HistoriHorizonti.al

DISFATA E TEUTEBURGUT. Dhe Cezari thirri: “Varo, ku i ke legjionet e mi!”

Screen Shot 2015-08-16 at 21.48.25Pushtimi i Gjermanisë veriore mes Renit dhe Elbës në vitet 4-5 pas Krishtit realizuar nga Tiberi dhe që zgjati më shumë se njëzetë vite, u prish brenda vetëm tre ditëve, prej njërës prej disfatave më të rënda të historisë ushtarake romake. Për ironi të fatit, në krye të ushtrisë nuk ishte një gjeneral, por guvernatori i territoreve të sapo pushtuar, Lucio Varo. Biografi Svetoni, tek “Jetët e dymbëdhjetë Cezarëve” na informon se perandori August, pasi mëson për rezultatin e ekspeditës, pothuajse i marrosur prej dhimbjes ka ulëritur: “Varo, ku i ke legjionet e mi!”

Në shtator të vitit 9, ushtria legjionare që marshon drejt lumit Ren bie në një pritë të organizuar nga Armini, princi i Keruskëve në krye të një koalicioni fisesh gjermanikë. Mospërgatitja totale e guvernatorit romak do të materializohej në një seri gabimesh taktikë dhe ushtarakë, me pasoja dramatike gjatë kalimit të pyllit të Teuteburgut. Varo kishte në dispozicion tre legjione me rangje të plotë, pra afro 15 mijë legjionarë dhe 5 mijë ndihmës dhe kishte përballë një armik pak më të madh në numër. Guvernatori, pa u vënë veshin zërave që qarkullonin për një pritë të mundshme, në një territor të paeksploruar dhe në brendësi të një pylli të rrethuar me këneta, nuk mori asnjë masë paraprake për të shmangur rënien në kurth. Marshimi, i shoqëruar nga një mot me shi, rezultoi që në fillim një sipërmarrje e pamundur.

Për tre ditë, legjionet u sulmuan, duke rënë në prita të befasishme, nga luftëtarë që e njihnin shumë mirë terrenin, dhe që nuk lëshonin pe e nuk bënin armëpushim. Radha e ushtarëve zgjatej me kilometra dhe nuk kishte asnjë mundësi të reshtoheshin në strukturë luftimi. Dy ditët e para humbjet ishin shumë të mëdha, por ushtria vazhdoi të përparojë. E fundit ishte më e gjata dhe më tragjikja. Legjionarët, të përgjysmuar u rrethuan dhe u sulmuan nga të gjithë anët. Pikërisht për këtë arsye, siç tregon historiani romak Cassio Dione, “Varo dhe zyrtarët e tjerë të rangut të lartë, nga frika se mos kapeshin të gjallë, kryen një vetëvrasje kolektive”. Me marrjen e lajmit të humbjes së komandantëve, pjesa tjetër e ushtrisë mori arratinë. Ishte një masakër. Përllogaritet që ka pasur 15 mijë të rënë në radhët e romakëve. Pasojat e kësaj disfate të tmerrshme patën një impakt shumë të thellë në historinë e Romës, dhe ndoshta me shumë gjasa edhe në atë të Europës siç e njohim sot. Shumë historianë bien dakord që nëse kolonizimi i territorit gjermanik do të përfundonte siç ishte nisur, ashtu si kish ndodhur edhe me popullsitë kelte, dhe nëse fiset lokalë do të ishin asimiluar atëherë do të kish patur një presion më të ulët mbi kufijtë perandorakë dhe, nuk përjashtohet një ekspansion i territoreve mes lumenjve Elba, Oder dhe Vistola.
Me paqësimin e territorit gjermanik, një sasi e madhe e trupave, burimeve dhe fondeve do të orientoheshin në fronte të tjerë, duke larguar rrezikun e pushtimeve. Pikërisht nga kufijtë përtej Renit, që nga shekulli IV, nisën të vijnë kërcënimet seriozë ndaj sigurisë së Romës. Një prej faktorëve, në mos më i rëndësishmi, që solli rënien e Perandorisë romake të Perëndimit. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button