
Sikur BBC-ja të mund të shprehej lirisht sot, do të thoshte se ka pësuar një grusht shteti të brendshëm. Drejtori i përgjithshëm Tim Davie dhe shefja e BBC News, Deborah Turness, janë detyruar të largohen nga detyra, por deklaratat e tyre nuk shpjegojnë shumë. Edhe sepse asnjëri prej tyre nuk mund të sqarojë plotësisht çfarë ka ndodhur në të vërtetë. E vërteta është se një grup drejtuesish të emëruar politikisht e kanë nxitur Samir Shahun, presidentin e BBC-së, duke e detyruar të heqë qafe dy nga figurat më të afta të korporatës. Duhet ta themi hapur: kjo është një ndërhyrje politike që rrezikon të dëmtojë punën e gazetarëve dhe të minojë besimin e publikut.
Me kalimin e orëve, sekuenca e ngjarjeve që çuan në dorëheqjet e Davie dhe Turness po bëhet gjithnjë e më e qartë. Më 3 nëntor, Turness kishte propozuar që BBC-ja të kërkonte falje për një montazh problematik të transmetuar në vitin 2024 në emisionin Panorama. Në atë material, dy pjesë të ndara të fjalimit të Donald Trump të 6 janarit 2021 ishin bashkuar në mënyrë artificiale, duke e bërë qëndrimin e tij të dukej më agresiv sesa ishte realisht.
BBC-ja mund, dhe duhej ta kishte trajtuar këtë çështje shumë më herët. Gazetarët kishin përgatitur një deklaratë zyrtare faljeje, të cilën presidenti Shah duhej t’ia dërgonte departamentit të Kulturës, Mediave dhe Sportit. Por kur Shahu u dërgoi anëtarëve të bordit një kopje të draftit, disa prej tyre thanë se falja nuk ishte mjaftueshëm e qartë. Kryengritja erdhi nga anëtarët e bordit të emëruar nga politika. Struktura drejtuese e BBC-së është e veçantë: kryetari dhe katër drejtorët, që përfaqësojnë katër kombet përbërëse të Mbretërisë së Bashkuar emërohen nga qeveria, ndërsa pesë të tjerët, pa funksione ekzekutive, zgjidhen nga vetë bordi.
Si pasojë, reagimi i BBC-së ndaj një problemi që mund të ishte zgjidhur me lehtësi, mbeti pezull. Për ditë të tëra u krijua një vakum institucional, në të cilin u fut menjëherë Shtëpia e Bardhë, duke kritikuar ashpër montazhin e Panorama-s. Më 8 nëntor, situata ishte bërë e pakontrollueshme, duke e shtyrë Turnessin të jepte dorëheqjen. Të nesërmen, Davie vendosi, duke habitur shumë anëtarë të bordit, se duhej të thoshte “mjaft”, dhe ndoqi shembullin e Turness duke u larguar. Në atë moment, askush nuk bëri përpjekje ta bindte shefen e BBC News të ndryshonte mendje.
Një mik në vendin e duhur
Figura qendrore e kësaj historie është Robbie Gibb. Ish-zëdhënës i kryeministrit konservator dhe i emëruar në bordin e BBC-së në vitin 2021 nga qeveria e Boris Johnsonit, Gibb ka kaluar katër vitet e fundit duke luftuar atë që ai e konsideron si njëanshmëri progresiste të transmetuesit publik. Në përgjithësi, anëtarët e bordit nuk ndërhyjnë në vendimet editoriale, në montazhe apo në renditjen e lajmeve. Por Gibb është përjashtim. Mbështetësit e tij besojnë se ai po përpiqet ta “shpëtojë” BBC-në nga vetja e saj. Vitin e kaluar, ai thuhet të ketë deklaruar se, nëse nuk arrin ta imponojë vullnetin e vet, do të ishte i gatshëm “ta hidhte në erë” transmetuesin.
Shkëndija që çoi në dorëheqjet e Turness dhe Davie ishte një raport i paraqitur në bord nga konsulenti i pavarur Michael Prescott, i cili kritikonte programin Panorama dhe mënyrën e mbulimit të luftës në Gaza nga shërbimi arabik i BBC-së. Raporti përmbante edhe kritika të tjera: nga ajo që përshkruhej si “censurë e imponuar nga seksioni LGBTQ i BBC News” (kryesisht për çështjet që lidhen me personat transgjinorë), te pasaktësi në një material të BBC Verify mbi racizmin në industrinë automobilistike. Dihet botërisht se Prescott dhe Gibb janë miq të ngushtë.
Shumica e vërejtjeve të Prescott-it mbështeteshin në kërkimet e David Grossman-it, ish-gazetar shumë i respektuar i Newsnight dhe koleg i Gibb-it në kohën kur ai punonte për BBC-në. Disa prej analizave të Grossman-it janë të rëndësishme dhe meritonin më shumë vëmendje. Megjithatë, raporti i Prescott-it ishte thjesht një konsulencë dhe interpretimi i tij, se Panorama paska fshehur informacion thelbësor mbi ngjarjet e 6 janarit, ishte i gabuar, pasi ajo që ndodhi atë ditë është e dokumentuar gjerësisht. Disa prej kritikave do të kishin justifikuar një rishikim të brendshëm, por asnjë nuk ishte aq e rëndë sa të justifikonte largimin e dy drejtuesve të lartë.
Manovra intimidimi
Për BBC-në ky është një moment kritik. Transmetuesi publik, me të drejtë, mbahet në standarde shumë më të larta se mediat e tjera, por dorëheqjet e Daviet dhe Turnessit nuk lidhen me cilësinë e informacionit të ofruar. Ato janë rezultati i një sulmi politik që nxjerr në pah dobësitë strukturore të mekanizmit që duhet të garantojë pavarësinë e korporatës. Prej kohësh qarkullojnë zëra për një presion të heshtur politik. Tani ky presion po zhvillohet haptazi.
As qëndrimi i ministres së Kulturës, Lisa Nandy, nuk e ka ndihmuar situatën. Prej muajsh ajo ka shprehur publikisht dyshime të forta për udhëheqjen e Davie-t. Kjo ka hapur rrugën për një “gjueti ndaj BBC-së”, e ushtruar nga politikanë të djathtë dhe të majtë. Respekti për pavarësinë editoriale të transmetuesit po zhduket.
Që nga vera e kaluar, The Observer gazetë ka paralajmëruar për rrezikun e ndërhyrjeve politike në punën e BBC-së dhe ka mbështetur idenë e një shërbimi tërësisht të pavarur, ku politikanët nuk mund të komandojnë nga prapaskena dhe ku përzgjedhjet editoriale t’i besohen ekspertëve të pavarur dhe perspektivave të jashtme, ashtu siç ndodh në sektorin e argëtimit.
Nëse kjo situatë do të zhvillohej si një episod i programit të njohur të BBC-së The Celebrity Traitors, ku lojtarët ndahen mes “besnikëve” dhe “tradhtarëve”, Davie dhe Turness do të ishin padyshim mes besnikëve. Largimi i tyre përbën një tradhti ndaj parimit më themelor mbi të cilin mbështetet besimi i publikut te BBC-ja: pavarësia e saj. / The Observer – Bota.al





