Analiza

Dimri i Ukrainës që ka shuar revolucionin

Një vit lufte, 5 mijë të vdekur. Vendi tashmë në gjunjë, i zhgënjyer edhe nga Perëndimi

Screen Shot 2015-01-26 at 2.03.10 PM

ZOTËRIT e luftës janë midis nesh. Nuk janë ata ushtarët e dërguar ditët e fundit për të vëzhguar në mënyrë spektakolare cdo rrugë të qendrës, për “të shmangur atentatet nga ana e rusëve”. Nuk janë as ata të rinjtë që mbajnë radhën në qendrat e regjistrimit të vullnetarëve jashtë qytetit, për të shkuar dhe “pastruar” Ukrainën lindore nga terrorristat. Në cdo rast, dëshira për luftë duket të jetë shumë e fortë. Dhe midis banorëve të Kievit, në tregje, në shkolla, në kafenetë e shëtitores së madhe Kreshatik që një vit më parë mante ende tendat dhe flamujt e “revolucionit”, flitet e arsyetohet për luftën si diçka e pashmangshme, e destinuar të bëhet gjithmonë e më e madhe, gjithmonë e më e përgjakshme.
Pamjet e të vdekurve të së shtunës në mëngjes në Marjupol në një sulm hakmarrës nga separatistët filorusë shkrihen, në lajmet televizive, me fytyrën çuditërisht të zymtë të Presidentit Poroshenko, që mbledh këshillin e tij të emergjencës duke ekspozuar një fjongo të zezë në shenjë zie, ku dhe bën deklarata që nuk japin shpresë: “Asnjë alternativë për marrëveshjet tashmë të përcaktuara”. Kështu, ndërkohë që arrin lajmi i mbledhjes së një këshilli të jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, thirrur nga përfaqësuesja e lartë Federika Mogherini për të enjten e ardhshme, ushtria përqëndron forcat e saj përreth Donbass-it rebel. Dhe rinis bombardimin e fshatrave të minatorëve rreth Donetskut. Logjika e të dy palëve kjo, që që shpjegon shifrën e dhënë nga OKB: më shumë se pesëmijë viktima civile, që nga fundi i prillit.
Rekrutimi i rezervistëve ka arritur tashmë në valën e katërt. Janë mbledhur pesëmijë të zgjedhur midis gjithë ish ushtarakëve, që nuk kanë mbushur të gjashtëdhjetat (për gratë, pesëdhjetë). Pesë mijë të tjerë kanë marrë tashmë njoftimin per valën e prillit. Dhe po përgatiten listat e atyre që do të nisen në qershor. Por deri tani janë paraqitur vetëm dy mijë. Kërkimi u është besuar grupeve paramilitare vullnetare. Dikush në qeveri është duke studiuar një lloj “takse” për “shmangie të shërbimit” që duhej të ishte prej 50 mijë grivne (2500 dollarë). Dhe lufta i fut frikën zonjës Mariana, e cila bën pazar mes tezgave të tregut Bessa rabsky: “Jemi të gjithë të terrorrizuar. Ndiej vetëm urrejtje dhe dhunë. Askush nuk flet për paqen”. Pothuajse argëtohet plaku Andryi, që ka një tezgë ku shet peshk dhe që ka parashikuar personalisht një embargo, e cila ende s’ka ndodhur: “havjarin që vjen nga ata atje, unë nuk e shes më”.
Tezgat janë plot që nga arratisja e presidentit Yanukovich, i cili firmosi në 23 shkurt pikën e kthesës perëndimore të Ukrainës, malli arrin në sas të mëdha. Në tregje, në dyqane të elektronikës, në butikët e firmave të mëdha italiane rretheqark Majdanit mitik. Por nuk ka klientë, boshllëk absolut. Nga ditët e shpresës po kalohet në ato të dëshpërimit. Ndihmat e famshme amerikane dhe euopiane që duhej të rilanconin Ukrainën janë të pakta, të ngadalta e jo të përshtatshme. Kontraktimi i ekonomisë ka kaluar tashmë rekordin negativ të luftës së dytë botërore. Kjo është parë në ditët e fundit. Pas muajsh racionimi të ngrohjes, lidhur kjo me kërkimin e dëshpëruar të gazit në ardhje nga tregje të ndryshëm nga ai rus, më në fund gjithcka duket të funksionojë, por bashkia kërkoi pagesën me paradhënie në vend të kësteve. Ka lindur “revolta e grave të moshuara”, me turma pensionistesh të hidhëruara, të cilat kanë tentuar protesta të ndryshme në stacionet e metrosë. Shenjë e vogël e përplasjeve, e përsëritur në të tjera përmasa me grevën e drejtuesve të tramit, që kanë paralizuar qytetin duke pretenduar katër muaj rrogash të prapambetura. Për t’i kënaqur, kryebashkiaku Vitalj Klitschko, ish kampion botëror i boksit dhe “bir” i Majdanit, i është dashur të bëjë shkurtime të befasishme në personelin e spitaleve, duke shkaktuar shpërthimin e protestës së mjekëve dhe infermierëve. Për të mos folur për komitete të lindura të “viktimave të pengut”, ata qytetarë që kishin kontrata kredie në dollarë me banka të huaja e që tani gjenden me lakun në fyt, nga zhvlerësimi i monedhës vendase: më parë në Majdan mjaftonin 8 grivne për një dollar, tani duhen të paktën 20.
“I gjithë faji është i Rusisë – thotë Mykola Sungurovsky, drejtor i qendrës së kërkimeve ushtarake Razumkov – e cila ka të vetmin objektiv të destabilizojë Ukrainën, duke rritur pakënaqësinë. Putini nuk do që të hyjmë në Bashkimin Europian, aq më pak në NATO. Për këtë armatos rebelë në Lindje dhe i shtyn gjithmonë e më shumë në buzë të një lufte në shkallë të gjerë”. Shqetësuese ngjashmëria me versionet e vetë Putinit e të Ministrit të Tij të Jashtëm Lavrov: “Europa e SHBA janë duke tentuar, nëpërmjet krizës ukrainase, të destabilizojnë qeverinë tonë, rendin tonë shoqëror”. Por, duke supozuar që bëhet fjalë për teza të sakta, ndjesia që del jashtë është që klima e luftës i shërben shumëkujt. Sigurisht justifikon zhdukjet e fondeve, vonesat, mangësitë misterioze.
Ka kaluar, pa një reagim të vetëm, deri edhe formimi i një qeverie që Moska e ka quajtur menjëherë“koloniale”. E formuar nga kryeministri Arsenij Jatsenjuk, fitues i zgjedhjeve e i sponsorizuar publikisht nga ambasadori amerikan e nga vetë Obama. Ka një ministre të Financave, zonja Natalia Jaresko, që është nënshtetase amerikane. Për ekonominë bankieri i investimeve lituaneze Aivaras Abromavicius, që ka mbuluar tashmë detyra të ndryshme për departamentin e shtetit të SHBA. Për shëndetin nga ana tjetër, gjeorgjiani Aleksander Kvtashvili. Të gjithë të zgjedhur nga një fondacion që ka në krye miliarderin George Soros. Legjitime, pasi për të zgjedhur të huajt është bërë një ndryshim i kushtetutës. Por sigurisht e guximshme, në një klimë ku  nacionalizmi i dëshpëruar duket se rritet gjithmonë e më shumë. Mund ta vësh re në tregun e të sendeve të përdorura të qendrës historike, pranë katedrales së Santa Sofias, shihet se apologjia e nazizmit u injorua në mënyrë të heshtur: kryqe të thyer të kohëve të dikurshme, simbole të vjetra e të reja të kolaboracionizmit ukrainas, si flamujt e trupave famëkeqe të vullnetarëve të Ukrainës në radhët e SS-ve, deri tek pamjet e Stepan Banderas, ikonë e të gjithë neo-nazistëve në Europën Lindore.
Jurij Chizmar, sipërmarrës dyzetvjecar nga Leopoli, i transformuar pas revolucionit në shefin e qendrës për vullnetarë dhe luftëtarë, e pranon që jo gjithcka ecën sipas vargut të ëndërruar: “Nuk është qeveria më e mirë e mundshme. Kam frikë që shpejt do të rifillojnë të vjedhin e të ndjekin interesat e veta. Por ne do të vigjilojmë. Jemi gati të kthehemi në Majdan”. E çfarë duhet të bëjë qeveria për të ruajtur këtë besim të luftëtarëve? “Të mos hezitojë, të vazhdojë luftën deri në fitoren kundër tradhëtarëve e kundër imperializmit të Vladimir Putin-it”./atlantic/
e.xh./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button