Analiza

Disfata e Obamës

Amerika pa strategji nuk mund Shtetin Islamik dhe forcon al Assad dhe Iranin. Kobane është një Dunkerk i ri

disfataBarack Obama kalon vetveten: vazhdon të injorojë Von Clausewitz dhe hidhet në luftën e tij të dytë, pas asaj të Libisë, pa kurrfarë vizioni politik. Për më tepër, duke u bërë aleat faktik me vende dhe ushtri gjakatare armike të Shteteve të Bashkuara. Një kryevepër që të çon drejtpërdrejti në një Dunkerk të ri, nëse ecën mirë; në një shpërthim të përgjakshëm të gjithë Lindjes së Mesme, nëse ecën keq. Në rast se mendoni që është ekzagjerim, shikoni në pasojat e përdorimit të parë të novatorizmit të luftës së ndjekur në 2011 nga Obama. Por të paktën për luftën pa strategji politike që ka zhytur në gjak e në kaos Libinë, Obama i kishte dy shfajësues. Mbi të gjitha presionin e dy amatorëve të luftës si David Cameron dhe Nicolas Sarkozy – me mbështetjen e jashtme e Emirit të Katarit – që, nëpërmjet al Jazeera, përfunduan me nisjen e një pranverë arabe libiane për të filluar një konflikt që synonte të eliminonte Rusinë nga furnizimet energjetike. Shfajësuesi i dytë ishte iluzioni shqetësues i këshilltarëve të tij, që mendonin se Bernard-Henri Lévy kishte të drejtë dhe se ekzistonte një “popull revolucionar nën armë në Bengasi”. Dihet sesi përfundoi: me dhurimin e një bastioni të pashkatërrueshëm në Magreb dhe në Mesdhe al Qaedas dhe Kalifatit.

Kurse për sot, turpi i mbrojtjes së Kobane, fyerja e 5 sulmeve të mjera ajrore në ditë që shtiren se ndihmojnë peshmergat kurdë, janë prova të pakundërshtueshme të çmendurisë së luftës obamiane të kryer pa parime strategjike dhe pa politikë. Kjo “jostrategji obamiane” është pasojë e drejtpërdrejtë e një postulati: “Nuk jemi në luftë me islamin”. Pohim i ndarë nga David Cameron e Federica Mogherini që të dënon me humbje sepse nuk mund të fitosh nëqoftëse nuk kupton se cili është kundërshtari, armiku. Më keq akoma nëse politically correct nuk të lejon të shikosh atë që është para syve të gjithë njerëzve: luftojmë kundër një pjese të islamit. Koalicioni obamian nuk është në luftë me islamin – siç është e qartë – ama lufton kundër një skizme të islamit. Kundër një Kalifati që ka një spesor fetar – vulgar, të dhunshëm, mizor, të papranueshëm – që daton shekuj më parë. Mbi të gjitha, një Kalifat që ka konsensus midis shtetasve të rinj të tij, siç e provon një e dhënë faktike e paekuivok: në Fallujah, Tikrit e Mosul arabët sunitë, me përjashtime shumë të rralla, jo vetëm që nuk rebelohen, por deri edhe nuk largohen. Refugjatët irakenë janë të persekutuarit: kristianë, shiitë, yazidë, kurdë. Fakti është se me Kalifatin për herë të parë ndodhemi përballë një force xhihadiste, e cila është në gjendje të ndërthurë qeverinë autoritare më brutale të territorit me një aftësi të dukshme për të fituar konsensus. Konsensus ka mundësi minoritar (siç është në të gjitha diktaturat), por gjithsesi konsensus, që shprehet para së gjithash në format tradicionale e rakordimit me krerët e tribùve sunite, por edhe me pranimin, gjithsesi pasiv, e pjesëve të popullsisë. Një konsensus që bazohet mbi një element përcaktues: aplikimin pedant e ligjit islamik më tradicional dhe mijëvjeçar (sharia) në versionin hanbalit nga ana e Kalifatit, version tradicionalisht i ndjekur, duke filluar nga shekulli i XVIII-të, në një pjesë të madhe të Mesopotamisë. Sigurisht që konsensusi nuk zvogëlohet përballë elementëve që shkaktojnë tmerr në Perëndim.

Vrasjet masive të shiitëve, qysh nga shkatërrimi i faltores së Kerbala nga ana e Abdulaziz ibn Saud në 1804, janë karakteristika historike dhe kanë artikuluar të gjithë aktivitetin xhihadist në Irak nga 2003 e këtej, me dhjetëra mijëra viktima shiite me atentate kamikaze. Aq më pak plateja sunite provon tmerr ndaj masakrimeve të yazidëve, të konsideruara gjithmonë nga islami jo vetëm renegatë, si shiitët, por deri adhurues të Djallit Për sa u përket persekutimit të kristianëve, shkatërrimit të kishave dhe kryqëzimit, detyrimit për konvertim, Kalifati nuk bën gjë tjetër veçse imponon (me një tepri dhune) atë që prej dekadash imponohet në Arabinë Saudite, lidhur me sharian hanbalite dhe me mësimet e teologut mesjetar Ibn Taymyya. Së fundmi, asgjë lidhur me popullsitë e nënshtruara Kalifatit për sa u përket shitjes së vajzave kristiane dhe yazide si skllave dhe objekte seksuale. Skllavëria e qafirëve përfshihet në shumë vargje të Kuranit dhe është e rregulluar nga sharia. As abrogimi i ligjit të skllavërisë në vendet islamike (në Arabinë Saudite është abroguar vetëm në 1962 dhe në Mauritani në 1981) nuk e ka sjellë zhdukjen e këtij fenomeni. Të gjitha organizatat humanitare, nga Amnesty International tek Human Rights Watch, denoncojnë prej vitesh vuajtjet e qindra mijëra skllevërve faktikë (kryesisht filipinas dhe pakistanezë) si në Arabinë Saudite, ashtu edhe në emiratet e ndryshme të Gjirit. Vëzhgime të hidhura, të papëlqyeshme, të egra, ama të vërteta. Kjo është bota arabe sunite e Gjirit dhe e Mesopotamisë.

Kështu, Kalifati është bartës i një “mendimi totalitar” që imponohet dhe është gjerësisht i pranueshëm, pasi është krejtësisht brenda traditës, mendimit dhe liturgjisë fetare të islamit. Duke duke parë se falë financave të lulëzuara të tij arrin që të përhapë një sistem social islamik të shkëlqyer, zbaton sharian tradicionale dhe frenon korrupsionin gërryes, ia del që ta forcojë konsensusin e tij në nivele më shumë se shqetësues. Një tjetër element tjetër devijues i jostrategjisë obamiane është bindja se shkaku përcaktues i lindjes së Kalifatit është pushtimi i “mallkuar” i Irakut. Një vlerësim që përmbys të dhënat e realitetit. Mbi të gjitha sepse dinamika e përplasjes së egër midis sunitëve dhe shiitëve në Irak është mijëvjeçare dhe ka rifilluar menjëherë pas Luftës së Parë Botërore me një revoltë të madhe shiite. Në radhë të dytë, sepse pajtimi gjithsesi mizor i konflikteve që nga shumë i atribuohet regjimit të Saddam Hussein nuk ishte aspak i tillë. Saddam ka masakruar dhjetëra mijëra shiitë përpara dhe pas luftës së parë të Gjirit dhe ka vënë në gjendje urie qindra mijëra të tjerë duke tharë kënetat e jugut. Vetëm se asnjeri në botë nuk fliste. Me rënien e Saddam thjesht ka ndodhur që, si gjithmonë, sunitë dhe shiitë kanë vendosur që të përplasen, por më së fundmi në dritën e diellit, në favor të telekamerës. Vetëm atëhere bota ka kuptuar se çfarë vullkani është Iraku, por nuk di t’ia lexojë shkaqet e thella, të natyrshme në lindjen e skizmës shiite pikërisht në Irak, në konfliktin mijëvjeçar midis arabëve dhe persianëve. Për më tepër, lufta e Bush kishte mundur dhe përzënë Shtetin Islamik nga Iraku, ashtu si al Qaedan dhe drejtuesit ba’athistë në klandestinitet, me surge e kryer (me kundërshtimin e senatorit të atëhershëm Obama) nga Gjenerali David Petraeus në periudhën 2007 – 2008. Kështu, kthimi i Shtetit Islamik në Irak dhe avancimi i jashtëzakonshëm i tij janë prodhuar prej gabimeve të kryera nga Obama: duke mos ruajtur një presion ushtarak në Irak, duke i lejuar qeverisë së Nouri al Maliki të zhvillojë, në rakordim me Iranin, një politikë sektare kundër sunitëve; duke mos armatosur në 2012 dezertorët e ushtrisë së al Assad që e kishin fitoren në pëllëmbë të dorës, sepse vepronin në valën e revolucionit të vetëm popullor të shpërthyer ndonjëherë në një vend arab; duke synuar gjithçka në paqëtimin me Iranin, duke u shtrirur se nuk shikonte që Hassan Rohani ka shkaktuar krizën e Gazas, krizën jemenase dhe ka garantuar me pasdaranët dhe Hizballahun atë mbijetesë të al Assad e cila ka qenë shtrati për lindjen e Kalifatit.

Lidhur me pasojat imediate e gabimeve të Obamas, përtej turpit të mosveprimit mbi Kobane, nuk është e nevojshme të kesh frekuentuar West Point për të kuptuar se goditjet e shkaktuara nga goditjet ajrore amerikane dhe arabe mbi bazat e al Nusra dhe të Shtetit Islamik në Siri do të shfrytëzohen shpejt për një kundërsulm tokësor nga milicitë e Bashar al Assad. Në fakt, të kaluara frikërat e para, të verifikuara objektivat e përcaktuara nga Tampa, duke konstatuar që nuk i godasin aspak forcat e tij dhe që nuk i shtrëngojnë islamistët të tërhiqen, vetë al Assad ka promovuar operacionin: “Sulmet ajrore shkojnë në drejtimin e duhur”. Fushata ajrore e Sirisë rrezikon që të favorizojë një forcim të regjimit të Damaskut. Me këtë konsolidim të al Assad do të duhet të konfrontohen veç të tjerash në një të nesërme ata opozitarë sirianë që vetëm tani Obama i stërvit dhe i armatos në Jordani. Kaos strategjik në gjendjen më të pastër të tij. Jo rastësisht Presidenti turk Recep Tayyp Erdogan – që mburret në publik “se nuk i del në telefon Obamas prej muajsh” – ka pasur të gjithë hapësirën për ta vënë me shpatulla për muri Presidentin amerikan. Të martën ka deklaruar: “Sulmet ajrore nuk do t’i ndalojnë terroristët e Shtetit Islamik, por ne do ta dërgojmë ushtrinë tonë në Siri vetëm nëse strategjia e Shteteve të Bashkuara do të përfshinte një plan për përmbysjen e regjimit të al Assad”. Erdogan është cinik dhe pret që Kalifati të masakrojë kurdët kundërshtarë të tij përpara se të ndërhyjë. Erdogan është i dyfishtë, pasi në realitet e ka favorizuar me të gjitha mënyrat afirmimin e Kalifatit. Erdogan është ambig, për shkak të politikës islamiste të tij. Por të paktën Erdogan ka një strategji politike dhe e përdor atë në fushën ushtarake me një mizori – masakrim i kurdëve i përfshirë – të denjë për një “commander in chief”. Kështu, i përqeshur dhe i shantazhuar nga Erdogan, Obama nuk di se nga t’ia mbajë. Nëqoftëse autorizon Erdogan (dhe sauditët) që ta rrëzojnë al Assad, e fut në luftë koalicionin e tij me pasdaranët iranianë, të cilët bashkë me Hizballahun janë të vetmit që e mbështesin regjimin e Damaskut. Por kjo nënkupton në fakt që të hyhet në luftë me Iranin. Kërkon përmbysjen e politikës së appeasement me ajatollahët dhe zgjedh që të përballet regjimi iranian nëpërmjet një përplasjeje ushtarake me pasdaranët e tij në fushë të tretë, Siri. Strategji për më tepër e dëshirueshme, e përsosur, sepse synon që të dobësohet regjimi i Teheranit duke rrëzuar atë al Assad që është një aleat i domosdoshëm i tij, siç është parë nga impenjimi që ka përdorur për ta shpëtuar.

Por Obama nuk do të hyjë në luftë me Iranin, nuk do të luftojë në tokë as në Siri, as në Iran, nuk do të zgjedhë as frontin sunit, as frontin shiit. Shkëputja e tij nga parimi i realitetit dhe i përgjegjshmërisë është totale, i paparë ndonjëherë më parë tek një President amerikan. Për më tepër, duke e dezertuar dosjen iraniane. Obama nuk e një njeri në terren që të udhëzojë sulmet ajrore që godasin objektiva të kota dhe nuk e ka as idenë më të vogël kë të vërë në fron në Damask, sapo al Assad të rrëzohet. Sërish hapësirë e pafundme iniciative për Turqinë dhe Arabinë Saudite që të manovrojnë një ndryshim regjimi eventual. Por nëse kuadranti sirian është për të ardhur keq, ai është bile katastrofik me një përparim të vazhdueshëm të Kalifatit drejt Bagdadit, i kundërshtuar vetëm nga peshmergat me disa fitore vogla. Në pragun e mazokizmit, qendra gravitacionale strategjike e shpallur shumë herë nga Obama është në fakt e bazuar mbi dy parime. Mbi të gjitha “no boots on the ground” të ushtarakëve amerikanë dhe perëndimorë. Në vend të tyre, detyra çnjerëzore e përplasjes tokësore i është besuar krejtësisht peshmergave dhe ushtrisë irakene. Më kot Gjenerali Martin Dempsey i ka bërë me dije veçantinë jo të vogël se ushtria irakene, nëse ka ekzistuar ndonjëherë, nuk ekziston më. E shkrirë si bora në diell gjatë betejës së Fallujah dhe pastaj të Mosul, ka tentuar që të japë shenja të ndrojtura se po e merr veten në dy kundërsulmet për të rimarrë Tikrit në korrik, të dështuara krejtësisht, dhe në mbrojtjen (sërish të dështuar) e pak bazave ushtarake të ndodhura jashtë perimetrit jugor shiit. Arsyeja e kësaj shpërbërjeje të ushtrisë irakene është pasojë e drejtpërdrejtë e strategjisë së të gjitha partive shiite irakene. Në vend që të krijojnë një ushtri kombëtare, që e kanë përdorur si grep për të siguruar financime amerikane, kanë forcuar vetëm milicitë e partive, sot praktikisht operative dhe të frikshme. Nëse do të arrijë ndonjëherë të luajë ndonjë rol, ajo pak apo aspak që mbetet nga ushtria irakene do të dijë ta mbrojë Bagdadin dhe jugun nga sulmi i Kalifatit (ashtu si peshmergat do të dinë të mbrojnë Kurdistanin). Ama kurrë nuk do të mund as të tentojë të rimarrë Anbar. Duke pranuar dhe mos lejuar që lufta ajrore e koalicionit t’i dobësojë në atë pikë milicitë xhihadiste sa t’i detyrojë që të fshihen me mbulim në qytete, mbetet pikëpyetja. Ndonjë ushtri tokësore do të duhet së fundmi të lëvizë në terren për ta rimarrë Anbar dhe qytetet, ndërmarrë veç të tjerash aspak e thjeshtë kundër një Mosuli që numëron 3 milion banorë. Por, sërish, cila ushtri?

Sot për sot, për sa u përket operacioneve tokësore, Obama duket se procedon sipas “modelit Amerli”, qytetit në të cilin 600 turkomanët shiitë janë çliruar nga rrethimi i kalifalëve nga aksioni i përbashkët i sulmeve ajrore amerikane dhe luftëtarëve shiitë të Brigadës Badr, e brigadave Hizballah irakene, e Lidhjes së të Drejtëve dhe e Brigadës së Ditës të Premtuar (Apokalipsi). Gjithçka nën komandën ushtarake e Gjeneralit të pasdaranëve iranianë, Qassem Suleimani. Të fiksohet mirë: Qais al Khazali, komandant i Lidhjes së Drejtëve, mburret me të drejtë “se ka vrarë qindra ushtarë amerikanë dhe se ka kryer 6035 operacione kundër pushtimit amerikan”. Një notë me ngjyrë: me pushtimin e Amerli, milicët shiitë e Moqtada al Sadr kanë postuar në internet një video në të cilën argëtohen pakashumë duke luajtur futboll me kokat e dy milicëve të Kalifatit të kapur rob. Nga këndvështrimi i sunitëve, projektimi për ripushtimin e Anbar dhe të zonave sunite i përqëndruar mbi milicitë shiite nuk është aspak shumë ndryshe nga hipotezimi për t’ia besuar një gjë të tillë Tsahalit, ushtrisë izraeliane. Një operacion i ngjashëm shkakton në fakt një gjenerim urrejtje dhe hakmarrjesh në fitne-n midis shiitëve dhe sunitëve që nuk do të ketë kurrë fund për një arsye që i shpëton Shtëpisë së Bardhë më injorante të çështjeve arabe dhe islamike (pikërisht pse është plot me këshilltarë arabë dhe islamikë) të historisë amerikane. Në fakt është qysh nga viti 634 A.D. që iranianë shiitë dhe irakenë sunitë urrehen, luftojnë dhe kafshohen me njëri tjetrin pa ndonjë zgjidhje të vazhdueshme. Një urrejtje, spazmatike qysh nga revolta e parë shiite e vitit 1921 deri në ditët tona, në të cilën ndërthuren motivacione kombëtare, etnike dhe fetare të pazgjidhshme. Por opsioni pro shiit është sot perspektiva e vetme ndaj pritjeve për “fazën dy” të luftës së gjatë kundër Kalifatit. Në fakt, në kaosin aktual të aleancave të krijuar nga Obama, nuk është e hipotezueshme që kjo prani ushtarake e domosdoshme në Anbar të mund të operohet me shpejtësi nga një forcë tokësore irakiane suite. Vetë tribùtë irakene sunite të disponueshme janë me të drejtë të terrorizuara nga aftësia vepruese dhe hakmarrëse e Kalifatit. Aq qeveria e re në Bagdad e shiitit Haider al Abadi nuk mund – as nuk do, po të kesh parasysh praninë e intransigjentëve shiitë proiranianë të Moqtada al Sadr – të rikrijojë një raport me sunitët tashmë të parikuperueshëm. Aq më pak nga një lidership shiit.

“Jostrategjia” obamiane na çon në një Libi të dytë të shumëzuar me 1000. Veç në mos ndonjëri të ketë kurajën e të thotë “Mbreti është lakuriq” dhe të hedhë në tryezë alternativa. E vetmja e praktikueshme në periudhën afatmesme/afatgjatë është kthimi konceptual dhe praktik në strategjinë e Lindjes së Mesme të bazuar mbi “llogoren sunite”, pikë e fortë strategjike e Condoleezza Rice dhe George W. Bush. Një llogore e formuar nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite dhe Emiratet. Vende të cilave Shtëpia e Bardhë duhet t’u rifitojë besimin (i zbehur me “shkeljet e syrit” ndaj Iranit) për t’i armatosur dhe motivuar. Operacion jo i shpejtë, që imponon sot të kalibrohen sulmet ajrore thelbësisht në funksion të frenimit të Kalifatit, qysh kur një iniciativë politike dhe një ushtri sunite (e durueshme turko – jordanezo – saudite) nuk do të dijë t’u ofrojë tribùve sunite të Anbar të njëjtën strategji dhe perspektivë identike (dhe financime) që u ofroi atyre në 2007 ajo surge e Gjeneralit Petraeus që shkatërroi embrionin e Shtetit Islamik, kundër të cilit votoi senatori Obama. Jo rastësisht. Ama është e vështirë që të jetë kështu. Sfida me Von Clausewitz e Obama e shtyn që të forcojë në të vërtetë dhe jashtë mase “llogoren shiite” e Iranit, Hizballahut dhe Internacionales shiite. I mundëson al Assad të forcohet në fron e mbi territor dhe Teheranin që të bëhet hegjemonist në terren në Irak. E gjitha kjo teksa Kobane mbytet në gjakun e peshmergave të tij të mundur dhe deri edhe Jemeni kalon nën kontrollin e shiitëve houtë në revoltë – natyrisht të manovruar nga Teherani – me bekimin e Washington. Por nuk mjafton. Ka mundësi që kjo “llogore shiite” që Obama e forcon dhe deri e ngre – e vetëdijshme apo jo qoftë një ide e tillë – do të bëhej e pathyeshme nga një marrëveshje në rënie me Teheranin për bërthamorin midis të mefshtit Kerry dhe dhelprës Rohani. Krahasuar me Obaman, Neville Chamberlain ishte një specialist i vërtetë. /NZZ Folio/

Përgatiti per www.bota.al:

ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button