Letersi

Ditën e parë të shkollës, Juliane Moore dëshiron që ky libër për fëmijë, të bëhet urgjent film

screen-shot-2016-09-14-at-11-27-07Dje ishte dita e parë e shkollës për shkollat publike të Nju Jorkut, dhe Julianne Moore erdhi e përgatitur. Pasi hëngri një mëngjes të mirë, ajo shkoi për në një studio të vogël në James Hotel në Soho, e gatshme për të folur për arsimimin.

Eshtë një kauzë që e ka ndjekur me forcë kohët e fundit, bashkë me një organizatë të quajtur Projekti Alfabetizmi, e cila javën që kaloi nisi një fushatë në mediat sociale. Kjo përpjekje nxjerr në pah efektet potenciale të analfabetizmit, që lidhen me një jetëgjatësi më të shkurtër, pabarazi gjinore, kequshqyerje dhe varfëri në përgjithësi. Leximi, thotë Moore, shpesh herë mendohet si një gjë personale, por problemi është: analfabetizmi është sociale.

Ka kuptim që Moore, e cila shpesh herë përshkruhet si aktore që zgjedh role plot vetëbesim, është një njeri që shpie përpara një kauzë të tillë. Ajo ka luajtur në një sërë përshtatjesh të librave në filma, duke përfshirë “The Lost World: Jurassic Park,” “A Single Man,” “The Hunger Games,” si dhe një film të ardhshëm të bazuar në një libër për fëmijë, “Wonderstruck.” Dhe dashuria për librat, thotë ajo, ka një meritë të madhe për interesin për t’u bërë aktore.

“Më shumë se gjithcka tjetër, më pëlqente leximi”, thotë Moore për Huffington Post. “Ishte shoqëruesi im konstant. Ne lëviznim shumë, dhe leximi ishte një gjë ku mbështetesha gjithmonë. Kur nisa të aktroj, kuptova që po kërkoja të njëjtën ndjesi që kisha patur kur lexoja. Kur lexon, ti hyn në një histori, dhe ndihesh sikur historia është përreth teje. Dhe kështu ndihem kur aktroj”.

Moore thotë se pasioni i saj për leximin ka ndikuar në qasjen e saj të veçantë për aktrimin. Kur vendos rolet që do të ndjekë, ajo është më e interesuar në linjën e rrëfimit të filmit, se sa në personalitetin e personazhit të saj. “Unë mendoj se kjo është arsyeja që përgjigjem “Nuk e di”, kur njerëzit më pyesin: Çfarë personazhi doni të luani? Unë nuk mendoj në aspektin e personazhit, unë mendoj në aspektin e tregimit. Në cilën lloj narrative do të doja të isha pjesë? Çfarë po ndodh në këtë tregim? Çfarë më angazhon mua?”

Përkushtimi i Julianne Moore ndaj letërsisë shkon përtej të luajturit të personazheve të librave. Ajo është edhe vetë një autore e botuar, dhe ka shkruajtur nëntë libra për fëmijë, duke përfshirë edhe “Luleshtrydhja me quka”, historia e një vajze të vogël që mëson të përqafojë ndryshimet e saj. Moore është krenare për faktin që libri i saj është udhëzues: “Eshtë e rëndësishme të kesh një ndjesi individualiteti dhe komuniteti në të njëjtën kohë, dhe mendoj se në lexim kjo është e qenësishme”, thotë ajo.

Një libër që Julianne Moore e vlerëson shumë, është historia klasike për fëmijë e Madeleine L’Engle, “Një rudhë në kohë”, që ajo thotë se e meriton një përshtatje në film. “Mendoj se nuk ka pasur asnjëherë një prodhim të denjë të këtij libri”, thotë Moore. “Dua të them, e kanë provuar. Por mund të bëjnë më mirë. Unë e di!” (Kohët e fundit, Ava DuVernay ka firmosur për një përshtatje të Disneyt të këtij libri). /www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button