Histori

“Disinformatia” / Kështu e “goditi” Moska, Izraelin dhe Vatikanin

Ion Pacepa, superspiuni i Çausheskut i arratisur në Perëndim, zbulon sesi Moska kërkoi që të shkatërrojë kredibilitetin e Izraelit dhe të Vatikanit

PacepaEmri i gjeneralit rumun Ion Mihai Pacepa është i lidhur me një prej arratisjeve më të bujshme në Perëndim të viteve Shtatëdhjetë. Pacepa u bë ushtaraku me gradë më të lartë i një vendi të ish bllokut sovjetik që u arratis në Shtetet e Bashkuara. Për regjimin e Nikolae Çausheskut dihej gjithçka, për shembull, për trafiqet e armëve ne emër dhe për llogari të rusëve me Gheddafin, deri në fundin e viteve Shtatëdhjetë dhe për shumë operacione sovjetike të “mbuluara” në të gjithë botën, duke parë se fytyra e Bukureshtit me drejtuesit e KGB-së, ishte pikërisht ai. Midis spiunëve të mëdhenj të Traktatit të Varshavës të kaluar në Perëndim, Pacepa ka qenë më i larti në gradë që e ka furnizuar CIA-n për vite me radhë me raportime të sakte sesi të shkatërroheshin rrjete dhe operacione të ish aleatëve të tij.
Në vitin 1978 Pacepa ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë se Bukureshtit, këshilltari ushtarak i Çausheskut, përgjegjësi i shërbimeve sekrete dhe një drejtues i Securitate-s, policisë sekrete më famëkeqe të botës. Në një letër për të bijën Dana, e cila u botua nga francezja “Le Monde”, Pacepa i shpjegoi kështu arsyet e tradhëtisë: “Në vitin 1978 mora urdhrin për të vrarë Noel Bernard, Drejtorin e Programit Rumun të Radio Free Europe, pasi e kishte zemëruar në kulm Çausheskun. Vendosa se nëqoftëse duhej të zgjidhja midis një babai të mire apo një krimineli politik, duke të njohur Dana, e di se do të kishe preferuar të mos kishe asnjë baba sikur ai të kishte qenë një vrasës”. Në vitin 1981 Bernard u vra nga Securitate dhe për të penguar tradhti të reja pas asaj të Pacepa, Çaushesku i dha të shoqes Elena dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tij poste të rëndësishme qeveritare.
Në Washington, ku i garantoi azil Administrata Carter, Pacepa u vu në shërbim të CIA-s duke bashkëpunuar në “operacione” të shumta kundër bllokut sovjetik. CIA e mbron akoma nën identitet fals në Shtetet e Bashkuara. 10 vjet pas arratisjes, në vitin 1987, Pacepa botoi librin “Red Horizons”, i cili u lexua nga Radio Free Europe, stacioni i famshëm amerikan i disidencës antikomuniste që kish filluar të transmetonte nga një ndërtesë e thjeshtë në aeroportin Oberwiesenfeld të Mynihut – e dëgjuar fshehurazi nga Lech Walesa dhe nga luftëtarët e Solidarnosc – dhe që në Çekosllovaki transmetonte diskutimet e Ronald Reagan. “Red Horizons” i zbuloi botës sesi jetonte familja Çaushesku në kurriz të popullit. Fliste për Floreasca, rezidencën verore të tiranit, “il Conducator”, ku banjat kishin lavamanë dhe vaska me rubinete të florinjta dhe materiale të tjera të çmuara përtej çdo nevoje, dollapët ishin plot me veshje firmato e peliçe dhe deri strehimi atomik nëntokë ishte i pajisur me mure mermer. Në çdo portret të shtëpisë ishte mishërohej ankthi i madh i tiranit, pleqëria: Çaushesku paraqitej gjithmonë i ri dhe rozë.
Në shtator të 1978 Pacepa mori dy dënime me vdekje nga ana e Çausheskut, që arriti të vërë një shpërblim prej 2 milion dollarësh për kokën e tij. Diktatori komunist i kërkoi terroristit të famshëm ndërkombëtar Carlos që ta vriste në Shtetet e Bashkuara, por “Çakalli” (pseudonimi i terroristit) nuk arriti kurrë ta gjente Pacepa. Çaushesku u hakmorr me 21 shkurt të 1980, duke hedhur në erë selinë qendrore të Radio Free Europe në Mynih të Bavarisë, pikërisht gjatë një emisioni në të cilin transmetoheshin lajme lidhur me arratinë e Pacepa. Reagan mbeti aq i impresionuar nga “Red Horizons” sa që u fotografua me një kopje të librit në dorë në Sallën Ovale e Shtëpisë së Bardhë.
Tani Pacepa kthehet në librari me titullin “Dizinformacion”, në rusisht dezinformatsiya, i shkruar sëbashku me historianin Ronald Rychlak dhe me parathënien e ish Drejtorit të CIA-s, James Woolsey, në të cilin tregon operacionet kulturore e kryera prapa Perdes së Hekurt. Pacepa zbulon sesi aparatet e Europës Lindore arritën që të inflitrojnë në World Council of Churches, Këshilli Botëror i Kishave Protestante, për të nxitur protestat kundër Shteteve të Bashkuara. Por sidomos është kapitulli mbi Papën Pacelli, Piu i XII-të. Pacepa zbulon se Bashkimi Sovjetik financoi shumë fushata për ta diskredituar Atin e Shenjtë lidhur me sjelljen e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është ngrehina lidhur me “Papën e Hitlerit”, Papën e heshtur gjatë holokaustit. Pacepa zbulon më shumë, thotë se Moska dhe Gjermania Lindore janë prapa “Der Stellvertreter. Ein christliches Trauerspiel”, “Vikari. Një tragjedi kristiane”, vepër e Rolf Hochhuth që qe aktakuza e parë kundër Vatikanit dhe hebrenjve.
Deri në vitin 1963 Hochhuth ishte vetëm një funksionar i panjohur i një shtëpie botuese. Ishte mbrëmja e 23 shkurtit të 50 vjetëve më parë kur në Berlin u paraqit, për herë të parë në një teatër të madh, “Vikari” i tij. Pjesa pati një rezonancë të madhe dhe akoma sot konsiderohet ngjarja që shkaktoi në opinionin publik botëror atë valë revizionizmi kundër Piut të XII-të. Në këtë vepër, Papa Pacelli paraqitet si një njeri pushteti i ftohtë e i pamëshirshëm, indiferent ndaj fatit të hebrenjve. Figura e Piut të XII-të siç paraqitet nga drama e Hochhuth është një karikaturë e tmerrshme: një burokrat i ftohtë dhe hipokrit, më i vëmendshëm ndaj interesave të Vatikanit sesa vdekjes së miliona hebrenjve; një njeri që nuk do ta irritojë Hitlerin sepse i shërben si digë mbrojtëse kundër revolucionit bolshevik.
Studiues me famë ndërkombëtare si Leon Poliakov, Raul Hilberg dhe Daniel Goldhagen e kanë vënë seriozisht në diskutim qëndrimin e Piut të XII-të gjatë luftës. Hochhuth bën më shumë: nëpërmjet një pamfleti të errët demonizon Kishën katolike. Në veprën e Hochhuth, Pacelli është një personalitet i karakterizuar nga “ftohtësia sarkastike aristokratike”, ka “një ngjyrë të ftohtë të syve që fshihen prapa syzeve të arta” dhe “ftohtësia dhe ashpërsia e fytyrës së tij kanë arritur pikën e ngrirjes”. Me pak fjalë, një përbindësh. Anasjelltas, protagonisti i dramës, jezuiti At Riccardo, i ngjit rasos yllin e Davidit dhe ndjek hebrenjtë në Auschwitz për të ndjekur martirizimin e tyre; por jo pa deklaruar më parë: “Një përfaqësues i Krishtit që i ka këto gjëra përpara syve dhe hesht është delinkuent”.
Pas rënies së Murit, doli se Hochhuth kishte përdorur burimet të STASI-t, policia sekrete e Gjermanisë Lindore. Pacepa jep një sasi provash me një peshë të caktuar që demonstrojnë sesi “portreti i Piut të XII-të si Papa i Hitlerit ka lindur në Moskë”. Ish agjenti sekret shpjegon në fakt se në vitet menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore Bashkimi Sovjetik kërkoi që ta parqesh Pacelli si një bashkëpunëtor të zjarrtë të nazizmit për të luftuar antikomunizmin e Kishës. Kështu që do të falsifikoheshin dokumenta për të provuar fajësinë e Papës dhe është nëpërmjet këtij materiali që Hochhuth, i “zënë” nga shërbimet sekrete të Berlinit Lindor, do ta marrë spunton për veprën e tij.
Në vitin 1960, zbulon Pacepa në libër, Nikita Hrushovi miraton një plan për të shkatërruar kredbilitetin moral të Vatikanit në Europën Perëndimore. Ideja vjen nga Aleksandr Shelepin dhe Aleksey Kirichenko, të cilët shpikën shprehjen: “Të vdekurit nuk mund të mbrohen”. Kështu që u cytën kundër Pacelli. “Problemi është se KGB-ja nuk kishte akses në arkivat vatikanase dhe kështu ndërhyva unë”, shkruan Pacepa. “Në vitin 1959, kur u caktova në Gjermaninë Perëndimore me mbulesën e zëvendësshefit të misionit rumun, kreva një shkëmbim spiunësh në të cilin dy agjentë të mi (Koloneli Gheorghe Horobet dhe Majori Nicolae Ciuciulin) u liruan për priftin katolik Augustin Pacha”. Për të lehtësuar punën e infiltrimit në Vatikan, Bukureshti autorizon Pacepa që të vendosë marrëdhënie me Selinë e Shenjtë, në shkëmbim të aksesit në arkiva dhe të një financimi.
Spiuni komunist siguron një kontakt të drejtpërdrejtë me Agostino Casaroli, që atëhere mbante për llogari të Papës Gjoni i XXIII-të kontakte të fshehta me qeveritë komuniste për të siguruar përmirësime të kushteve të jetesës së kishës në ato vende. “Në 2 vjeçarin 1960 – 1962, inteligjenca ime arriti që të nxjerrë qindra dokumenta lidhur me Piun e XII-të dhe ju dërguan KGB-së. Qenë kopje letrash dhe takimesh (…) Në vitin 1963 gjenerali Ivan Agayants, shefi i Zyrës së Dezinformimit të KGB-së, fluturoi drejt Bukureshtit për të më falënderuar për ndihmën. Na tha se “Pozicioni 12” (emri i operacionit të dezinformimit, shënimi im) ishte transformuar në një sulm të fuqishëm ndaj Papës Piu i XII-të të titulluar “Vikari”. Dhe tha edhe se drama ishte shoqëruar nga një indeks voluminoz dokumentar i hartuar nga ekspertët e tij me ndihmën që ne kishim transmetuar”.
Erwin Piscator, prodhuesi i veprës së Hochhuth, ishte një komunist i devotshëm me marrëdhënie të gjata me Moskën. Kishte themeluar në vitin 1929 “teatrin proletar” të Berlinit, në të cilin mori pjesë edhe Bertolt Brecht. Cila është alternativa ndaj versionit të Pacepa? Ajo e Hochhuth, autor i “Vikarit”. Thotë se i ka siguruar ato dokumenta gjatë tre muajve të kaluar në Romë. Thotë se ka folur me “një peshkop të moshuar që fliste gjermanisht”, pa ia përmendur emrin, dhe më pas akoma “klerikë të lartë” e “dëshmitarë anonime”. Vështirë të kuptohet sesi protestanti komunist Hochhuth ia ka arritur të infiltrojë në hierarkitë ekleziale. Sipas Imzot Erich Klausener, djali i klerikut të famshëm të vrarë në “Natën e Thikave të Gjata” të vitit 1934, Hochhuth është frymëzuar nga një vepër e markës sovjetike e prodhuar në Institutin Historik të Shkencave të Moskës, shkruar nga M. M. Scheinmann dhe sipas të cilit ekzistonte një komplot i Vatikanit me nazistët për t’i përzënë hebrenjtë nga Europa.
Pacepa tregon edhe sesi Kremlini përdorte lëvizjet paqësore të markës kristiane për të influencuar opinionin publik në Perëndim. “Në vitin 1959 dëgjova me veshët e mi Nikita Hrushovin të thotë se “feja është opium për popullin, kështu le t’ia japim atij opiumin””. Në Pragë KGB-ja financon lindjen e Christian Peace Conference, “qëllimi i të cilës ishte të përhapte teologjinë e çlirimit në Amerikën latine”. Pastaj është radha e World Peace Council, Këshillit Botëror të Paqes, që në vitin 1989 do ta pranojë financimin nga ana e Moskës. Pacepa detajon financimet sovjetike për “teologjinë e çlirimit”, një aleancë midis gueriljes dhe “priftërinjve të varfër”, përkushtimit katolik dhe socializmit kristianizues.
Në vitin 1984 Kardinali i atëhershëm Joseph Ratzinger u ngarkua që të zgjidhë kundërshtinë e teologjisë së çlirimit. Dënoi “kishën e popullit” të mbështetur nga “intelektualë të formuar në Perëndimin e kampur: dhe admirues të shkretëtirës sovjetike: “Miliona bashkëkohës tanë aspirojnë në mënyrë legjitime që të gjejnë liritë themelore nga të cilat janë privuar nga pjesë të regjimeve totalitare dhe ateiste që kanë shtënë në dorë pushtetin me rrugë revolucionare e të dhunshme, pikërisht në emër të çlirimit të popullit. Nuk mund të injorohet ky turp i kohës tonë. Njerëz që bëhen bashkëpunëtorë nënshtrimesh të tilla tradhëtojnë të varfrit të cilëve synojnë t’u shërbejnë”. Në kthim nga Moska në vitin 1987, prifti brazilian Leonardo Boff, kreu i kësaj lloj teologjie, e përshkroi regjimin komunist si “shoqëri të shëndoshë e të shëndetshme, ku askush nuk ndjehet ndonjëherë i persekutuar”.
Po aq të bujshme akuzat e Pacepa ndaj Moskës lidhur me “Protokollet e Pleqve të Urtëv të Sionit”, falsi antisemit më i madh i historisë. Pacepa zbulon se Yuri Andropov, kreu i KGB-së për 15 vjet radhazi përpara se të bëhej President i Bashkimit Sovjetik, urdhëroi që të dërgoheshin në botën arabo – islamike dhjetëra mijëra kopje të falsit të famshëm për t;i nxitur masat kundër shtetit të Izraelit. Në vitin 1972 Pacepa personalisht mori përkthimin në arabisht e “protokolleve” nga duart e KGB-së. “Nën komandën time në Rumani, çdo muaj policia sekrete shpërndante mijëra kopje në sferën e saj të influencës në botën islamike”, shkruan Pacepa në libër. “Në takimet me homologët e mia hungarezë e bullgarë zbulova se edhe ata bënin të njëjtën gjë”.
Ajo që ishte vetëm një dyshim, dora sovjetike prapa antisemitizmit të regjimeve arabe, në librin e Pacepa zbulohet si një skemë politike. Ish superspiuni rumun shpjegon sesi libri që më shumë se çdo gjë tjetër u ka bërë dëm hebrenjve, i hartuar në Paris nga agjentë të Okhranës, shërbimit sekret carist, për të përshkruar me hollësi një strategji të supozuar hebraike drejt pushtimit të botës dhe shpikur liberalizmin, për të shkaktuar kaos dhe dominuar botën, ja ardhur në tokën e Islamit falë aktivizmit të Moskës. “Protokollet” shërbyen për të justifikuar lëvizjet antisemite në Rusinë e Nikolait të II-të, u përhapën me furnin e shpifjes deri në Amerikën e Henry Ford, ndriçuan Adolf Hitlerin në rrugën e dhomave të gazit dhe rezultuan mjaft të dobishëm për armiqtë e Izraelit në kryeqytetet arabe. Pacepa shkruan se “sipas Andropov, bota islamike ishte një laborator në të cilën KGB-ja mund të kultivonte një urrejtje të egër antiamerikane e antiizraeliane, e rritur nga bakteri i mendimit marksist – leninist”.
Sikur vështrimi mbi Luftën e Ftohtë të mos ishte tashmë plot me komplotizma dhe prapaskena, do të vinte vërtet të përdorej shprehja e përdorur nga Ion Pacepa në libër: “Qe një kryqëzatë ateiste kundër hebreo – kristianëve”.
Përgatiti për bota.al:
ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button