollari dhe euro luajnë ende një rol të rëndësishëm jashtë sferave të tyre natyrale të influencës më shumë nga renminbi, edhe pse situata po ndryshon në favor të monedhës kineze». Pse shqetësuese? Tregëtia në rupie midis Indisë dhe Iranit, ajo në rubla midis Rusisë dhe Iranit dhe pranimi në të gjithë botën i renminbit, dora-dorës do t’ia ulë prestigjin dollarit amerikan, duke shkaktuar pasoja katastrofike për begatinë e Shteteve të Bashkuara

Screen Shot 2016-04-25 at 10.49.55

Rakesh Krishan Simha *

India dhe vendet e BRICS-it po i thonë mirupafshim dollarit? Është vërtet kështu? Herën e fundit që një vend ka vendosur të braktisë dollarin në sektorin e naftës, Shtetet e Bashkuara e kanë shkatërruar. Tani India, ekonomia e tretë më e madhe në botë, dhe Irani kanë vendosur të bien dakord lidhur me kuotat e tyre të konsiderueshme të naftës duke zgjedhur rupinë si valutë. Për më tepër, të dy vendet do të mund t’i kryejnë shkëmbimet e tyre të ardhshme tregtare, respektivisht në monedhat e tyre kombëtare.

Ky vendim rezulton pas një marrëveshjeje midis Iranit dhe Indisë që i përket mesit të vitit 2011, në të cilën të dyja palët vendosën që ta fiksojnë 45 përqindëshin e kostos së importeve të naftës të Indisë, në rupie, dhe pjesën tjetër prej 55 përqindësh, në euro. Në mars të vitit 2012, të dy vendet kanë rënë rënë dakord ta bëjnë tregtinë e tyre në rupie, gjë që i ka mundësuar Indisë ta blejë naftën në monedhën kombëtare të saj. Irani i ka përdorur më pas për të blerë mallra nga prodhuesit indianë.

Paradoksalisht, janë vetë Shtetet e Bashkuara ato që janë përgjegjës i eliminimit të dollarit nga tregtia Indi – Iran. Mekanizmi i pagesave në rupie është zëvendësuar në fakt për të anashkaluar sanksionet ekonomike amerikane ndaj Teheranit. Nafta iraniane përbën një pjesë të konsiderueshme të nevojës energjetike të Indisë dhe, në të njëjtën kohë, mallrat indiane si çeliku, barnat mjekësore, prodhimet ushqimore dhe kimike janë thelbësore për Iranin.

Zëvendësimi i dollarit

Megjithëse India dhe Shtetet e Bashkuara janë afruar gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit, kjo gjë nuk e ka penguar Nju Delhin që të pranojë toksicitetin e monedhës amerikane dhe manipulimet fiskale të ushtruara nga Britania e Madhe.

Shtetet e Bashkuara praktikisht po imponojnë kontrollin e tyre me një prerje të shfrenuar të dollarit, simbol i hegjemonisë së tyre pas luftës. Është statusi prej valute rezervë që u mundëson Shteteve të Bashkuara të financojnë luftërat e tyre të pambarimta dhe të përmbysin pa u dënuar qeveritë. Nga ana tjetër e Atlantikut, Bank of England është impenjuar që ta mbajë përqindjen e interesit të saj në një rend madhësie të tillë, që në krahasim me të, korrupsioni në vendet në rrugën e zhvillimit të dukej i parëndësishëm.

Manipulime financiare dhe debasement monetare të tilla po ndikojnë negativisht dhe ciklikisht mbi ekonominë globale. Në fakt, është një karakteristikë e Perëndimit ajo e pasjes së kulmeve dhe rënieve periodike, për të mbajtur kështu në tension ekonomitë në zhvillim. Ky sistem i mban vendet e varfëra gjithmonë të tilla, dhe i lë ato në zhvillim, në atë që njihet si “kurthi i të ardhurës mesatare”.

Në artikullin e tij të shkëlqyer me titull “Geopolitics of Technology“, Profesor Anis Bajrektareviç ka nënvizuar me saktësi: “Hidrokarburet, disponueshmëria e pakët, monetizimi (dhe militarizimi relativ) i tyre po veprojnë më shumë si një statuskuo shtrënguese dhe mbytëse, sesa si një stimulues ndaj zhvillimit. Kjo nuk kërkon domosdoshmërisht një angazhim, por respektimin. Në fund, vërehet se konsumi i karburanteve me bazë fosile (bashkë me zgjedhjen e valutës dhe përcaktimin e kostos së tyre) jo vetëm që shkakton ndryshimin klimaterik, por përjetëson edhe konkurrencën dhe konfrontimin botëror (për burimet jo të rinovueshme) – respektivisht të cilave, katastrofat në zonën e vendeve MENA përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut. Për pasojë, mekanizmi naftë – dollar, që krijon një varësi të fortë, në mënyrë logjike mundëson vetëm një modernizim (teknologjik) që është mbrojtës, kufizues dhe reaktiv. Nuk është për t’u habitur që demokracia është ende larg”.

Banka Qendrore Indiane ka investuar një pjesë të konsiderueshme të rreth 500 miliard dollarëve rezervë të saj, në aktivitete valutore në monedhë amerikane. Çdo zhvlerësim i konsiderueshëm i vlerës së dollarit sjell humbje të konsiderueshme për Indinë. Në këtë kontekst, ideja e një de-dollarizimi ka gjetur mbështetjen e lidershipit të vendit gjatë kohëve të fundit.

Në vitin 2010, Reserve Bank of India ka propozuar rupien si valutë globale alternative. Në një studim të titulluar “Internationalisation of Currency: The Case of the Indian Rupee and the Chinese Renminbi”, Banka ka thënë se sipas të gjitha gjasave, dollari rrezikon që ta humbasë predominin e tij si valute globale rezervë, në një të ardhme të afërt.

“Rupia indiane është përdorur rrallë për faturimin e tregtisë ndërkombëtare”, ka nënvizuar studimi. Veç të tjerash, në studim mbështetet fakti që India duhet të ndërmarrë masa për ta favorizuar rolin e rupies në rajon. Forca e ekonomisë në rritje indiane ka ngritur në fakt problemin e një ndërkombëtarizimi më të madh të rupies.

Zgjidhje në grup

Negociatorët indianë kanë insistuar aktivisht për kryerjen e shkëmbimeve tregtare jo në dollarë, në rastin e mbledhjeve vjetore të grupit të vendeve BRICS. Ky grup i përbërë nga 5 prej ekonomive të mëdha – Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë e Jugut – është angazhuar faktikisht për ta përshpejtuar procesin e rritjes së shkëmbimeve reciproke në monedhë kombëtare.

100 miliard dollarët e Bankës së Re të Zhvillimit e vendeve të BRICS-it dhe një fond i përbashkët rezervë me vlerë prej 100 miliard dollarësh të tjerë, synojnë që të dobësojnë pushtetin perëndimor mbi flukset financiare. Sipas indianit Kundapur Vaman Kamath, Presidenti i parë i Bankës së Re të Zhvillimit, diferencat e shkëmbimit e kanë rritur koston e huave të dhëna vendeve në zhvillim në masën 15 deri 20 përqind. Sipas mendimit të tij, përdorimi i monedhave lokale mund ta eliminojë një rrezik të tillë dhe t’ia lehtësojë barrën.

Vendet e BRICS-it kanë miratuar tashmë një Marrëveshje mbi Fondet e Rezervës për t’u mundësuar 5 vendeve anëtare sëap në valutat e tyre. Një tjetër avantazh themelor në përdorimin e monedha kombëtare në tregëti dhe në investime është se bizneset nuk do të duhet të mbrohen nga dy valuta të ndryshme. Tranzicioni drejt tregtisë në monedha kombëtare do t’i mbronte vendet edhe nga luhatshmëria i një valute të caktuar.

Plan-veprimi i Kinës

Ndërkohë, kinezët i kanë habitur të gjithë me shpejtësinë me të cilën renminbi ka fituar një njohje globale. Në një artikull të titulluar “The Renminbi Bloc is Here”, Arvind Subramanian dhe Martin Kessler, të amerikanit “Peterson Institute for International Economics” kanë paraqitur një portret të mirë të mënyrës sesi renminbi po rritet, ndërsa dollari po dobësohet.

Në radhë të parë, autorët theksojnë se renminbi është tashmë monedha referuese dominuese në Indi dhe në Afrikën e Jugut. Në radhë të dytë, qysh nga mesi i vitit 2010, renminbi ka kryer hapa të konsiderueshme përpara si valutë referimi respektivisht dollarit dhe euros. «Renminbi është bërë tani monedha referuese dominuese në Azinë Lindore, duke eklipsuar dollarin dhe euron… monedhat e Koresë së Jugut, Indonezisë, Malajzisë, Filipineve, Tajvanit, Singaporit dhe Tajlandës ndjekin më nga afër renminbin sesa dollarin. Dominimi i dollarit si valutë referimi në Azinë Lindore tani është i kufizuar në Hong Kong (për shkak të ankorimit të dollarit vendas pas atij amerikan), në Vietnam dhe në Mongoli”.

Veç kësaj, autorët japin edhe këtë vlerësim shqetësues: «Dollari dhe euro luajnë ende një rol të rëndësishëm jashtë sferave të tyre natyrale të influencës më shumë nga renminbi, edhe pse situata po ndryshon në favor të monedhës kineze». Pse shqetësuese? Tregëtia në rupie midis Indisë dhe Iranit, ajo në rubla midis Rusisë dhe Iranit dhe pranimi në të gjithë botën i renminbit, dora-dorës do t’ia ulë prestigjin dollarit amerikan, duke shkaktuar pasoja katastrofike për begatinë e Shteteve të Bashkuara.

Duke qenë një vend që gjerësisht ka gëzuar dhe përfituar nga statusi i monedhës rezervë atribuar monedhës së saj, fundi i dominimit të dollarit do të nënkuptojë për Shtetet e Bashkuara një zvogëlim të madh të të ardhurave dhe të shtrirjes së rrezes së veprimit të fuqisë së saj përtejdetit.

* (Rakesh Krishan Simha është një gazetar dhe analist i politikës së jashtme me banim në Zelandë të Re. E ka nisur karrierën e tij në vitin 1995 me revistën “World Business” të Nju Delhit dhe më pas ka punuar në emra të tjerë të rëndësishëm si “India Today”, “Hindustan Times”, “Business Standard” dhe “Express Financial”, ku ka qenë kryeredaktor).

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button