Analiza

Dita e Kolombit, si “ditëlindja” e globalizimit

Nga Ira Straus

Globalizimi filloi realisht që në vitin 1492. Është e vërtetë që për mijëra vjet përpara atij viti, kishte pasur kontakte të ndërprera midis pjesëve të largëta të botës. Por ndërveprimi i vazhdueshëm, dhe jo rastësor, dhe i drejtpërdrejtë njerëzor në të gjitha kontinentet, nisi me eksplorimin e oqeaneve nga evropianët nga vitet 1400 e më tej.

Kjo nuk është një pikëpamje eurocentrike e botës. Është një fakt historik. Ardhja e Kolombit në Amerikë, i vuri vulën atij procesi evolutiv. Është dita kur nisi globalizimi. Dhe ajo kremtohet me të drejtë. Të gjitha përparimet njerëzore dhe njohuritë reciproke të grumbulluara që nga ajo kohë, i detyrohen atij udhëtimi.

Ky proces përfshinte gjëra të mrekullueshme. Sot ekziston një tendencë, për t’u përqendruar tek të këqijat, së bashku me shumë moralizime kundër eksploruesve kolonizatorë. Por në të gjithë botën në zhvillim, të metat e shkëmbimit me Perëndimin janë në tërësi, shumë më të vogla se sa përfitimet prej tij.

Rreziku i vetë-shkatërrimit

E vetmja gjë që mund ta ndryshojë këtë, do të ishte vetë-shkatërrimi i njerëzimit, me dashje apo jo, nëpërmjet teknologjive të reja. Mjerisht, një vetë-shkatërrim i tillë, është një perspektivë realiste. Teknologjitë nga të cilët duhet të shqetësohemi, variojnë nga armët bërthamore, të cilat tashmë janë disi të modës së vjetër, tek armët biologjike ose programet inteligjente artificiale jashtë kontrollit, grimcat e importuara nga programi hapësinor, pajisjet nanoteknologjike, si dhe rreziqet deri më tani të paidentifikuara, por të lidhura me gamën gjithnjë në rritje të teknologjive të reja.

Në sapo kemi mësuar, nga grimca Higgs, mbi mundësinë e prishjes së vakumit, dhe idetë e para se si të hedhim në erë universin. Gjithçka që ka ndodhur me globalizimin në gjysmë-mijëvjeçari që nga viti 1492, mund të përmblidhet në një fjali:shkëmbimi global, ka vazhduar me një ritëm gjithnjë në përshpejtim, pavarësisht nga pengesat dhe ndërprerjet e shpeshta.

Eksplorimi dhe tregtia oqeanike, përfshinë së shpejti të gjitha rajonet e globit, duke e theksuar dimensionin transatlantik që lidh Evropën dhe Amerikën. Rrugët tregtare globale nga Evropa kaluan nëpër Atlantik, ndërsa zhdukën rrugët e vjetra tregtare të Mesdheut dhe Rrugës së Mëndafshit, duke e kthyer Atlantikun në një qendër të ekonomisë botërore në zhvillim për shekujt e ardhshëm.

Vektorët e globalizimit

Shkëmbimi global u përshpejtua me çdo avancim në shkencë dhe teknologji, nga aviacioni dhe revolucioni industrial, deri në ditët tona. Ai vazhdoi në vitet 1900, pavarësisht nga disa pengesa afatgjata si komunizmi, fashizmi dhe luftërat botërore. Shkëmbimi u ripërtëri pas vitit 1945, në përgjigje të këtyre pengesave, nga institucionet ndërkombëtare.

Sistemi i OKB-së, sistemi Breton Uds dhe sistemi euroatlantik shërbyen për të rindërtuar, stabilizuar dhe rritur shkëmbimin tregtare. Është gjithashtu e vërtetë, që de-regullimi i flukseve financiare që filloi në vitet 1980, e rriti edhe më shumë shkëmbimin, teksa krijoi rreziqe për një tjetër pengesë të madhe. Kjo duket se ka qenë momenti fillestar i përdorimit popullor të termit “globalizim”.

Progres? Regres?

Shkëmbimi tregtar, u përshpejtua më tej nga braktisja e barrierave më të mëdha proteksionistike dhe socialiste të saj në vitet 1990 në Kinë, Indi dhe në hapësirën ish-sovjetike. Kina dhe India, e nxorën veten nga stanjacioni në të cilën e kishin futur vetë veten, dhe filluan një fazë të përparimit të spikatur.

Ana tjetër e medaljes, është që punëtorët perëndimorë nuk janë më të mbrojtur nga konkurrenca e punëtorëve kinezë në prodhimin e mallrave dhe punëtorët indianë në shërbime. Përveç kësaj, punëtorët perëndimorë kanë pësuar një reduktim të pagave të tyre, gjë që nuk do të kishte ndodhur nëse gjërat do kishin shkuar ndryshe.

Rreziku i destabilizimit social, ka shkaktuar një reagim të kuptueshëm kundër globalizimit. Njëkohësisht, kur shihet një bilanc global, nuk duhet mohuar se qindra miliona punëtorë realisht të varfër në botë, kanë fituar dramatikisht më shumë të ardhura dhe mirëqenie, falë intensifikimit të globalizimit.

E gjithë kjo ka sjellë më në fund një barazim pagash në nivel global, pas disa shekujsh në të cilat Perëndimi ishte përpara, falë shkencës dhe teknologjisë së tij. Interneti, i ka shtuar edhe një dimension tjetër globalizimit. Kjo nënkupton një përshpejtim të shkëmbimeve, që ka një rritëm shumë më shpërthyes. Ai ka përshpejtuar përhapjen e informacionit në një ritëm gjeometrik, madje eksponencial.

Diskutimi dhe organizimi, i kanë kapërcyer kufijtë dhe qëllimet – dashuria dhe kultura, bursa dhe shkenca, telekomunikacioni dhe shpërndarja e punëve, pastrimi i parave dhe terrorizmi. Çështja se si njerëzimi mund të organizohet vetë, për të menaxhuar më mirë pasojat e këtij shpërthimi të shkëmbimeve – për të përmirësuar, mbështetur, kanalizuar, rregulluar dhe për ta mbajtur atë – është një subjekt përtej fushëveprimit të këtij artikulli.

E vetmja gjë që është e qartë, është se pavarësisht asaj që është arritur, kjo do të përfshijë më shumë globalizim. Me përfitimet e teknologjisë më të fundit, do të shohim se mediat sociale janë vetëm një hap i përkohshëm i ndërlikuar në këtë proces evolues.

Përfundim

E ardhmja nuk mund të parashikohet në detaje. Por ajo që mund të parashikohet, është se zhvillimet themelore të së ardhmes, sido që të shkojnë, do të jenë globale. “Treni i globalizimit”, u nis nga stacioni kur Kolombi arriti në Amerikë. Ai nuk do të kthehet kurrë pas.

Shënim: Ira Straus, është drejtuese e Qendrës për Studime të Luftës/Paqes dhe Koordinatore e SHBA-së në Komitetin për Evropën Lindore dhe Rusinë në NATO

Burimi: “The Globalist”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button